Aliu kërkon heqjen e karantinës për Ferizajn: Gjendja është nën kontroll

Ferizaj është zona më e prekur në nivel vendi me gjithsej 98 raste, prej tyre dy të vdekur. Në këtë komunë e cila tash e sa ditë është shpallur edhe zonë karantinë, të prekur me COVID-19 ka persona të moshuar, dhe një foshnje 10 muajshe, shkruan Koha.net, transmeton Portalb.mk.

Niveli komunal po kërkon që të largohet nga karantina, pasi resurset policore janë të përqendruara në hyrje-daljet e Ferizajt.

Pavarësisht kësaj, kryetari i komunës, Agim Aliu thotë se gjendja është nën kontroll dhe se grupi më i madh i të infektuarve të personave kanë një burim të vetëm.

“Gjendja në përgjithësi është e kontrollueshme, e menaxhueshme. Pavarësisht faktit se jemi komuna e parë në nivel të Kosovës, me numrin 98. Është e menaxhueshme edhe për faktin se është grup i madh i personave që kanë një burim të vetëm. Dhe kjo është mirë edhe për qytetin edhe për qytetarët, por në përgjithësi edhe për komunën e Ferizajt, sepse është gjendja e kontrollueshme. Dhe gjithë kontaktet janë në evidencën tonë. Dhe nga gjithsej këto 98 raste me Covid, prej tyre 93 raste janë me burim nga punëtorët, kolegët e punës në kampin “Bondsteel” dhe familjarë të tyre. Katër raste të tjera janë origjinë në komunën e Kamenicës dhe fshatin Topanicë dhe një fshatin Policë, dhe një rast e kemi pasur të ardhur nga Gjermania”, deklaron ai.

Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar nëntë të infektuar nga komuna e Ferizajt, të cilët kanë shprehur simptoma më të theksuara me këtë virus. Ndërsa, të tjerët janë në vetë izolim. Nga këta 98 të infektuar është edhe një foshnje 10 muajshe, ndërsa ka persona edhe mbi moshën 80 vjeçare.

Në bazë të raportit të mbrëmshëm të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, gjatë ditës së djeshme nuk ka rezultuar asnjë të infektuar nga komuna e Ferizajt.

“Ende nuk është lista përfundimtare… do të ketë me dhjetëra.. deri tash në komunën e Ferizajt janë bërë 300 teste”, shton ai.

Aliu edhe një herë ka kërkuar që të hiqet Ferizaj nga zona e karantinës.

“Ajo që ne kemi kërkuar vazhdueshëm është që të hiqet karantina, për shkakun se resurset policore do të mund të zhvendoseshin brenda territorit të komunës, jo të kufizohen dhe të mbrojnë territorin e komunës së Ferizajt apo të prodhojnë efektet e karantinës në kuptimin e kontrollimit të hyrje-daljeve të Ferizajt. Por për ne si shtab emergjent nga ajo që kemi biseduar, ka mungesë të resurseve policore, dhe duke qenë kështu, kemi kërkuar që ata të zhvendosen brenda territorit të komunës, në mënyrë që të ketë efektshmëri më të madhe të kontrollit të qytetarëve”, thekson Aliu për KosovaPress.

Ndër të tjera, Agim Aliu thekson se deri më tani kanë shpërndarë tre mijë pako ushqimore për familjet në nevojë, dhe për ato të cilat tashmë kanë rezultuar si të infektuar me COVID-19.

Deri më tani në komunën e Ferizajt kanë rezultuar 98 të infektuar me korona virus, 2 nga këta kanë vdekur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button