Me ç’libra në duar i gjetëm profesorët e UT-së në kohën e karantinimit? (6)

(Intervista e mëposhtme, për Portalb, u realizua nga Adelina XHAFERI, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe me profesorët e këtij programi)

Adelina Xhaferi

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, të qenit profesor letërsie do të thotë të jesh e rrethuar me libra, jo vetëm me ato që lidhen me punën tuaj, por edhe me ato që ju plotësojnë shpirtërisht. Ju përpos angazhimit në universitet ndani kohë edhe për lexime. Cilat libra i keni në dorë në kohën e karantinimit e që i sugjeroni edhe për të tjerët?

Doc. dr. Esmije VESELI: Faleminderit Adelinë! Mësimdhënësi gjatë gjithë kohës është duke lexuar e studiuar, ngase kjo është detyra dhe misioni i tij. Në këtë kohë pandemia ka mbërthyer të gjithë botën dhe ne si pjesë e saj, po mundohemi ta tejkalojmë kohën në mënyrë sa më të organizuar dhe cilësore. Distanca me ju (studentët) le të jetë një zgjidhje e çastit dhe shpresojmë të rikthehemi sa më shpejtë dhe të vazhdojmë aty ku e lamë. Atëherë, librat të cilat i kam lexuar pikërisht brenda këtij izolimi të detyruar janë:

  1. ,,Juda’’ – Amos Oz- Një ndër shkrimtarët më të lexuar dhe më të njohur në Izrael, dhe jo vetëm. Figurë shumë dimensionale dhe një romansier i shkëlqyer. Judaështë një vepër me shumë shtresime, provokuese, me historinë e dashurisë, dhe nga ana tjetër trajton teorinë mbi Krishterimin (Kush është Juda i vërtetë?). Përmes një historie personale, familjare dhe qytetëse, ai na çon sërish aty ku dhembja e gërryente vazhdimisht, Izraeli dhe fati i tij, ku dashuria dhe urrejtja ishte e ngjashme edhe për banorin e së njëjtës shtëpi, palestinezin. Ja vlen të lexohet!
  2. 2. ,,Refleksione etnokulturore – Izaim Murtezani – Pasqyron çështje të ndryshme që ndërlidhen me një pjesë të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe materiale. Njëkohësisht, në sfondin e saj përmbajtësor mund të vërehen edhe vlerat tjera që kanë të bëjnë me mënyrën e jetesës, mënyrën e realitetit objektiv nga paraardhësit tanë mitik dhe tentohet nga ana e autorit të dekodohet përmbajtja e disa ritualeve, praktikave magjike, e narracioneve popullore në kontekst të kohës së ekzistimit të tyre. Një libër që duhet të lexohet!
  3. Libri i tretë i përzgjedhur është i një natyre krejtësisht tjetër nga ai i ashtuquajtur letrar. Bëhet fjalë për librin ,,Diplomacia” – Henry Kissinger – libër që na paraqet një reflektim mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të së shkuarës dhe të tashmes. Kemi të pasqyruara pozitat e shumë shteteve, me fokus SHBA-të, shtetet Evropiane si dhe shtetet tjera të botës. Fillon me një pasqyrim të ngritjes së SHBA-ve, duke filluar nga presidentët si: T. Ruzvelt dhe U. Uillson, i ndjekur nga koncepti i shteteve Evropiane, duke përfshirë marrëdhëniet e tyre në situata të ndryshme gjeopolitike. Paraqiten ndërhyrjet e Amerikës, shkaqet dhe pasojat, si dhe pozicionimi i saj kundrejt fuqive tjera botërore. Përshkruhen ngjarjet më të rëndësishme rreth formulimit të rendit botëror si dhe përmban një kronologji të madhe të dhënash shumë të rëndësishme historiografike. Ja vlen të rreshtohet në mesin e librave të lexuar!

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, të kesh një shpirti artisti dhe atë ta shprehësh nëpërmjet poezisë, do të thotë të jetosh brenda një bote, në të cilën vallëzojnë fjalët më të bukura. Ju si një e tillë, cilat vepra do tia sugjeroni lexuesit duke marrë edhe ato që tani i (ri)lexoni ?

Ass. mr. Vjollcë BERISHA: Poezia i flet drejtpërdrejtë zemrës së njeriut. Nuk është e lehtë të flasësh për të. Të duhet mjaft kohë, e sërish nuk mund ta shpjegosh. Koha e karantinimit më ka bërë mirë, kam lexuar edhe vepra voluminoze, të cilat sigurisht duan më tepër kohë e disa të tjerave edhe u jam rikthyer. Për lexuesin fisnik do t’i sugjeroja të mëposhtmet:

