Libri është dritare prej nga ne e shohim botën, në kohën e Koronës

Libri sot është rruga nëpër të cilën kalojmë kufijtë e shteteve. Jemi atje ku kemi ëndërruar ose ku na presin të dashurit e mërguar, vite e vite më parë. Libri sot është çelsi i paditurisë tonë, për të arritur synimin e jetës. Libri është besniku më i madh i njeriut. Libri është ndryshim i jetës, për të mirë. Libri është paqë e shpirtit tonë. Libri është magji, sepse heq mërzinë tonë. Libri heq mendimet e brishta, të provokuara nga valët e jetës.

Libri është dashuri, sepse kur na pëlqen i shkojmë deri në fund, por dashuria për të mbetet e pa përfunduar. Shkrimtarët jetojnë për librat, lexuesit s’mund të jetojnë pa libra. Për shumë dashamirës të librit, një shtëpi pa libra nuk ka dritë, as dritare. Kur perdet e dritares janë të mbyllura, në udhëtimet në vagonët e trenit, libri ka dalje në fusha. Në kabinat e anijeve kur perdet e dritares janë të mbyllura, libri ka dalje në det. Libri është diçka dhe gjithçka që të lidh me botën e jashtme, që të hap e të zhvillon horizontin e dijes. Çdo libër i mirë është një dritare për të parë qiellin e kaltër, në mot të lig, tokën e gjelbëruar, në shkretëtirë.

Libri e heq vuajtjen nga vetmia. Jeta nuk quhet vetmitare me librin. Poet vetmitar e shprehin vetëm shoqëruesit e mërzisë. Ata që bezdisen të qëndrojnë vetë në shtëpi, të bëjnë një shëtitje në bulevard, të pijnë kafe, vetë, në një cep të rrugës, ku shkrimtarët e preferojnë. Për poetin, shkrimtarin,vetmia është pragu hyjnor, është frymëzimi, mendim i shprehur në letër, është fjalë, fjalë ëngjëllore, që të ngre shpirtin. Poezia e poetit është paqë e tij. Paqa përbën poetin. Poeti rron me poezinë. Poezia nuk ka para, as paraja nuk ka poezi, as poezia nuk mund të blihet me para. Me para, thuhet se njeriu merr fronte. Shkrimtari me libër bëhet i përjetshëm. Libri ka vetëm një të keqe, për njeriun, e le pa gjumë, kur është në dorën e tij. Por ka shkrimtarë që kanë shkruar, ‘në gjumë s’ka lumturi..’. Shkrimtarët në fakt e jetojnë jetën.

Vetëm t’i ushqejë shteti, për ta jeta është lumë. Me shitjen e librave, shumë shkrimtarë nuk jetojnë, numërohen me gishta ata që rrojnë. Është fjala e tyre e artë, me peshë, e vlefshme, shpresdhënëse, që i mban në jetë. Nuk është dëgjuar deri më sot që një shkrimtar është pasuruar, me shitjen e librit, as nuk është mbret, monopolist i fuqishëm që sundon në një fushë të rëndësishme të industrisë a të tregtisë. Shkrimtarin sot ka një jetë si të gjithë të tjerët, ajo që e dallon është se ai shoqërohet me libra e jo me një grup njerëzish. Ka një vakët mëngjesi, drekë e darkë, një shëtitje përreth liqenit, pranë lumit, breg detit, i mpirë nga mendimet, i vetëm me kujtimet dhe frymëzimet në gji. Frymëzimet e tij, janë fjalë, libra, vepra. Shkrimtari i jep thesarin botës dhe trashëgiminë më me vlerë gjeneratave dhe popullit të tij dhe të tjerëve.

Por, ka një pyteje që na mundon, sa lexohen, sot, librat e shkrimtarëve tanë shqiptarë, por edhe të huaj? Shqyrtimi i kësaj çështje, duke e vështruar nga të gjitha anët, për ta bërë të qartë e të kuptueshme, për të nxjerrë përfundime, duhet kërkuar te gjithë secili nga ne. Prindërit, që t’i edukojnë mirë fëmijët, duhet t’i rrethojnë me libra. Studenti për të fituar dije, duhet të mbajnë në dorë  libra. Njeriu për të patur dije, duhet të lexojë librin. Koleksionimi i librave është koleksionim i gëzimit të papërfunduar. Çdo shtëpi të mbush raftin me libra është  larmia e vlerave më e dobishme se kuleta me para.

Kur futemi në një librari, disa herë thërrasim që të shfaqet shitësi i librave, tek e gjejmë në një skaj të librarisë me një libër në dorë, të përhumbur mes shkronjave. E pyesim, si gazetare, se a ka shitje, a ka lexues të moshave të reja, kur sot, para nesh është e zhvilluar teknologjia, rrjetet sociale? Shitësi, pronar i librarisë Rilindja thotë me gjysë zëri, që është zbehur puna. Ky shitës ndihmon shkrimtarin. Me shitjen e librit i jep një copë bukë shkrimtarit, por edhe thërrime buke për vete.

Por sot, në kohën e Koronës (pandemisë), shumë shtëpi botuese i shohim të mbylluara. Telefonata drejt librarisë Albas, kësaj dite botërore të librit, u hap dhe  përgjigjia e tyre ishte se lëviz tregu i librit, por ditëve të fundit, njerëzit s’duken. Me ardhjen e teknologjisë, librat shkollor i japin edhe “online”. Por, sa kënaqësi na jep libri në kompjuter, ajo mbetet vetëm një përfitim, në këtë kohë, të mbyllur në katër mure. Dhe shpesh dëgjohet shprehja, ‘kemi lexuar, në internet’. Leximi ‘online’, në rrjetet sociale, portalet, mund të thuhet që është modernizëm.

Për shkrimtarin, libri gjithmonë mbetet drita që udhëheq drejt qytetërimit. Jeta pa librin është sikur të vritet bukuria apo të ketë qejf njeriu të plaket.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button