fbpx

Një narrativ “tjetërqysh” i luftës

Mënyra se si u prit në publik deklarata e Shkëlzen Gashit dhe shkarkimi i tij nga pozita e këshilltarit nga Albin Kurti treguan se edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës, është e rrezikshme të përpiqesh të flasësh për krimet e luftës në një hapësirë ku kultura e mosndëshkimit i ka forcuar rrënjët, shkruan Kallxo.com.

Aktivisti kosovar për të drejtat e njeriut, Shkëlzen Gashi, nën petkun e këshilltarit të kryeministrit në detyrë, u gjend ditëve të fundit në anën e fërkuar të kutisë së shkrepëses pas një interviste për televizionin T7 kur foli për vrasje të supozuara nga individë të UÇK-së të pjesëtarëve të pakicave në Kosovë gjatë dhe pas luftës.

Në mesin histerisë së reagimeve kishte edhe të tilla që bënin thirrje për eliminimin fizik të tij ndërsa të shtunën në mbrëmje qytetet e Kosovës kumbuan sirenat e automjeteve dhe këngët për UÇK-në duke mos i kursyer as altoparlantët e xhamive si reagim ndaj kësaj deklarate.

Pozita e tij si këshilltar i kryeministrit ia rëndoi edhe më shumë barrën përderisa ky i fundit iu dorëzua reagimeve brenda më pak se 24 orëve.

“Ka aq shumë gjëra për të cilat pajtohemi në të tashmen, ka edhe të atilla për të cilat nuk pajtohemi nga e kaluara. Z. Gashi nuk është një bashkëbisedues i lehtë. Nga kjo vështirësi kam mësuar”, tha Albin Kurti në njoftimin e shpërndarë në Facebook për lirimin nga detyra të Shkëlzen Gashit.

Ky njoftim lë të kuptohet që në takim, Gashi i kishte qëndruar të vërtetës së tij përderisa Kurti, siç edhe e bëri vet të njohur, nuk deshi që “puna e mirë e qeverisë në detyrë” në përballjen me pandeminë globale të dalë në plan të dytë për shkak të deklaratave të një pjesëtari të kabinetit të tij.

Por mënyra se si e “liroi nga detyra”, 35 ditë pas emërimit, e ekspozoi edhe më shumë Gashin në histerinë e akuzave që veçse kishte filluar.

Për vjet të tëra, Gashi i ka ofruar opinionit material për debat.

Në fillim të viteve 2000, kur Universiteti i Prishtinës kishte dhënë shenja të nisjes së një procesi pandemik të politizimit dhe plagjiarizmit, Shkëlzen Gashi, ishte pjesë e një lëvizjeje të quajtur “Tjetërqysh” me të cilën denonconte, përmes aktiviteteve publike, këto fenomene. Gati dy dekada më vonë, koha i ka dhënë të drejtë atij në punën sizifiane që kishte ndërmarrë. Universiteti publik, më i madhi në Kosovë, tashmë pashërueshëm është shndërruar në degë politike dhe çerdhe klienteliste të partive që kanë mbajtur pushtetin secila më gjatë se tjetra.

Vite më vonë, Gashi do t’i hynte punës për të nxjerrë në publik të pathënat e të paditurat e kohës së luftës përmes intervistash me akterë të asaj kohe. Siç do ta dëshmojë edhe vet, nga intervistat do të dilte i fyer, ofenduar dhe, në raste, edhe me ndërprerje të tyre nga të intervistuarit që përballeshin me pyetje ndryshe nga ato të stilit “si e çliruat Kosovën?”.

Në fakt, deklarata e fundit e Shkëlzen Gashit, për nga rëndësia, është shumë më e vogël nga ajo që vet ish-Drejtori Politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, tash President i Kosovës, e kishte thënë në një seancë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në dhjetor të vitit 2018.

“… në të njëjtën kohë nuk e kontestoj që ndonjë luftëtar ka devijuar nga fisnikëria e luftës së lirisë”, kishte thënë Thaçi në një mbledhje, transkripti i të cilës- për dallim nga deklarata e Gashit që po i shërben konsumit të brendshëm turbo politik- mbetet referencë për diplomatë e studiues në të ardhmen.

Në intervistën e tij, e cila bëhej një ditë pasi Policia e kishte thirrur për një intervistë për shkak të një postimi të tij në Facebook ku paralajmëronte rezistencë ndaj planeve për ndarje të Kosovës pas jetësimit të formimit të qeverisë së re të vendit, Gashi thoshte se “është shumë më mirë që të dënohen ata që kanë kryer krime në mënyrë që UÇK të pastrohet prej tyre.

“Asnjëherë nuk e them që UÇK ka pasë plan për t’i vrarë, masakruar e ekzekutuar civilët serbë”, tha Gashi në këtë intervistë, një pjesë me të cilën nuk u mor askush nga kori i gjatë i interpretuesve që, të nxitur nga një post publik që është pothuaj i njëjtë me atë që ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishte thënë në një intervistë të dhënë në një televizion shqiptar.

Sado që u mundua të trajtohet si tabu, kjo më nuk është e tillë pasi po bëhen pesë vjet qëkur ajo është thyer edhe institucionalisht pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës, nën presion vendor e ndërkombëtar, me 82 vota në favor, kishin miratuar formimin e një gjykatë e cila do të merret ekskluzivisht me krimet e supozuara të kryera nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj civilëve të pakicave por edhe ndaj vet shqiptarëve. Pesë vjet më vonë, prokurorët në Hagë kanë intervistuar rreth 200 pjesëtarë të UÇK-së, si dëshmitarë dhe të dyshuar, rreth këtyre pretendimeve.

Shkëlzen Gashi, që dëshpërimisht është duke kërkuar hapësirë dhe mbështetje nga institucionet për themelimin e një muzeu në të cilin do të dëshmoheshin krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është ndër të paktë zëra që mundohen ta zbardhin atë që mund të mbetet në pjesën e errësuar e historisë meqenëse mosruajtja e dëshmive dhe shuarja e dëshmitarëve vit pas viti po e bën më të vështirë.

Reagimet e fundit ndaj deklaratës së Shkëlzen Gashit paralajërojnë se Kosova, njëjtë sikur Serbia, do të vazhdojë të qëndrojë në spiralen e hermetizuar të së vërtetës.

Këto reagime treguan se edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës, është e rrezikshme të përpiqesh të flasësh për krimet e luftës në një hapësirë ku kultura e mosndëshkimit i ka forcuar rrënjët dhe se çfarëdo përpjekje për ta ndërtuar një narrativ “tjetërqysh” të zhvillimeve të kohës së luftës dhe periudhën pasuese të saj do të ndeshë në murin e fortë të mohimit edhe për një kohë të gjatë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button