Me ç’libra në duar i gjetëm profesorët e UT-së në kohën e karantinimit? (5)

(Intervista e mëposhtme, për Portalb, u realizua nga Adelina XHAFERI, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe me profesorët e këtij programi)

Adelina Xhaferi

Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, ju pjesën më të madhe të kohës e kaloni në lexime dhe studime të hollësishme në fushë të gjuhësisë. Por, jemi të bindur se ndoshta vidhni” pak nga ajo kohë për të lexuar edhe ndonjë vepër artistike, përkrah atyre shkencoreve. Cilat vepra do ti sugjeroni ju për lexuesin e sotëm, përfshirë edhe ato që së fundmi i keni në duar?

Prof. dr. Berton SULEJMANI: Po! Është e vërtetë kjo. Meqë po merrem më tepër me këtë fushë, koha ime më e madhe kalon duke lexuar libra të kësaj natyre. Për lexuesin po i jap si sugjerim dy vepra shkencore, si dhe një vepër artistike, e cila lë mbresa të mëdha për mënyrën e rrëfimit të hollësishëm.

  1. “Kronikë në gur” – Ismail Kadare – Në roman shkrimtari ynë duke qenë vetë tregimtar, përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës, tetë vitet e para të jetës së tij. Përshkrimi i rrugëve, pjerrësia marramendëse e tyre, prania e gurit, banesat e çuditshme, të mëdha e të fortifikuara, kështjella-burg etj., veç Kadare di që t’i stërhollojë aq bukur. Tjetër që më ka nxitur të zgjedh këtë roman, është edhe gjuha në veprat e Kadaresë. Ky roman më bëri që t’i thelloj disa studime që i kisha filluar më herët rreth funksionit sintaksor të lidhëzës ndërsa, e cila kryen dy funksione sintaksore në fjali. Funksioni përqasor i saj ka përdorim më të dendur në arealin gegë, ndërsa ai kohor, në atë toskë. Ky gjeni i letrave shqipe, e përdorë në të dy funksionet (që nuk ndodh te secili shkrimtar yni). Pra, gjuha e veprës së tij është gjithëpërfshirëse. Madje, gjuha e veprës së Kadaresë në të ardhmen mund të jetë, pse jo, bazë e ndryshimeve/plotësimeve që do t’i ndodhin gjuhës standarde shqipe, siç i kanë ndodhur, po i ndodhin e do t’i ndodhin secilës gjuhë, përkatësisht, secilit komb të qytetëruar. Këtë ide, për herë të parë, e kam bërë publike në konferencën shkencore “Shqipja e sotme dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera” që e organizoi Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren.
  2. Duke e pasur vokacion timin, sintaksën e gjuhës shqipe, zgjodha veprën shkencore të Mehmet Çelikut “Sintaksë e gjuhës shqipe (përbërësit sintaksorë)”. Është libër me vështrim të ri teorik të ndërtimit sintaksor të gjuhës shqipe. Njëherazi, është edhe vepër urëkaluese nga sintaksa tradicionale tek ajo e përbërësve sintaksorë. E veçanta e këtij libri shkencor, është edhe kujdesi i profesorit Çeliku për t’i ruajtur e kultivuar termat shqipe në vend të termave të huaj, siç ndodh me zëvendësimin e sintagmës me përbërës etj.
  3. “Gjuha shqipe dhe historia e saj” Shaban Demiraj – Kjo vepër është një sintezë e studimeve për gjuhën shqipe. Duke filluar nga prejardhja e shqipes, karakteri indoevropian i saj, hipotezat e prejardhjes ilire të shqipes, huazimet e ilirishtes nga greqishtja e vjetër e latinishtja, shqipja dhe gjuhët e Ballkanit, bashkëpërkimet me rumanishten, emërimet e shqipes ndër shekuj etj. Pra, me këtë vepër, ju studentët e mi, por edhe të tjerët që duan të mësojnë për historinë e gjuhës shqipe, e keni shumë të lehtë. Krahas një studimi serioz që ka bë në këtë vepër, akademik Demiraj dëshmon se di të bëj libër, të sistemoj gjërat në mënyrë të kapshme për gjithsecilin.

