Pesë drejtorë të ekipit spanjoll u burgosën për korrupsion

Pesë ish-drejtorë të klubit të La Ligas, Osasuna dhe dy ish-lojtarë të Real Betisit, janë dënuar me burg pasi u shpallën fajtor për një seri të akuzave për korrupsion. Procesi gjyqësor për këtë është mbajtur të premten, transmeton Koha.net.

Ish-drejtori menaxhues i Osasunas, Angel Vizcay është dënuar më së rëndi, me tetë vjet e tetë muaj burgim. Ai është shpallur fajtor për shpërdorim të fondeve, falsifikim të llogarive dhe korrupsion sportiv, raporton Reuters.

Lojtarët e dikurshëm të Betisit, Antonio Amaya dhe Xavi Torres janë dënuar me nga një vit burg për korrupsion sportiv. Është hera e parë që në Spanjë janë dhënë dënime për korrupsion sportiv.

Vendimet mund të apelohen.

Presidenti i Osasunas, Luis Sabalza ka thënë se është i kënaqur me vendimin dhe përsëriti se klubi i tij kishte denoncuar administratën e mëparshme. Kjo çoi në dënimin e tyre.

“Ne jemi të lumtur. Osasuna e dërgoi këtë rast në gjykatë, pasi kur ne arritëm në klub kemi parë gjëra që nuk na kanë pëlqyer. Dyshimet që kishim janë konfirmuar dhe gjykata ka kryer punën e saj”, ka thënë ai.

Edhe La Liga ka mirëpritur vendimin.

“Vendimi forcon luftën e La Ligas kundër korrupsionit dhe synimin e saj për të ruajtur integritetin e futbollit”.

Betisi nuk ka komentuar vendimin.

Gjykata ka arritur të vërtetojë se drejtorët e Osasunas janë pajtuar të paguajnë Amayan dhe Torresin gjithsej 650 mijë euro, për t’i stimuluar ata që të ndihmojnë Betisin të mposhtë Real Valladolidin në ndeshjen e parafundit të edicionin 2013\14 dhe që të humbin ndeshjen e tyre të fundit ndaj Osasunas.

Betisi, që tashmë kishte rënë nga elita, e mposhti Valladolidin me rezultatin 4:3, ndërsa Osasuna fitoi 2:1 ndaj Betisit, por prap u largua nga La Liga.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button