Me ç’libra në duar i gjetëm profesorët e UT-së në kohën e karantinimit? (2)

(Intervista e mëposhtme, për Portalb, u realizua nga Adelina XHAFERI, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe me profesorët e këtij programi)

Adelina Xhaferi

Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, pothuajse gjithë jeta juaj ka kaluar duke u marrë me  poezi. Poezitë tuaja shprehin ndjenja mjaft të forta. Për këtë si gjithë të tjerëve, edhe juve për të arritur deri këtu ju është dashur një lexim i madh paraprakisht. Po për lexuesin e sotëm, cilat vepra do ti sugjeroni, mbështetur edhe në ato që i keni nëpër duar këto kohë?

Prof. dr. Ejup AJDINI: E nderuar, me krijimtari poetike merrem më tepër se dy dekada, duke dashur që me të, të shpreh një botë ndryshe nga realja; botë, të cilën do ta kuptojnë vetëm njerëzit me ngritje morale, intelektuale dhe estetike, ngase këtë qëllim ka arti. Ka shumë vepra që në periudha të ndryshme të jetës më kanë lënë mbresa të mëdha dhe që i kam rilexuar disa herë, por për lexuesin do t’i veçoja veprat, të cilave u jam rikthyer kohës së fundit:

1. “Lumi i vdekur”Jakov Xoxa – Nuk ka gjë më të bukur se të arrish të përshkruash fatin e familjeve shqiptare (familja e Shpiragajve dhe e Tafilajve) në hollësi, përballë padrejtësive të shumta, dhe nga to të nxjerrësh personazhe që e mohojnë realitetin e që nisen për një jetë më të ndritur. Janë fatet e dy familjeve të romanit në fjalë ato që e bëjnë lexuesin të rendë pas tyre, ta dëshirojë fitoren për guximtarët dhe ta pohojë dashurinë e të rinjve (Adilit dhe Vitës) edhe pas mbarimit të romanit. T’i ndjekësh ato në çdo faqe është si ta ndjekësh fatin tënd, fat të njëjtë me çdo shqiptar tjetër.

2.“Hamleti”William Shakespeare – Gjithmonë më kanë lënë mbresa krijimet e Shekspirit. Aty ka një frymë ndryshe, personazhet sa janë pjesë e përditshmërisë sonë, aq janë edhe të panjohur për ne. Kur e them këtë, gjithmonë mendoj në pikat e tyre vepruese. Të tillë e kemi edhe Hamletin, njeriun me dilema të mëdha, të trashëguara edhe në ne, ndonëse kohërat janë të ndryshme. Sa herë që e merr në dorë këtë vepër, mendon se do të zbulosh të vërtetën dhe se do të jesh më i qetë. Por ndodh e kundërta, ai të shtonë edhe një dilemë tjetër.

3. Antigona” – SofokliuJanë të shumta veprat letrare, të cilat na njohin me protagonistin që në titullin e tyre. E tillë është edhe “Antigona”, tragjedia e Sofokliut, gjeniut të artit antik grek. Guximi i saj që të varrosë vëllanë e vet edhe përkundër urdhrit të mbretit që ai të mbetet i pavarrosur, tregon për një trimëreshë të madhe përballë ligjeve të kohës. Për të më e rëndësishme ishte plotësimi i detyrës ndaj një të vdekuri, edhe pse u viktimizua, se sa të ishte robëruese e ligjeve mbretërore. Kjo njëherë është edhe ideja e veprës. Shpirti i protagonistes e bën veprën të paharrueshme. Të mos i nënshtrohesh të fortit do të thotë të jesh vetë një i tillë. E mora sërish në duar këtë vepër ngase është e pazëvendësueshme.

Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, studimet që ju i keni sjellë përpara lexuesit japin një frymë ndryshe nga ajo që jemi mësuar të lexojmë. Aty shohim gjëra të reja, të cilat i sillni me një trajtim të ri. Shpesh thoni se nuk bëni pjesë në brezin e poetëve ose prozatorëve, por po të ndalemi në disa nga krijimet tuaja shohim se kanë një lirizëm të fortë. Për ta arritur këtë, ju është dashur lexim i ditëpërditshëm që nga mosha e fëmijërisë. Nga ajo moshë cilat vepra kanë pasur ndikim të madh te ju e që njëherë ju kanë motivuar të bëheni edhe profesor letërsie? Do të na thoni edhe diçka lidhur me atë se me çvepra ju gjeti ky karantinim?

