Me ç’libra në duar i gjetëm profesorët e UT-së në kohën e karantinimit? (7)

(Intervista e mëposhtme, për Portalb, u realizua nga Adelina XHAFERI, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe me profesorët e këtij programi)

Adelina Xhaferi

Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, të jetosh brenda një bote të madhe artistike, nuk do të thotë vetëm të lexosh nga të tjerët, por të përfshihesh aty edhe vet, me krijime që vijnë si frymëzim nga autorë të ndryshëm. Ju i përkisni një brezi shkrimtarësh, fryma e të cilëve depërton thellë në shpirtin e lexuesit. Po për lexuesin e sotëm cilat vepra do ti sugjeroni duke përfshirë edhe ato të cilat në këtë kohë i keni nëpër duar?

Doc. dr. Arlind FARIZI: Sa herë që më duhet të shkruaj diçka, gjithmonë u referohem veprave të njëjta. Ndonëse di çdo fjalë që thonë personazhet brenda tyre, sa herë që i rilexoj, mësoj diçka të re për to ose thjesht i quaj personazhe të pa takuar më parë. Kjo më ndodh kryesisht me veprat e mëposhtme, me të cilat më gjeti ky karantinim e si të tilla i sugjeroj edhe për lexuesin e kohës:

1.“Aksidenti” – Ismail Kadare – Ngjarja dukej më se e rëndomtë – Kështu fillon ky roman mbresëlënës dhe avangard në vete. Një fillim romani ndryshe nga ç’jemi mësuar të lexojmë nga Kadare në veprat tjera, në të cilat kryesisht mbizotëron shiu, vuajtja, dimri dhe zymtësia. Sa më shumë që kërkojmë të zbardhet e vërteta e aksidentit aq më shumë mahnitemi nga përshkrimi i ngjarjeve të romanit, të cilat përveç se të befasojnë, të bëjnë që t’u rendësh pas deri në fund. Vetë natyra e romanit të paraqet një marrëdhënie dashurore të një çifti që përfundon në një humnerë pas gabimit të një shoferi taksie. Personazhet (Rovena dhe Besfort Y.) janë kompleksë, enigmatikë edhe për veten, e të tillë që nuk njohin as ndjenjat për dashurinë postmoderne. Romani ngërthen brenda vetes edhe figura mitike (Ofreu dhe Euridika). Është mahnitës!

  1. “Identiteti” – Milan Kundera – Gjuha që përdor Kundera në veprat e tij është tërësisht filozofike. Po të marrim ta shohim korpusin kunderain, këtë vepër nuk mund ta lëmë anash tij. Gërshetimi i reales me jorealen e bëjnë romanin të mbetet në mendjen tonë edhe pas një kohe të gjatë, ngase ngërthen dilema që na lindin çdo ditë: Kush jemi realisht? Sa e duam tjetrin/tjetrën? Sa e njohim identitetin e të dashurit/ës sonë? A do ta duam atë nëse përjeton ndryshime? Sa kohë na duhet ta njohim fytyrën e vërtetë? A ekziston një identitet personal në kohë komunizmi? Ku mbetet uni? Pra, të gjitha këto pyetje na lindin përderisa ndjekim fatin e një çifti parisian (Shantalin dhe Zhan-Markun), herë kur femra brengoset se burrat nuk do ta shohin më si dikur, e herë kur mashkulli atë e ngatërron me një të panjohur. A nuk pyesim për këto edhe ne?
  2. “Harku i Triumfit – Erich Maria Remarque – Gjithmonë ka romane që të rrëmbejnë në brendinë e tyre dhe të tilla që shkruhen nga shkrimtarë të mëdhenj. I tillë është edhe ky roman autobiografik, brendia e të cilit jep personazhet refugjatë (mjeku gjerman Ravik dhe artistja rumune Xhoana) pa shtet në Paris përpara Luftë së Dytë Botërore; pra jepet Parisi i fundviteve ‘30. Romani motiv tematik letrar ka fashizmin, ndërsa protagonistët gjithmonë i paraqet si të pashpresë, me pikëllim, por që, kur tjetri ka nevojë, janë të gatshëm t’i dalin në ndihmë vetëm që të tregojnë se humaniteti ekziston edhe në kohë lufte e terrori. Ashtu siç kanë lindur dashuritë më të mëdha të personazheve në kohëra krizash, luftërash e shkatërrimesh të ndryshme, edhe Remarku në këtë roman jep një dashuri të tillë e të fuqishme ndërmjet dy protagonistëve, një dashuri jashtë masave të zakonshme, me ngrohtësi e me qetësi të brendshme natyrore. Protagonistët që nuk mundën ta realizonin dashurinë e tyre e të triumfonin në fund, në roman jepen të përndjekur nga hijet e Gestapos. Një krijim i veçantë i letërsisë gjermane!

