A do ta përshpejtojë COVID-19 përdorimin e robotëve në vend të punëtorëve?

Në kohën kur pandemia ka mbërthyer botën, shumëkujt mund t’i falej nëse ka harruar një tjetër kërcënim për mënyrën e jetesës së njerëzve – ngritja e robotëve, shkruan Koha.net.

Për më mirë a për më keq, robotët do t’i zëvendësojnë shumë qenie njerëzore në vendet e tyre të punës, thonë analistët dhe përhapja e koronavirusit po e përshpejton këtë proces.

“Njerëzit zakonisht thonë se dëshirojnë një element njerëzor në ndërveprimet e tyre, por COVID-19 e ka ndryshuar këtë perceptim”, thotë Martin Ford, një futurist që ka shkruar për mënyrat se si robotët do të integrohen në ekonomi në dekadat e ardhshme.

Ndryshimi i madh

“COVID-19 do ta ndryshojë preferencën e konsumit dhe kjo përnjëmend hap mundësi për automatizim”.

Kompani të mëdha e të vogla po zgjerojnë natyrën e përdorimit të robotëve dhe në kohën e distancimit social, robotët shihen si mjaft efikas në këtë aspekt. Ato vlerësojnë se për shkak të rrethanave të reduktimit të kontaktit fizik, kjo shihet si mundësi alternative për të kryer punë pa rrezikuar shëndetin e personelit. Robotët po përdoren edhe për të kryer punë që punëtorët nuk mund t’i kryejnë nga shtëpia.

“Walmart”, kompania më e madhe e tregtisë në Amerikë, po përdor robotët për të vendosur mallrat.

Robotët në Korenë Jugore janë përdorur për të matur temperaturën dhe për të shpërndarë dezinfektues duarsh në kohën kur Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdimisht ka bërë thirrje se mbrojtja më e mirë nga koronavirusi është pastërtia personale dhe ruajtje e distancës fizike ndërmjet njerëzve derisa të gjendet një ilaç ose vaksina kundër virusit që po shkakton sëmundjen COVID-19.

Me ekspertët e shëndetësisë që vazhdimisht thonë se këto masa mund të zgjaten deri më 2021, robotët punëtorë mund të përdoren përherë e më shumë. Madje, pritet që të ketë ngritje të kërkesës për robotë që mund ta zëvendësojnë fuqinë punëtore njerëzore.

Robotët e pastrimit

Kompanitë që prodhojnë produkte të pastrimit dhe të dezinfektimit po kërkohen me të madhe si asnjëherë më parë.

UVD Robost, prodhues danez i robotëve për dezinfektim, ka dërguar qindra makina të vetat nëpër spitale në Evropë dhe Kinë.

Edhe dyqanet ushqimore dhe restorantet që shërbejnë kafe për t’i marrë me vete po i përdorin këto makina për të kryer shumicën e punëve që më parë kryheshin nga punëtorët.

Ekspertët thonë se në kohën kur më shumë biznese po rihapen, pritet të ketë përshtatje edhe më të madhe me këtë teknologji – mund të shihni robotë që pastrojnë shkollat ose zyrat ku ju mund të jeni duke punuar.

“Myshterinjtë tani mund të kujdesen më shumë për sigurinë e tyre dhe për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve”, ka deklaruar Blake Morgan, autor i “The Customer of the Future”. Ai mendon se robotika po shkon drejt zëvendësimit të shumë punëve njerëzore.

“Lëvizjet drejt automatizimit mund t’i mbajnë punëtorët shëndosh e mirë, sikurse edhe myshterinjtë, njëherësh duke shpërblyer kompanitë për këtë sistem pune”.

Megjithatë, ende ka kufizime që zonja Morgan ka treguar për kontrollet e automatizuara të hyrje-daljeve, që do të reduktonin kontakti njerëzor, por për shkak se nganjëherë po ka telashe me pajisjet e avancuara teknologjike, shumë dyqane janë shtrënguar që të punësojnë arkëtare që të mos krijohen radhë e paqartësi në funksionimin e qendrave të mëdha tregtare.

Ndihmë me distancimin social

Shërbimi i ushqimit është një tjetër fushë ku përdorimi i robotëve me gjasë do të zërë përdorim më të madh për shkak të shqetësimeve të lidhura me shëndetin e myshterinjve.

Zinxhirët e ushqimit të shpejtë, si McDonald’s, kanë nisur tashmë testimin e robotëve si kuzhinierë dhe shërbyes.

Në depo, si në ato që operohen nga Amazonë dhe Walmart, robotët tashmë ishin përdorur për të përmirësuar efikasitetin. Shpërthimi i koronavirusit ka shtyrë kompani të mëdha si këto që të ngritin përdorimin e robotëve për ndarje, bartje dhe paketim.

Kjo mund të reduktojë numrin e ankesave prej punëtorëve në depo, të cilët thonë se nuk mund të ruajnë distancimin social nga kolegët në kushtet e tanishme. Por, sipas ekspertëve të teknologjisë, kjo do t’i largonte disa prej tyre nga vendet e punës.

Kur një kompani investon në zëvendësimin e një punëtori me një robot, me siguri se kompania më nuk do ta mbajë atë punëtor në punë. Robotët janë më të kushtueshëm për t’i krijuar dhe integruar në biznese, por kur ata të stabilizohen, me siguri se do të jenë më të lirë se punëtorët njerëzorë.

Sipas futuristit Maretin Ford, përdorimi i robotëve në botën pas koronavirusit paraqet gjithashtu edhe disa përparësi marketingu.

“Njerëzit do të preferojnë të shkojnë në një vend që ka më pak punëtorë dhe më shumë makina për shkak se do të ndiejnë rrezik larg më të ulët”, ka shpjeguar ai.

Krejt si njerëzit?

Por çfarë të bëhet me rolet shërbyese ku një person duhet për të ofruar dhe treguar një udhëzim?

Inteligjenca artificiale po zhvillohet me qëllim që të mund të zëvendësojë tutorët shkollorë, trajnerë e fitnesit dhe këshilltarët financiarë.

Kompanitë e mëdha të teknologjisë po zgjerojnë përherë e më shumë inteligjencën artificiale. Edhe Facebooku, edhe Google po bazohen në inteligjencën artificiale për t’i zhvendosur postimet e papërshtatshme meqë moderatorët njerëzorë të përmbajtjes së gjigantëve teknologjikë nuk mund të rishikojnë të gjitha postimet nga shtëpia.

Skeptikët e përdorimit të robotëve besonin se qeniet njerëzore do të ishin vendimtarë në disa vende pune. Kjo mund të ndryshojë me mbylljen dhe izolimin që kanë shtyrë punëtorët të ngujohen vullnetarisht në shtëpi. Ata tashmë po ndihen rehat që po mund t’i kryejnë punë pa pasur nevojë që të dalin në punë si dikur. Kjo u krijon edhe përparësi të tjera të mëdha të aspektit social e shëndetësor, duke qëndruar pranë familjeve. Instruktori ose këshilltari në ekran nuk është e thënë të jetë njeri. Mjafton që të jetë dikush që kryen punën e tij.

Një raport i vitit 2017 i kryer prej konsultantëve globalë të McKinsey parashikohej se një e treta e punëtorëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zëvendësoheshin prej automatizimit dhe robotëve deri më 2030.

Por ngjarjet, si pandemia e tanishme, kanë mundësinë për ta ndryshuar krejt këtë afat kohor, dhe ekspertët thonë se është në dorën e njerëzve të vendosin se si duan ta integrojnë këtë teknologji në botë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button