Ramazani durim aktiv transedental në tejkalimin e sfidave

Njohja e muajit të Ramazanit dhe pozitës së tij na ndihmon dhe na bën të mundur që të përfitojmë më tepër mëshirë, mirësi dhe durim në këtë muaj. Gjatë ditëve dhe netëve të Ramazanit çdo njëri prej nesh duhet të mundohet që të gjejë ndonjë rrugë dhe mënyrë për t’iu afruar Zotit. Andaj mos të lejojmë që ky Ramazan të vijë e të shkojë kot, por ta kuptojmë se po vjen  si një rast shumë i mirë për ne, një  ndihmesë hyjnore në përballimin me këtë situatë tejet të rëndë që jemi duke e përjetuar.

Njerëzimi në këtë botë është ballafaquar me sprova të ndryshme. S’do mend që sprova është prej ligjeve të Allahut në këtë gjithësi. Allahu xh.sh. i sprovon vazhdimisht njerëzit gjatë jetës së tyre sipas ligjeve të Tij hyjnore, me sprova të llojeve dhe formave të ndryshme që janë të mbushura me sekrete dhe fshehtësi të cilat nganjëherë na bëhen të qarta, e nganjëherë nuk mund t’i zbulojmë të gjitha në këtë botë. Njëkohësisht, çdo sprovë më vete është një përvojë ku ne mund ta dëshmojmë veten tonë. Allahu Fuqiplotë, i cili e njeh vlerën dhe karakterin e krijesës së Tij të përsosur, kërkon në një farë mënyre që ta sprovojë robin e vet sa mund të përballojë, cili do të jetë reagimi i tij përballë fatkeqësive që mund ta ndjekin. Ku do të durojmë, e ku do të devijojmë.

Në çdo sprovë ka mësim, predikim dhe përkujtim për njerëzit, sepse kjo botë është botë e telasheve, halleve, derteve dhe jo vendi i lumturisë, është i përkohshëm dhe nuk është vend i përhershëm. I Dërguari i Allahut ka lajmëruar se gjatë historisë fatkeqësitë më të mëdha i kanë përjetuar Pejgamberët dhe njerëzit e mirë, por kjo gjendje në asnjë mënyrë nuk i ka shtyrë në dëshpërim dhe në kundërshtim. Kur’ani Fisnik tregon se këta njerëz që ishin shembull, problemet, fatkeqësitë dhe sëmundjet i kanë vështruar si sprova. Për shembull, Ejubi a.s. u ballafaqua me një problem dhe për shkak të problemit duke mos u ankuar iu lut Allahut: “(Kujtoje) Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Mua më ka goditur fatkeqësia, e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” (Enbija, 83)

Kur muslimani herë pas herë ballafaqohet me fatkeqësi në dynja, kurrë nuk e sheh si mjerim një gjë të tillë. Përkundrazi, vuajtja, vështirësia, gjëma dhe fatkeqësia janë një proces sprove i besimit në Allah që ka muslimani, me qëllim që ai të mund të shfaqë sjellje të virtytshme. Një vuajtje e tillë kurrë nuk mund të jetë mjerim. Kur’ani këtë gjendje e përshkruan përmes ajetit në vijim: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit”. (Bekare, 155) Nga ky ajet Kur’anor vërejmë një të vërtetë se njeriu do të përballet me shumë sprova gjatë jetës së tij, por për t’u dhënë sihariq, janë ata që do të durojnë. Sipas kësaj, ashtu siç adhurimet ia ngrenë gradën njeriut, edhe sprovat që mund të quhen nga një lloj adhurimi i pësuar, e pastrojnë njeriun prej mëkateve, për ta ngritur mandej drejt gradave më të larta dhe madhështore tek Allahu Fuqiplotë. Pra, detyra që i bie mbi supe çdo besimtari përballë sprovimeve të vazhdueshme nga ana e Allahut, është që të bëjë durim. Siç shprehet edhe i Dërguari i Allahut kur thotë: “Sa e mirë është gjendja e besimtarit. Të gjithë veprat e tij janë të mira. Askush përveç besimtarit nuk është kështu. Besimtari, kur i vjen ndonjë e mirë, falënderon, e kjo për të është mirësi. Kur i bie ndonjë problem dhe ngushti, duron, edhe kjo për të është mirësi.

Agjërimi të cilin e praktikojmë gjatë këtij muaji që tashmë ka ardhur tek ne, është një provim i durimit. Përpos vështirësive që i jetojmë në këtë kohë pandemie, na vjen edhe një ibadet tejet i rëndësishëm, i cili do të na edukojë edhe më mirë, duke na mësuar dhe edukuar se nuk duhet të zgjatet dora drejtë ushqimit që e kemi përpara vetes, se nuk do të flasim fjalë të ndyta, se nuk do të shikojmë me sy të keq, se çdo e keqe, çdo negativitet që do të na vijë mbi kokë do ta përballojmë me maturi. Përderisa do të jesh i agjërueshëm do të jesh i durueshëm përballë urisë, etjes dhe ndaj çdo lloj mëkati apo vepre të shëmtuar. Pikërisht për shkak të këtyre fakteve i Dërguari i Allahut ka thënë: “Agjërimi është gjysma e sabrit/durimit.”

