Mustafi:Skulpturën e Adem Jasharit e bëra si ma kërkuan

Në opinion bujë të madhe bëri skulptura e Adem Jasharit e shpalosur ditë më parë në fshatin Radushë të Tetovës. Pas kakofonisë së medieve maqedonase si dhe disa analistëve shqiptarë duke kritikuar përmasat dhe simbolikën e Jasharit, më në fund ekskluzivisht për Portalb ka folur skulpturori i saj, Selam Mustafi.  

Ky  67 vjeçar thotë se vetëm ata që nuk e kuptojnë artin, kritikojnë, sipas tij, me prapavijë dhe pa qëllime të mira. 

“Nuk e di a ka prapavijë pas shkrimeve kritike që dolën sepse nuk kishin ndonjë kriter profesional por gjëra banale që nuk më japin asnjë orientim se ku kam gabuar, i pranoj kritikat pozitive por këtu nuk kisha ku të kapem prandaj dhe kam heshtur. Këto që u thanë janë ngatërresa politike kurse unë kam tentuar të bëj një Adem Jashari në Maqedoni, të gjallë, të lëvizshëm, jo-statik, promotor i lëvizjes çlirimtare shqiptare. Për mua si artist është shumë me rëndësi simbolika dhe mu këtë ma kërkoi Këshilli Organizativ për festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, financuesit e projektit” thotë Mustafi për Portalb.
Ai nuk dëshiroi ta shpalosë shumën e parave që ka marrë për punimin e të njëjtit, por siguroi se është për një të tretat më pakë se skulpturat e projektit Shkupi 2014 që kushtojnë mbi 80 mijë euro. 

PORTALB: Pse thuhet se dora e Adem Jasharit është kërcënim ndaj Shkupit dhe pse pikërisht në Radushë u bë shtatorja e tij?

“Dora e Adem Jasharit nuk është dorë që kanoset. Simbolikën e dorës e kam lënë që vetë ta gjejnë njerëzit, ta gjejë njeri i rëndomtë sepse skulptura nuk bëhet vetëm për shtresën intelektuale.  Shkupi ka qenë dhe është shumë i rëndësishëm për shqiptarët. Gjatë konfliktit të 2001-shit ushtarët e UÇK-së kërcejnë dhe i marrin tanket e forcave të armatosura të maqedonasve të cilat kanë qenë dy. Këtë ndodhi të marrjes së tankeve me duar të thata, me armatim të lehtë, nuk e kemi hasur askund tjetër dhe nuk ka qenë punë e vogël. Dhe kjo simbolikë dhe vendi ku ka ndodhur ngjarja deshëm mos të harrohet” sqaron Selam Mustafi.

PORTALB: Po këmba e ngritur lartë?
“Është e pazakontë në art të bëhet njëra këmbë lartë dhe njëra poshtë. Kjo i jep efekt, gjallëri, se ai nuk është i robëruar, i ngjitur për baze por është në lëvizje, është promotor i lëvizjes së UÇK-së. Materiali i tankut është tjetër ndërsa përmendorja ka material tjetër dhe kjo ndoshta tani nuk vlerësohet lartë dhe quhet kiç por në të ardhmen besoj që e njëjta do të vlerësohet shumë” shpjegon Mustafi.

                                             Bisedë me Selam Mustafi-n

PORTALB: Po çfarë thoni në komentet se proporcionet e tij janë shumë të vogla? Pse e keni paraqitur atë pa mjekër kur të gjithë e dimë se ai ka pasur shumë leshra në kokë dhe fytyrë?

“Mua më thanë ta bëj pa mjekër sepse kur ka qenë në ushtrime në Kukës të Shqipërisë, ka pasur vetëm mustaqe dhe me bashkëluftëtarët e tij u morëm vesh ta kapim këtë hapësirë kohore dhe këtë fizionomi të tij. Dhe për ta punuar këtë fizionomi jam konsultuar me shokë që e kanë parë gjallë dhe kanë pasur kontakt drejtpërsëdrejti me Ademin. Të jini të sigurt se Murat Jashari, ditën e shpalosjes tha se është pikërisht fizionomia e tij si e mban mend ai.

Sa i përket proporcioneve, unë kam shkuar në atë variant që mos duket tanku si lojë fëmijësh në krahasim me figurën. Këtu kam përdorur teknikën e Leonardo Da Vinçit “retruvio” apo të katër gishtave, dhe me to kam lëvizur që të marr proporcionin e duhur” thotë për Portalb, Selam Mustafi.

PORTALB: Po detajet tjera si i komentoni,  se ka gjashtë gishta e se ka pistoletën në anën e kundërt?

“U habita kur i pash spekulimet e medieve për gjashtë gishtat e Jasharit. Kjo është gënjeshtër të nesërmen isha dhe vetë për ti përgënjeshtruar fjalët dashakeqe. Adem Jasharin e kam skulpturuar me pesë gishta dhe kjo është gjë që duket! Sa i përket mbajtjes së pistoletës, simbolika është e rëndësishme se ai gjithnjë ka lëvizur me tre armë por nuk ka qenë oficer rus që t’i mbajë ato në anën e caktuar. Në art lejohen improvizime” tregon skulpturori i Adem Jasharit, shtatore kjo me madhësi prej dy metra e pesëdhjetë centimetrave ndërsa në vete mban mbi 280-300 kilogram rrjetë çeliku si dhe ka cement-krom dhe disa aditive të tjera.
Selam Mustafi thotë se ka punuar me një material dhe teknikë apostafat që e ka mësuar në Dresden, Gjermani. 

“Atë nuk mund ta bësh dy herë, domethënë është rëndë ta modifikosh nëse është bërë gabim. Duhet ta dish fizionominë që në konstruksion, nuk është si glina që përmirësohet” thotë Mustafi i cili më herët ka punuar në trojet Jugollsave, Gjermani dhe Holandë duke bërë skulptura dhe skulptura me enterier. Më të njohura të tij janë Zeusi në Suboticë, Tifoni në Hungari, Ujkonja e Romës në Diseldorf.

Ai shprehet se skulpturë të tillë me atë material  dhe teknikë për kohë aq të shkurtër, 4 muaj sa ka pasur afat ai, nuk mund të bëjë askush në Maqedoni. /Portalb

Shtatorja e Adem Jasharit në fshatin Radushë

Lajme të ngjashme

Back to top button