Kosovë, letrat rreth mandatarit pritet të përfundojnë në Kushtetuese dhe Venecia

Paralajmërimet për dërgimin e mandatarit në Gjykatën Kushtetuese kanë bërë që presidenti dhe LDK-ja ta zhvillojnë komunikimin duke mos i publikuar letrat.

Edhe pse Koha ka pyetur në Presidencë dhe LDK, ata nuk kanë treguar për komunikimet e deritashme. Nga ajo që dihet, sipas një njoftimi të Presidencës, Thaçi ia ka dërguar vetëm një letër Mustafës për t’ia kërkuar mandatarin, por që e njëjta nuk është bërë publike. Ndërkaq, Zyra e kryeministrit në detyrë ka paralajmëruar se, përpos Gjykatës Kushtetuese do t’i drejtohen edhe Komisionit të Venecias në rast se presidenti Thaçi ia jep mandatin një partie tjetër për formimin e Qeverisë.

Burime të afërta me këto zhvillime i kanë thënë gazetës, se edhe në LDK ka hezitime për të nxituar me publikimin e letrave me votimin e Qeverisë në Kuvend, për shkak se mandatari i tyre mund të rrëzohet nga Kushtetuesja. Kësisoj, nuk përjashtohet mundësia që LDK-ja ta hedhë për votim në Kuvend kryeministrin dhe kabinetin, tek pasi Gjykata Kushtetuese të vendosë se ka qenë i drejtë caktimi i një mandatari tjetër.

Në lidhje me këtë, gazeta u ka shkruar dhe ka provuar të marrë një qëndrim prej zyrtarëve të LDK-së, Avdullah Hoti, Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa – por nuk janë përgjigjur.

Prej momentit kur dërgohet mandatari, nis të rrjedhë afati 15 ditor për votim në Kuvend. Por, sipas njohësve të Kushtetutës, ky afat mund të pezullohet nga Kushtetuesja nëse i shkon kërkesa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë. Kësisoj, Dekreti i presidentit të Republikës mund të sfidohet qysh në ditën kur nxirret dhe mandatohet njëra prej partive jofituese të zgjedhjeve.

Një gjë e tillë mund të bëhet nga vetë Qeveria në detyrë apo nga 30 deputetë të Kuvendit të Kosovës. Sipas interpretimit të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, nëse sfidohet Dekreti i presidentit, atëherë krejt e natyrshme është që duhet të vihet masa e përkohshme nga ana e Gjykatës për të pezulluar afatin pesëmbëdhjetë ditor, “në mënyrë që ai mos të rrjedhë deri në vendosjen meritore të rastit”, ka deklaruar Hasani.

Javën e kaluar, Presidenca njoftoi se i është drejtuar me një letër kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, duke i kërkuar që t’ia dërgojë emrin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re. Por, nuk e ka publikuar atë. Ndërkaq, të gjitha pesë letrat dërguar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, presidenti i pati bërë publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button