  1. “Princi i vogëlAntoine de Sanit-Exupery – Mendoj se bën pjesë tek ata libra që e mbajnë pezull kërshërinë e lexuesit dhe i japin hov të jashtëzakonshëm imagjinatës së tij, duke vënë mënjanë edhe një grumbull mendimesh mbi filozofinë e jetës dhe gjërave të shtrenjta të saj. Ky libër është diçka që shkon e vjen sa te bota e të vegjëlve, e sa tek ajo e të rriturve. Kështu thonë pothuajse të gjithë dhe kështu do ta ndjejë edhe ai që do ta marrë në duar. Do t’ia qëllonim më shumë nëse do të thoshim se ky nuk është një libër për fëmijë, por libër për fëmijën brenda nesh. Atë fëmijën e parritur kurrë. Përmes rreshtave të tij e masim mirë se sa është ruajtur e sa bjerrur ai fëmijë në ne dhe ndjejmë keqardhje për të. Princi i vogël është ai djaloshi nga asteroidi B612 që thotë gjëra të mëdha në një mënyrë të thjeshtë, siç i shprehin zakonisht vocërrakët idetë e tyre mbi botën. Ai, përbri kësaj thjeshtësie sjell konkluzione të urta të rriturish, siç është bie fjala mendimi: “Është fare e thjeshtë: vetëm zemra sheh mirë. Thelbi për sytë është i padukshëm”. Vështrimi që ia bën ai miqësisë, dashurisë dhe humanizmit, si dhe toni i butë e me përkëdheli i rrëfimit, e fut në një botë magjike, gjysmë përrallore cilindo që rreket t’i qaset në derë, duke ia dalë kështu të bëhet përralla e parë ndërplanetare dhe futuriste e fondit të letrave. Shkrimi i kësaj vepre ka qenë për autorin një lloj sfide e politikës që kishte prodhuar luftën dhe një përpjekje për ta kapërcyer dimensionin banal të saj, duke e idealizuar njerëzimin si kategori jopolitike dhe vlerat e përhershme humaniste të tij, pse jo edhe fëmijërore?!
  2. “Frymë të vdekura” – Nikolai Gogol – “Një libër ku komiken nga kozmikja e ndan vetëm një shkronjë” – Secili që e merr në dorë përfshihet në atë rrëfim që rrjedh, në atë humor lehtësisht thumbues, i cili është brisku që e hap për një ekspertizë tërësore trupin e shoqërisë ruse të shekullit XIX, por që njëkohësisht shpërfaq edhe atavizmat e shoqërisë njerëzore në përgjithësi. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë i vezullojnë vlerat kësaj vepre ko(z)mike, që në shqip ka ardhur përmes mjeshtërisë gjuhësore të Dhimitër Paskos. Çiçikovi është heroi kryesor i kësaj vepre, i cili është një ish-nëpunës dogane, që dëshiron të rihyjë në shoqëri duke blerë frymë të vdekura nga çifligarët. Kërkimi i këtyre bujkrobërve të vdekur, procesi i blerjes, thashethemet që u përhapën në sallonet e mbrëmjeve për pozitën e lartë shoqërore të Çiçikovit, situatat e ndryshme që Gogoli i jep me plot humor e që ne na duken gjithnjë e më të afërta, gjithnjë e më të njohura, e bëjnë këtë vepër të rrijë në bibliotekë krah për krah me veprat e mëdha, si: “Don Kishoti”, “Ushtari i mirë Shvejk”, “Goja e kalit” etj. “O sa e trishtë është Rusia jonë” ka thënë Pushkini pasi e ka lexuar në dorëshkrim këtë vepër. Duket paradoksale të zërë vend trishtimi në këtë tekst që të bën kaq herë për të qeshur. Por mu këtu qëndron magjia e kësaj vepre, ku midis vezullimit të humorit, feks vetëtima e trishtimit nga e vërteta e parë në dritë të diellit. Thashethëna në rrethet e shtresës së lartë të shoqërisë se Çiçikovi na qenkësh milioner, e ngjyrosi personazhin e tij, e bëri më të pashëm, më trim, më të ditur e më joshës në sy të të gjithëve. Jo pesha e qeses, por edhe vetëm fjala u krijon ndezulli njerëzve që, ndonëse e dinë se s’kanë për të përfituar gjë nga këta miliona, i qepen pas dhe duan ta kenë vëmendjen e tij. A s’na duket e njohur kjo?!
  3. “Gjenerali në labirintin e tij” – Gabriel Garcia Marquez – Roman mbi (p)lojën e pushtetit dhe kohës – Është kjo historia tragjike, e ditëve të fundit të gjeneralit Simon Bolivar, i cili pati luftuar 15 vjet për çlirimin e Venezuelës, Kolumbisë, Bolivisë e Perusë nga dominimi spanjoll e më pastaj kishte udhëhequr me republikën e kombeve edhe për 15 të tjera. Autori përqendrohet në ditët e fundit të jetës së Bolivarit, në raportet e tij me pushtetin, me miqtë, dashakeqët, të kaluarën dhe historinë. I plakur para kohe, me pushtetin e lënë, me peshën e rëndë të ditëve të shuara në supe, ai udhëton plot melankoli përgjatë lumit Magdalena, duke vizituar sërish qytetet, duke ripërjetuar triumfet, pasionet, tradhtitë në jetën e tij. Përmes figurës së Gjeneralit, Markezi jep lidhjen e përjetshme që ka njeriu me pushtetin e dikurshëm, pengjet e pendimet që e kaplojnë atë sa herë vendos t’i jap fund, ndjenja këto që e kishin bërë edhe Gjeneralin të rikthehej disa herë, ndonëse kishte premtuar se po ikte. Ky sindrom pushteti e bënte të tundohej prapë për kthim, por sëmundja dhe vdekja qenë më të forta. Shqipja në të cilën flet Markezi përmes mjeshtërisë gjuhësore të B. Shehut është një vlerë e shtuar në kënaqësinë e leximit të këtij libri.

VAZHDON….

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button