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, janë të shumta veprat që njeriu mund ti  sugjerojë për të tjerët mbështetur në një lexim paraprak të tyre ose në atë që është duke lexuar në këtë kohë të karantinimit. Po ju, duke pasur parasysh strukturën e një vepre apo frymën që personazhi sjell në të, cilat vepra i keni në dorë dhe si të tilla i sugjeroni edhe për lexuesin?

Ass. mr. Miranda ILAZI-ARIFI:  Një periudhë e tillë kohore, në të cilën mund t’i falësh vetes luksin e leximit, duhet të shfrytëzohet maksimalisht. Me anë të leximit mund të njohim shumë shoqëri, histori, përjetime e sfida nga më të ndryshmet dhe tërë kjo duke pasuruar fjalorin dhe horizontin e njohjes të secilit që e shfrytëzon kohën për lexim. Për lexuesin i sugjeroj:

  1. “Kronikë në gur” – Ismail Kadare – Vepër e cila bën një pasqyrim të qartë mbi pamjen e një qyteti si Gjirokastra, saqë edhe ata që asnjëherë nuk e kanë vizituar këtë vend, me anë të rreshtave të prozës së Kadaresë iu jepet mundësia të ecin mbi çdo gur të rrugicave të saj. Vlefshmëria dhe mjeshtëria qëndron pikërisht në rrëfimtarin- një fëmijë. Është pikërisht pafajësia e tij që na tregon historinë pa lajka se si ka ndodhur e çfarë kanë hequr shqiptarët nga pushtuesit.
  2. “Medea” – Euripidi – Një kompleks karakteresh dhe tiparesh në të njëjtin personazh, një shfaqje e pasionit dhe mbizotërimi i këtij pasioni mbi gjithçka që ishte me vlerë në jetën e saj, të Medeas, do të shpërfaq edhe njerëzoren, të mëshirshmen. Mbi të gjitha, na sjell një dimension tjetër se si duhet të duket nëna në syrin e fëmijëve të vet, dhe anasjelltas. Po ashtu edhe sakrifica symbyllur e saj, vetëm e vetëm të arrinte synimin – fitoren mbi tradhtinë.
  3. “Procesi” – Franz Kafka – Një vepër moderne e shtresuar mbi zbulimin e sekreteve, mbi kërkimin e së vërtetës, në të cilën vet lexuesi prej fillimit deri në fund luan rolin e ndërgjegjësimit t’i përgjigjet një pse-je për të gjitha ndodhitë. Psikologjia dhe mbajtja gjallë e interesit të gjetjeve se si ndodh një gjyq pa gjyqtar e pa fajtor, zhvillon një inteligjencë mbi secilin që e lexon këtë vepër, vetëm e vetëm që të mbizotërojë e vërteta.

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, jeni në prag të marrjes së titullit magjistër i Letërsisë Shqipe dhe sigurisht që gjatë kohës së fundit, keni lexuar vepra që lidhen me temën tuaj. Po për lexuesin e sotëm cilat vepra do ti sugjeroni, përfshirë edhe ato me të cilat ju gjeti kjo kohë e karantinimit?

Ass. Kaltrina SADIKI: Megjithëse tema ime e magjistraturës lidhet me mitin, këtë periudhë kam lexuar më tepër vepra të kësaj natyre. Po për lexuesin e sotëm i përzgjodha titujt që më së shumti më kanë prekur dhe që mendoj se ia vlen të sugjerohen veçanërisht në këtë kohë:

  1. “Festa e Cjapit” – Mario Vargas Llosa – Një libër mbi egon e një diktatori, viktimat e një regjimi, armiqtë e jashtëm e të brendshëm të një kombi e kulture. Një libër mbi shthurrjen dhe psikologjinë e mendimit të diktatorëve, servilëve, ushtarëve, kundërshtarëve politikë, të pasurve, të varfërve, mediumeve, të shtypurve, atyre të cilëve iu është bërë padrejtësi dhe çdo kujt tjetër që frymon në kohë diktature. Magjepsës deri në shkronjën e fundit.
  2. “Kopshti i Edenit” Ernest Hemingway – Një libër që na zgjon njëmijë pikëpyetje rreth vetes dhe kufijve tanë. Kush është në të vërtetë njeriu? Sa janë të qëndrueshme bindjet e tij? Si reagon ai kur përballet me diçka krejt të pazakontë? Sa mund të toleronim ne po të viheshim në rolet e kryepersonazheve? Deri ku shkojnë kufijtë tanë?… Një libër mbi kureshtjen e pafund njerëzore!

3.“Mështeknaja e babait”- Lindita Ahmeti- Një lirikë mbresëlënëse. Mite që rikthejnë vëmendjen në ndjenjat më të vjetra, më të thella të njeriut, vetminë, dashurinë, nevojën për identitet. Një libër që lexohet me llupë – pa lënë asnjë fjalë të të ik. Poezi të bukura deri në dhembje.

VAZHDON….

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button