fbpx

Nuk duhet besuar mediave që nuk e kanë publike autorësinë e teksteve

Burimi: KriThink

Bota e mediave ka ndryshuar shumë me paraqitjen e mediave onlajn dhe vazhdon të ndryshojë çdo ditë e më shumë. Interneti  përfshin një pjesë gjithnjë e më të rëndësishme të veprimtarive tona, të jetëve tona personale e profesionale, të cilat kalojnë çdo herë e më tepër përmes ekranit se sa përmes letrës.

Shkruan: Naile Dauti

Mediat janë në epokën e rishpikjes së vetvetes. Gazetat përdorin video, televizionet shkruajnë artikuj në web, radiot përdorin fotografi në faqet e tyre, pra secili shkel në terrenin e tjetrit. Zgjerimi i informacionit falas, përparësia e internetit që çdo kush që e ndjen veten të aftë për të bërë gazetari mun të kyçet, ka sjellë edhe vështirësitë e veta. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Shoqatat e gazetarëve për  vetë rregullimin e mediave  onlajn dhe respektimin e parimeve gazetareske, shkelja e të njëjtave nuk mungon.

Mungesë e autorësie në artikujt e mediave onlajn

Shumëfishimi i mediave onlajn dhe zhvillimi teknologjik po sjellë gjithnjë e më tepër një gazetari pa atë hierarkinë që duhet ta ketë një institucion që të mirë funksionojë. Kjo nënkupton që çdo ditë e më shumë ka media që nuk kanë redaktorë dhe redaksi, të cilat realisht funksionojnë vetëm me një person. Këta janë sfida dhe në themel të tyre probleme etike të së sotmes, mbase shumë më shumë të theksuara të së ardhmes. Në Maqedoninë e Veriut kemi portale me bollëk, të cilat, siç duket nuk kanë as redaksi dhe as gazetarë. Pothuajse çdo artikull i publikuar nuk e ka emrin dhe mbiemrin e autorit të shkrimit.

Madje nëse dëshiron të dish se kush janë udhëheqësit apo gazetarët e atyre portaleve, nuk gjen asnjë informacion. Kjo çështje është ngritur shpesh herë si problematikë e mediave onlajn nga shoqatat e gazetarëve si SHGM, KEMM dhe SPGPM dhe  po të njëjtat kërkojnë që të respektohet transparenca mbi pronësinë – publikimi i impresumit, kontaktit dhe adresës së medias, pranimi dhe respektimi i Kodit Etik të Gazetarëve, regjistrimi i subjektit juridik në Maqedoni.  Shpesh herë në këto artikuj nuk shkruhet asgjë për autorin apo në vend të emrit të autorit të vërtetë shkruhet vetëm emri i portalit ose vetëm se është postuar nga administratori i faqes(by admin).

Shembull 1

RMV, shtatë personat janë negativ në testin për koronën, nga Tetova, Kumanova, Kërçova dhe Ohri (pa autor)

Dy gra shtatzënë nga Dibra dërgohen në Qendrën Infektive në Shkup – testohen për koronavirus (pa autor)

Butel, ekip mobil për furnizim me barëra dhe ushqime të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike (pa autor)

Virusi Korona, formohet shtab i krizës që do të udhëhiqet nga Spasovski (pa autor)

Në disa media mund të gjesh Impresumin, por jo edhe të dhënat të cilat duhet t’i përmbajë impresumi, që së paku lexuesit të besojnë se redaksi të tilla nuk janë vetëm fiktive apo nga nëntoka, por reale.

Ashtu siç kërkon edhe neni 11 i Kodit Etik të Gazetarëve citatet nuk mund të përdoren pa miratimin e burimit ose të autorit, por duke qenë se në media të tilla mungon pothuajse gjithmonë autori i tekstit, nuk ke as se si e citon atë.

“Plagjiatura është e papranueshme. Citatet nuk nuk guxon të përdoren pa miratimin e burimit ose të autorit.”

Shembull 2

Transparencë më e ulët, besim më i ulët

Mos transparenca e tillë, tregon shumë për seriozitetin  e një medie. Me shumë gjasë, shkaqet që qojnë në këtë mos transparencë mund të jenë disa: mungesa e financimit të gazetarëve apo mundësi e ulët ekonomike për të pasur një vend të posaçëm si redaksi, anonimiteti për disa është siguri, duke qenë anonim mendojnë se janë më të mbrojtur kur kritikojnë ndonjë parti, ideologji, fenomen apo diç tjetër që ndodh në shoqëri ose sepse duan të bëjnë gazetari  në mënyrë të shpejtë, por kjo pastaj ngatërron terrenin e mediave dhe gazetarëve profesionistë.

Por këto nuk e arsyetojnë aspak njollosjen e hapësirës mediatike e cila duhet të jetë profesionale. Me mënyrën e tillë të veprimit rritet mosbesimi i publikut në media dhe kjo jo pa të drejtë. Publiku e sheh mirë tashmë përmes internetit mungesën e seriozitetit të ekskluzivitetetve dhe ndonjëherë të “ekspertizave”, të cilat janë gati kudo dhe dëshpërohet nga varfëria e informacionet.

Shoqatat mundohen t’i inkurajojnë në profesionalizëm dhe transparencë

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli për Etikë në Mediat në Maqedoni (KEMM) në dhjetor të vitit të kaluar prezantuan Regjistrin e onlajn mediave profesionale, i cili është i përbërë nga pothuajse 70 portale. Me këtë regjistër, synohet që të inkurajohen mediat onlajn të respektojnë standardet profesionale dhe etike.

Siç deklaroi Katerina Sinadinovska, kryetare e Këshillit drejtues të KEMM do të monitorohet puna e mediave onlajn duke përfshirë edhe atyre që janë pjesë e regjistrit, dhe nëse në moment të caktuar dëshmohet se ato kanë braktisur respektimin e Kodit etik do të largohen nga regjistri, ndërsa ato media që tani nuk janë pjesë e regjistrit, nëse dëshmohet se ky proces iu ka ndihmuar që të përmirësohen dhe të punojnë në pajtim me standardet e profesionit, do të kenë mundësi të pranohen në fazat e mëvonshme.

Duke u bazuat në faktin që regjistri në fjalë më shumë ka për qëllim të ndërgjegjësojë mediat të jenë profesionale në punën e tyre, mund të merret me mend çështja e transparencës së impresumit, të cilin siç duket mediat e tilla e kanë fshirë nga lista e prioriteteve.

Për lexuesit

Në Maqedoninë e Veriut interneti ka një përdorim të gjerë nga popullata. Sipas web faqes statistikore të specializuara “Internet World Stats”, në vendin tonë, 1.583.315 njerëz ose 75.9 për qind e popullsisë përdorin internetin, ndërsa një milion (48 për qind) janë të lidhur në rrjetin social Facebook. Këtë fakt, mediat onlajn duhet ta shohin si përparësi të madhe në interesin e tyre dhe të kontribuojnë në edukimin e shoqërisë. Lexuesit të kthejnë sytë në mediat, vlera e të cilave qëndron te parazgjedhja, filtrimi i informatave, udhëheqja dhe besimi.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button