Nuk thuhet ato burra, por thuhet ata burra!

Gjuha jonë shqipe është një mozaik i madh i bërë prej gurësh të çmueshëm. Një mozaik i lashtë të cilin të parët tanë janë munduar ta ruajnë të të tërë nëpër stuhitë e panumërta të hitorisë. Diçka goditjet e historisë kanë shkulur nga ai mozaik, kanë marrë gurë prej aty. Herë pushteti romak, herë ai bizantin. Pastaj serbë, bullgarë, grekë, turq, përfundimisht serbë. Dhe kështu, mozaikut i janë rralluar gurët, por korniza ka mbetur e fuqishme dhe u ka bërë ballë të gjitha sulmeve, të gjitha përpjekjeve për ta zhbërë të tërin.
Dhe, kur erdhi koha që gjuha shqipe të marrë frymë lirisht dolën dy duar rë tjera që u zgjatën drejt mozaikut. E para: globalizmi dhe e dyta vetë dora jonë. Ta lëmë anash këtë dorë të globalizmit e cila është futur nëpër shtëpitë tona përmes mediave elektronike, përmes rrjetave shoqërore që na i ka sjellë interneti e ta shohim se çfarë dëmesh bën kjo dora jonë.

Hajde.

Ta nisim nga përemrat. Përemrat vetorë dhe dëftorë. A e keni dëgjuar dhe a e keni lexuar se tash askush më nuk i përdor përemrin ata. As përemrin këta. Madje edhe profesorët universitarë. Por thuajse të gjithë thonë e shkruajnë: ato dhe këto. Ato burra, këto djem! Hej, o burra, më ngadalë se nuk thuhet ashtu. Nuk mund të themi ato burra e këto djem. Se po të themi kështu duhet edhe njëjësin e tyre ta bëjmë kështu e të themi: ajo burri dhe kjo djali. Mos ua ndërroni gjininë!

Puna këtu është fare e thjeshtë: përemrat këtu janë: i, y, o  (të njëjësit: ai, ky, ajo, kjo), o, a (të shumësit: ato, këto; ata, këta). Këto zanore janë përemrat. i dhe y janë përemrat e gjinisë mashkullore njëjës, ndërsa a është shumësi i mashkullores. Ndërkaq o është përemër i gjinës femërore për të dy numrat, edhe për njëjësin edhe për shumësin. Kështu kemi: ai (burrë) dhe ajo (grua); ata (burra) dhe ato (gra). Pastaj: ky (burrë) dhe kjo (grua): këta (burra) dhe këto (gra). Kujdes pra! Nuk thuhet: këto gurë, këto kuaj, ato gurë ose ato kuaj, por duhet të themi: këta gurë, këta kuaj. Nga ana tjetër do të themi: këto pemë, këta lisa ose: ato pemë, ata lisa!

Tash ngadalëz. Nëse i, y, o; o, a; i dhe y janë përemra, atëherë duhet ta dimë se çfarë janë a-ja dhe k-ja nistore të këtyre përemrave. E, këto janë parashtesa deiktike, që do të thotë se janë parashtesa dëftore, parashtesa që tregojnë largësi (aja) ose afërsi (k-ja). Për shembull ai djali (ajo vajza, a-ja tregon se djali (vajza) është më larg prej nesh. Ky djali (kjo vajza) nuk rri urtë. K-ja është parashtesë që tregon afërsi. Pra djali (vajza) është afër nesh.

Po j-ja që futet midis? Është hiatus. Është një fenomen fonetik i cili i ndan dy zanore për shqiptim më të lehtë. Në vend se të themi ao (për ajo) futet j-ja në mes që ta kemi më lehtë ta themi. Njësoj edhe te përemri kjo. Ku në vend të ndarjes kemi elizion.

Këto parashtesa, pra parashtesat deiktike i hasim edhe te ndajfoljet e vendit: këtu, atje, te ndajfoljet e mënyrës: kështu, ashtu etj.

Në fund të themi se në gjuhën shqipe kemi edhe emra ambigjenë (të dygjinishëm). Këta emra në njëjës janë në gjininë mashkullore e në shumës kalojnë në gjininë femrore. Përemrat dëftorë që i shoqërojnë këta emra do t’u përshtaten gjinive, sipas rregullave gramatikore. Për shembull: ai ose ky mal (njëjës) – në shumës do të dalë ato ose këto male.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button