Me ç’libra në duar i gjetëm profesorët e UT-së në kohën e karantinimit? (3)

(Intervista e mëposhtme, për Portalb, u realizua nga Adelina XHAFERI, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe me profesorët e këtij programi)

Adelina Xhaferi

Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, po të ndalemi në studimet tuaja, shohim se për trajtim keni marrë kryesisht letërsinë shqipe për fëmijë (prozë/poezi). Nga leximet tuaja, cilat vepra ju kanë lënë mbresa e ju shoqërojnë gjithmonë, qoftë edhe për ndonjë segment të vogël? Cilat vepra i keni në duar këto kohë karantinimi e që do ti sugjeroni edhe për lexuesin?

Prof. dr. Shefqet ZEKOLLI: Libri ka ndikim pozitiv në orientimin, edukimin dhe argëtimin e njeriut, posaçërisht sa ai është i ri. Ai të fisnikëron mendjen dhe shpirtin. Kjo mbyllje jona në këtë kohë më ka detyruar t’u rikthehem disa veprave, për ta kujtuar edhe kohën time të studimeve e disa të tjera t’i lexoj për herë të parë, ngase një jetë nuk mjafton për t’i lexuar të gjitha. Ndoshta lexuesit të kohës do t’i hyjnë në punë këto tituj:

1.“Nga jeta në jetë – Pse?– Sterjo Spasse – Kah fundi i viteve ’60, atëherë kur isha regjistruar në shkollë të mesme dhe kur lexoja çka do të më binte në dorë, gjeta edhe këtë roman filozofik. Për të flitej se “bën çudira” dhe se është “i rëndë” për t’u  lexuar. Unë u rrita me këtë roman dhe me veprat tjera të këtij autori. Edhe sot i kthehem, ngase përpos personazhit të veçantë për nga paraqitja e tij përballë shoqërisë së kohës, me të më lidh edhe kujtimi mbi të kaluarën time.

  1. Nga letërsia botërore do të veçoj sidomos veprat e Shekspirit, si: “Makbeth” dhe “Hamleti”. Dy vepra madhështore, të cilat për nga tema kanë pushtuar botën e lexuesve, duke e vënë atë përballë pikëpyetjeve të shumta e të pazgjidhshme. Në kohën kur unë isha ende në shkollë të mesme përkthimi i këtyre veprave ishte nën thjerrëzën e pushtuesit të atëhershëm, por ne sërish i lexonim edhe fshehtas. Ndoshta kjo më ka bërë që të lidhem tepër me to.
  2. “Dimri i vetmisë së madhe” – Ismail Kadare – Një roman mbresëlënës, të cilin së fundmi e kam sërish në dorë, jo duke u mbështetur vetëm në talentin e autorit të shfaqur që në hapat e para krijuese, por edhe për temën që trajtohet në vepër. Pra është ngjarja e madhe historike, shkëputja e shtetit shqiptar nga kampi sllavo-komunist. Romani ka plot shtresa personazhesh dhe vetëm një bërthamë- shkëputjen shqiptare nga Moska, të cilën njëra ndër personazhet e quan “shenjë të bekuar”. Romani ka pjesë interesante që janë mjaft nxitëse për t’i shkuar deri në fund.

Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, ju i përkisni fushës së gjuhësisë dhe leximet/studimet tuaja lidhen me këtë fushë. Por, të qenit profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe do të thotë të jesh në çdo kohë i rrethuar si me libra gjuhësie, ashtu edhe me libra letërsie. Nga kjo e fundit, cilat vepra do ti sugjeroni për lexuesin, qofshin edhe ato me cilat ju ka gjetur ky karantinim?

Prof. dr. Izmit DURMISHI: Ç’është e vërteta Adelinë, në kohën kur lexonim letërsi, nuk dinim të mbanim shënime dhe pothuajse çdo gjë na ka shkuar në harresë. Kohën e fundit jam përkushtuar më tepër në një studim timin dhe ndonëse po merrem me gjuhësi gati dy dekada, për lexuesin po i sugjeroj këto tituj veprash, me të cilat ai do ta kalojë më lehtë këtë kohë të vështirë:

  1. “Dantja i pashmangshëm” – Ismail Kadare – Një histori e shkurtër e Shqipërisë me autorin e “Komedisë hyjnore” D. Aligierin. Vepra synon të ketë për temë boshte leximin e saj edhe në vende ku ishte e ndaluar. Vet Firenca e kishte dëbuar autorin nga vendlindja, ngase vepra në fjalë ishte kumti më i fuqishëm, i cili pasqyronte revoltën kundër padrejtësive që ushtronte pushteti i atëhershëm italian ndaj masës popullore. Kadare i dha kahen meritore kësaj vepre të madhe. Ai shtroi në vepër se Dantes nuk mund t’i iket dot, ashtu siç nuk mund t’i iket dot as ndërgjegjes.
  2. “Kështjella” – Franz Kafka -Në të autori trajton përpjekjet që bën njeriu për ta njohur botën enigmatike që e rrethon. Me urdhrin e nuk e dimë se kujt, kryepersonazhi i veprës, gjeometri K., e braktis atdheun, gruan, fëmijët dhe niset nëpër mot të lig e rrugë të parrugë, si në ndonjë përrallë të lashtë, për të gjetur diku një kështjellë, që është personifikim i të panjohurës, i asaj që gjithnjë nxit kërshërinë, shpresën dhe premton lumturinë. Një lloj errësire për kryeheroin e veprës është ajo që kërkon, që synon, ajo për të cilën ka sakrifikuar gjithçka. Autori sikur dëshiron t’i tërheqë vërejtjen kryeprotagonistit se, në çdo rrugë që ndjek dhe në çdo punë që kryen, rolin primar e ka vetëdija e njeriut.
  3. “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj” – Karl Popper – Flet për intelektualë të mëdhenj dhe rolin që luajnë ata në masë. Autori me gojën plot flet edhe për gabimet e mëdha të tyre; rrëfen disa raste të njerëzve të tillë, të cilët në të kaluarën mbështetën sulmin e vazhdueshëm mbi paqen dhe arsyen. Ndikimi i tyre, që u sfidua shumë rrallë, vazhdon t’i drejtojë gabimisht udhëheqësit, mbi të cilët mbështetet mburoja e qytetërimit dhe po ashtu vazhdon t’i ndajë të njëjtit edhe në kohën tonë. Përgjegjësia për këtë ndarje tragjike bëhet edhe jona, nëse hezitojmë të shprehim kritikën tonë për njerëzit që na udhëheqin keq, pohon autori.