Prof. dr. Fatmir SULEJMANI: Komentin për studimet e mia po ua lë lexuesve, ndërsa vetë po ndalem në pyetjet tuaja. Kam shkruar edhe herë të tjera për veprat që kanë përcaktuar rrugën time jetësore, që më kanë motivuar të bëhem mësues letërsie. Sebepi i parë i kësaj rruge u bë vëllai im i madh, që në rininë e tij ishte lexues i pasionuar i romaneve aventuristike. Duhet të kem qenë klasa e pestë a e gjashtë, kur ai më nxiti të lexoj romanet të cilat do t’i përmendi më poshtë. Pas leximit të tyre, letërsia u bë jeta ime. Efekti i parë i këtij “infektimi” ishte ngjallja e dëshirës për leximin e librave të ndryshëm dhe bërjen e një biblioteke personale. Natyrisht, asokohe nuk e kisha as idenë elementare për llojet/ zhanret letrare dhe nuk e dija se kisha lexuar dy-tre libra që përbënin kajmakun e prozës narrative botërore. Thjesht: i lexoja si përralla, pa qenë në gjendje të komunikoj me shtresat abstrakte/ të nëntëshme kuptimore. Andaj, për lexuesin e kohës do t’i ndajë veprat që më shtynë t’i nisesha rrugës së mësuesisë e të letërsisë:

1.“Konti i Monte Kristos”Alexandre Dumas – E kam lexuar shumë herë gjatë rinisë së hershme, pa u ngopur kurrë me historinë e letrarizuar të heroit fatkeq Edmond Dantesit, i cili u burgos ditën e martesës me akuzën për tradhti dhe u bë pre e shpifjeve të kriminelëve, që donin t’ia marrin pasurinë dhe gruan e bukur. Romani në fjalë është sagë epike mbi dashurinë, drejtësinë, urrejtjen dhe hakmarrjen, e shkruar me fantazi të bujshme dhe me dialogë të gjallë, që e bëjnë për vete edhe lexuesin më indiferent.

2.“Udhëtimet e Guliverit”– Jonathan Swift – Është satirë politike, që ka për hero marinarin Guliver, anija e të cilit fundoset, ndërsa ai papandehur gjendet në ishullin e çuditshëm të popullit të liliputëve, njerëzve me përmasat e pëllëmbës së Guliverit. Mua në veçanti më bëri për vete pjesa e romanit kur Liliputët e dërgojnë Guliverin te mbreti, i cili fillimisht e burgosi, po pastaj e lëshoi të kthehet në shtëpi, pasi ai (Guliveri) u ndihmoi të fitojnë një betejë detare me kundërshtarët e tyre. Siç ju thashë më lart, në kohën kur e lexova për herë të parë nuk e dija se romani i këtij autori ishte vepër alegorike, që thumbon me mjeshtri të rrallë marrëdhëniet ndërnjerëzore në shoqërinë angleze të shek. XVII.

3. Para tyre, hiq lektyrat shkollore dhe librat me ilustrime, kisha lexuar tri vëllimet e vogla me titullin “Tregime nga Shekspiri” të përshtatura për mosha të reja nga Charles & Mary Lamb, prej të cilëve më la pa frymë “Otello”, vepra që përcaktoi pasionin kyç dhe profesionin tim jetësor. Është njëra nga tragjeditë më të mira të dramaturgut të madh anglez, Shekspirit. Ajo flet për gjeneralin arap të Venedikut – Otellon, i cili martohet me Desdemonën, bijën e një senatori, përkundër refuzimit kategorik të tij. Pas një kohe, Otello i sinqertë dhe naiv njëkohësisht bie në grackën e nënoficerit Jago, që shpifte se e shoqja po e tradhton me mikun e tij Kasin. Kaq u desh që Otello ta mbysë Desdemonën, për ta vrarë më pas dhe veten, kur kuptoi mashtrimin e Jagos.

Po ndalem pak edhe në veprat që lexoj gjatë këtyre ditëve të qëndrimit të detyrueshëm në shtëpi. Në fakt, në 40 ditët që lamë pas, kam rilexuar vepra të rëndësishme, që gjithsesi meritojnë të lexohen edhe prej të tjerëve. E fillova me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të J. Buxhovit, ngase në të janë thënë shumë gjëra me të cilat ballafaqohet sot njerëzimi, ndërsa më pas rilexova me shumë qejf studimet e jashtëzakonshme të akademik Sh. Sinanit:“Camaj i paskajuar” dhe “Hieronymi në botën arbëreshe”. Pjesën e mbetur të kohës jam preokupuar me përfundimin e librit “Për letërsinë”, të cilin shpresoj ta botoj gjatë këtij viti.

VAZHDON….

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button