Në Kur’anin Fisnik thuhet: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të jeni të të devotshëm.” (Bekare, 183) Durimin që do ta tregosh gjatë këtij muaji duke agjëruar, do të shndërrohet në një parzmore të sigurt dhe të shëndoshë. Mu për këtë arsye, agjërimi nuk është vetëm një tërheqje nga ngrënia dhe pirja për një kohë të caktuar, por njëkohësisht ai është edhe edukim për përforcimin e vullnetit të njeriut që të mbrohet nga çdo gjë e keqe dhe e shëmtuar. Nëpërmjet agjërimit ai do ta ushqejë shpirtin dhe zemrën e tij me devotshmëri. Ja, kjo devotshmëri e cila do të përforcohet gjatë këtij muaji, do të jetë një shtytje e imanit tonë dhe ndihmë për durimin që e kemi pasur gjatë këtyre ditëve në ballafaqimin me këtë sëmundje, e cila s’do mend se ka mesazhin e vet.

Muslimani, duke bërë durim gjatë agjërimit të këtij muaji të Ramazanit, do të tregojë shpirtmadhësi në përballje me urinë, etjen dhe ballafaqimin me vetveten në njërën anë dhe me realitetet e hidhura të jetës, si sëmundja, sprova apo vdekja, të cilat do t’i mundësojnë ta ruajë besimin dhe të bëhet më i qëndrueshëm ndaj dhimbjeve. I Dërguari i Allahut, të bijës, Zejnebes, e cila e dërgoi dikë tek ai për t’i dhënë lajmin se djalin e kishte të sëmurë rëndë, i dha këshillë përmes lajmëtarit: “E Allahut është çka jep dhe çka merr. Tek Ai është caktuar afati i çdo gjëje. Thuaji (bijës sime) që të bëjë durim dhe ta dijë se ky durim e ka shpërblimin tek Allahu.” Ideja e durimit është një ide hyjnore, të cilën na e këshillon Kur’ani, pasi është melhem dhe ilaç efektprurës, ai është sekreti dhe çelësi i çdo suksesi.

Durimi është domosdoshmëri për besimtarin, për faktin se është virtyti më i lartësuar në Islam, dhe i vetmi për të cilën shpërblimi është i pakufizuar. Allahu Fuqiplotë në Kur’anin Fisnik thotë: ”… ndërsa durimtarëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” (Zumer, 10). I Dërguari i Allahut thotë: ”Shpërblimi më i madh është në sprovat më të mëdha. Nëse Allahu e do një popull e sprovon atë, kush është i kënaqur (me atë sprovë), me atë është kënaqësia e Allahut, e kush është i pakënaqur, edhe Allahu do të jetë i pakënaqur më të.” Sa për ilustrim, humbja e më të shtrenjtës, e fëmijës, për prindërit është një nga sprovat më të vështira. Por, në qoftë se edhe në këtë rast pajtohen me caktimin e Allahut, kjo do të thotë hamd i vërtetë. Dallimi kryesor midis hamdit dhe shukrit është te ky element.

Besimtari, nga goditja e fatkeqësive dhe sprovave të ndryshme, pavarësisht rrethanave me të cilat mund të përballet në këto situata jo të këndshme, qofshin ato gjatë agjërimit në këtë muaj të Ramazanit, por edhe gjatë këtyre ditëve që i përjetojmë, duhet mbështetur në Allahun xh.sh.. Allahu Fuqiplotë thotë: “O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtet Allahu është me durimtarët!” (Bekare, 153). Ajeti i cituar më lartë është një mesazh i çiltër hyjnor drejtuar besimtarëve të vërtetë për t’i vënë në dijeni se zemrat dhe mendjet e tyre duhet t’i kenë gjithmonë të lidhura te mëshira e pakufishme e Allahut, sepse vetëm Ai e meriton adhurimin e vërtetë dhe se vetëm prej Tij kërkohet ndihma për të përballuar çdo të papritur a fatkeqësi.

Ai që Allahun e ka pranë në çdo kohë, situatë dhe vend, ai që e gjen veten pranë mëshirës së Allahut, ai që i përballon sfidat dhe të papriturat, me besim dhe përkushtim të plotë, duke bërë sabër-durim dhe duke falur namaz dhe duke agjëruar, ai vërtet i ka të hapura dyert e mëshirës hyjnore. Në Kur’an thuhet: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!” (Fatiha, 4). Padyshim që, nga faktorët që ndihmojnë në lehtësimin e sprovës së besimtarit është besimi në caktimin e Allahut xh.sh. dhe llogaritja në shpërblimin e Tij. Nuk ka diçka që e flladit zemrën e besimtarit, e qetëson shpirtin e tij dhe sjell qetësi shpirtërore në momentin e sprovave më shumë se besimi në caktimin dhe nënshtrimin ndaj asaj që ka caktuar Allahu i Madhërishëm. Nënshtrimi ndaj caktimit të Allahut e largon njeriun nga hidhërimi, nga mospërmbajtja, nga mendimi i keq për Zotin e tij.

Prej besimit që ka besimtari ndaj Allahut është se, Ai nuk i bënë padrejtësi askujt. Atë të cilin e ka sprovuar dhe e ka privuar nga ndonjë e mirë që nuk i ka privuar të tjerët, Allahu xh.sh., do t’a shpërblejë për këtë. Përcillet nga Ebu Hurejra, se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Besimtari i ngjan drithërave të gjelbërta: lakohet me erën (por nuk thyhet). Kur qetësohet era, ai drejtohet përsëri. Pikërisht i tillë është edhe besimtari. Si pasojë e sprovave dhe fatkeqësive lakohet (por nuk thyhet). Ndërsa jobesimtari është si druri i selvisë, i cili shkulet nga rrënja (menjëherë), nëse do Allahu.”

Si rrjedhojë, çfarëdo që të urdhëron Zoti, urdhëron për mirë! Është durimi që duhet treguar karshi belave, fatkeqësive dhe në kryerjen e ibadeteve. Sepse vetëm kështu mund të fitohet provimi i dynjasë. Agjërim të pranuar!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button