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, edhe ju i përkisni fushës së gjuhësisë. Përkushtimin më të madh për lexime e keni në veprat që i përkasin kësaj fushe. Por, si çdo profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe edhe ju gjeni kohë për të lexuar vepra artistike, përkrah punës që bëni. Për lexuesin e sotëm cilat vepra do ti sugjeroni, mbështetur edhe në leximet tuaja gjatë kohës së karantinimit?

Prof. dr. Zarije NUREDINI: Po, merrem me çështjet e gjuhës, kryesisht me Morfologjinë e gjuhës shqipe. Lënda konsiston në formimin e dijeve sa më të thella nga gramatika. Tani i jetojmë ditët në vrullin e pandemisë, të detyruar të lëvizim me kufizime vetëm për nevoja parësore. Vetëizolimi na dha të kuptojmë miqtë e vërtetë, që jam mirënjohëse për dashurinë dhe kujdesin e tyre pa pritur asgjë në kthim. Nga ditët në vetëizolim marr kohë për lexim, andaj, përveç materialit shkencor që shfrytëzoj për përgatitjen e ligjëratave për mësimin online me studentët e mi të cilët janë të mbyllur si unë, kohën tjetër e shfrytëzoj maksimalisht për lexim (p.s. edhe në letërsi çdo gjë është gjuhë), filma etj., dhe nuk mund të ankohemi se nuk kalon koha. Po corona nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe jeta do të kthehet aty ku e kemi lënë. Mbase më kërkuat përshtypjet e mia për librat e lexuar gjatë kësaj kohe, do të veçoja:

  1. Simfonia pastorale” – Andre Gide Është një nga ato vepra që krijojnë paqe të çuditshme në shpirtin e atij që e lexon. Përkimi i titullit me njërën nga simfonitë e Betovenit, ka të ngjarë që nxit brenda lexuesit atë qetësinë e veçantë që mund të japë vetëm muzika. Romani më tepër se një histori dashurie që zhvillohet padiktueshëm nga miqësia e afërt, është roman mbi mirësinë, bujarinë dhe shndërrimin e njeriut në një strehë të madhe për tjetrin. Simfonia pastorale është nga ata libra që të zgjojnë dhe të lënë për një kohë të gjatë shijen se ke lexuar diçka të bukur.
  2. Novelat e Çehovit – Janë krijime të shkurtra, të cilat më bëjnë t’u kthehem gjithmonë. Është sharmi i rrëfimit dhe mprehtësia me të cilën autori e sheh dhe e përshkruan botën, ajo që e ka tërhequr lexuesin e kohës së Çehovit e që e tërheq edhe lexuesin bashkëkohor. Me sigurinë e atij që e di se tjetri s’ka për t’u zhgënjyer, ju ftoj ta lexoni në tërësi veprën e këtij gjeniu të letrave që e tregoi jetën ashtu siç është, me të gjitha hollësitë, çudirat dhe rëndomtësitë e saj.
  3. Shpirt pezull” – Margaret MazzantiniVepra ka elegancën dhe sensualitetin e romanit italian. E shkruar nga një autore femër, vepra arrin të shpalosë para lexuesit një botë të kompletuar gruaje, edhe kur ajo vuan, edhe kur dashuron, edhe kur thjesht i jepet jetës. Historia e dashurisë dhe pasionit të Italias me personin që e rrëfen ngjarjen është linja kryesore e romanit, përmes së cilës degëzohen një sërë konfliktesh romaneske dhe hapen rrugë për reflektime të ndryshme gjatë leximit. Vepra lexohet si një lutje e gjatë mashkullore për tri gratë e rëndësishme të jetës së tij, si një lutje e gjatë që dhemb.

VAZHDON….

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button