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, ajo që dimë për ju është studimi i hollësishëm që ua bëni veprave, duke u ndalur në pika mjaft tërheqëse e që njëherë kërkojnë edhe përgatitje paraprake. Po tju pyesim se çlibra në duar keni këtë kohë, jemi të bindur se do të na përmendni jo vetëm ata që lidhen me letërsinë, por edhe libra të natyrave tjera. Po për lexuesin e sotëm cilat vepra do ti jepni si sugjerim?

Prof. dr. Emine SHABANI: Po të ndalemi në atë se me ç’libra më gjeti ky karantinim i vështirë për të gjithë dhe se në ç’strehë leximi isha futur mund të përmendi shumë tituj, përfshirë aty libra letërsie, psikologjie, filozofie, libra teologjikë etj, ngase nuk mund të them se më plotësojnë vetëm ato të fushës për të cilën jam e përcaktuar. Në të gjitha mundohem të gjejë një mes të artë, ta marr energjinë e jashtëzakonshme dhe ta shoh bashkëveprimin e tyre. Por, për lexuesin e sotëm do t’i jap vetëm të mëposhtmet, me bindjen se do t’ia bëjnë më të lehtë këtë kohë:

  1. “Orestia” (trilogji)- Eskili dhe “Ifigjenia në Aulidë” – Euripidi – Pjesa e parë e trilogjisë, Agamemnoni nis me përshkrimin e rojtarit që fle mbi çati për të parë shenjën e fitores, zjarrin që duhej të dilte nga Mali i Idës nga Troja. Spontanisht rrëfimi kalon te nisja e anijeve akeje për në luftë, për ta kthyer Helenën e bukur, por deti nuk ka valë. Sipas Kalkas, priftit orakull, Artemisa kërkon sakrificë dhe kurban duhet të jetë vajza e Agamemnonit, Ifigjenia. Ky çast është mjaft interesant. Flijimi ishte kod zakonor popullor edhe pse bëhej për perënditë dhe në këtë rast duhej të flijohej Oresti, por Agamemnoni e flijon vajzën, sepse pasardhësit e fronit duhej të ishin djemtë. Ky akt e zemëron Klitemnestrën dhe të tri pjesët e trilogjisë funksionojnë mbi parimin shkak-pasojë. Skena kur Agamemnoni vendos të flijojë Ifigjeninë është ndër më tronditëset. Kjo na kujton flijimin e gruas në Kalanë e Rozafës. Sipas Eskilit, Ifigjenia flijohet, ndërsa sipas Euripidit, në çastin kur Artemisa u bind në besnikërinë e Agamemnonit, e ngriti Ifigjeninë dhe flijoi një sorkadhe. Secila pjesë të ngërthen brenda vetes duke të detyruar ta pranosh siç është.
  2. Bibla, Talmudi, Kurani (libra teologjikë) – Natyrisht librat e shenjtë kanë në vete parabola, metafora e alegori që duhet kuptuar tërthorazi/në mënyrë ambivalente, andaj përzgjodha edhe këto për sugjerim. Kjo mënyrë zhvillon mendimin abstrakt te njeriu dhe vlera e tyre për mendimin tim është e jashtëzakonshme. Besimi në Krijuesin e gjithësisë dhe urtësia e mençuria e tij gjendet kudo, në natyrë, në krijesat e gjalla dhe ata jo të gjalla, si dhe te trupi e sidomos truri i njeriut që çdo ditë na befason me mistere të ndryshme !
  3. Vepra distopike nga George Orwell dhe Aldous Huxley – Analiza krahasuese e veprave rrjedh nga ngjashmëritë dhe dallimet midis tyre me një përqendrim në studimin e filozofisë së rregullit të masave. Në romanet e Orwell-it, analiza përqendrohet në sadizmin e njerëzve që sundojnë me masën, duke përdorur metoda psikologjike që shkaktojnë frikë dhe makth, ndërsa te Huxley strukturat qeverisëse manipulojnë me masat, duke u dhënë atyre droga sintetike e ilaçe të ndryshme që i bëjnë të disponuar e të lumtur. Në vepra mbizotëron ideologjia totalitare, e cila, nëse e shohim hulumtimin e Frojdit, prapaskena e tyre psiko-analitike është një gjendje psikopatologjike, pasojë e fëmijërisë së hershme të pushtetarëve, e individualitetit të parealizuar dhe formimit jo të shëndetshëm në fazën e pjekurisë emocionale (0-6 vjeç), e cila lë pasoja të rënda për njerëzit, nëse nuk trajtohen.

VAZHDON….

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button