OKB: Gjatë tre muajve të fundit mbi 500 civilë janë vrarë në Afganistan

Më shumë se 500 civilë, gati një e treta e të cilëve ishin fëmijë, u vranë për shkak të luftimeve në Afganistan në tre muajt e parë të këtij viti, thotë një raport i Kombeve të Bashkuara, njofton REL.

Llogaritet se 760 persona tjerë u plagosën.

Raporti thekson nevojën për të mbrojtur më mirë civilët, krahas kërcënimit me të cilin përballen afganët pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.

Shumë nga viktimat u shënuan muajin kaluar, pavarësisht shpresave se qeveria dhe talibanët do të kërkojnë mënyra për të shuar konfliktin, thuhet në raport.

Forcat antiqeveritare – përfshirë taliban, Shtetin Islamik dhe grupe të tjera të paidentifikuara – ishin përgjegjës për 55 përqind të të gjitha viktimave, vlerëson raporti.

Por, sipas të dhënave të OKB-së, forcat e qeverisë afgane dhe trupat ndërkombëtare shkaktuan më shumë viktima të fëmijëve, sesa grupet e armatosura anti-qeveritare.

“Për të mbrojtur jetën e civilëve të panumërt në Afganistan dhe për t’i dhënë kombit shpresë për një të ardhme më të mirë, është e domosdoshme që të ndalet dhuna përmes një armëpushimi si dhe të fillojnë negociatat e paqes”, tha Deborah Lyons, përfaqësuese e veçantë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Raporti vjen një ditë pasi i dërguari amerikan, Zalmay Khalilzad, tha se talibanët duhet të “ulin dhunën” dhe “të ndalojnë të gjitha operacionet e tyre” deri në fund të krizës së koronavirusit.

Talibanët kanë refuzuar një propozim të qeverisë afgane për armëpushim gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Militantët kanë akuzuar qeverinë e presidentit Ashraf Ghani se nuk e ka zbatuar plotësisht procesin e paqes.

Afganistani deri më tani ka raportuar 1,531 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 50 vdekje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button