Nga maji, me aeroplan do të fluturojmë sipas rregullave të reja për shkak të koronavirusit

Komisioni Evropian, në maj, do të paraqesë një paketë të rregullave të reja të fluturimit pas heqjes së masave të jashtëzakonshme. Komisionerja evropiane për transportit Adina Valean tha se masat do të përfshijnë distancimin shoqëror midis udhëtarëve të aeroportit dhe brenda aeroplanëve. Qëllimi kryesor i këtyre masave është të garantojë sigurinë e shëndetit të pasagjerëve në trafikun ajror, i cili periudhën që posa kaloi u konsiderua si bartësi kryesor i koronavirusit në nivel botëror, transmeton Portalb.mk.

Ajo që i shqetëson më shumti aviokompanitë është opsioni i mundshëm për kufizim të numrit të udhëtarëve në aeroplan, ashtu që ulëset e mesme në aeroplan të mos lejohet të shiten fare. Në këtë mënyrë, numri i pasagjerëve në aeroplan mund të ulet deri në një të tretën, që në të vërtetë do të nënkuptojë ulje të konsiderueshme të fitimeve të aviokompanive ajrore, lajmërojnë mediat botërore. Asociacioni ndërkombëtar për transport ajror (IATA) tashmë ka njoftuar se kriza e koronës mund të shkaktojë rreth 314 miliardë dollarë humbje te aviokompanitë.

Komisioneri i BE-së Valean thekson se ndër masat që do të diskutohen në Bruksel përfshijnë dezinfektimin e detyrueshëm të avionëve dhe aeroporteve, si dhe opsionin për të mbajtur maska gjatë udhëtimit me aeroplan. Këto masa mund të zgjasin derisa të zbulohet ndonjë ilaç ose vaksine kundër Kovid-19.

Duke pasur parasysh faktin se shumica e fluturimeve nga aeroportet e Maqedonisë janë të lidhura me vendet anëtare të BE-së, tashmë është e sigurt që masat e Komisionit Evropian do të zbatohen për fluturimet e organizuara nga Shkupi dhe Ohri. Për momentin, qeveria e Maqedonisë nuk ka caktuar një datë për hapjen e dy aeroporteve, të cilët për herë të parë gjatë disa vite do të përballen me ulje të numrit të pasagjerëve në trafikun ajror.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button