Enciklopedia famëkeqe ende në qarkullim!

Edhe pse shitja zyrtarisht është e “ndaluar”, Enciklopedia e cila i quan shqiptarët barbarë të ardhur nga Shqipëria, qarkullon lirshëm në Internet, ndërsa në disa nga libraritë ende mund të gjenden kopje të saj. Edhe pse u premtua që do të ketë ribotim të saj duke u larguar deformimet e fakteve dhe historisë, asgjë nuk është ndërmarrë, në harresë mbeten të gjitha premtimet e dhëna.

Akademiku Alajdin Abazi, anëtarë i komisionit të ASHAM, tha se që nga iniciativa për formimin e redaksie të re kanë mbetur vetëm fjalët.
“Gjithçka është ashtu siç mbeti atëherë, nuk ka diçka të re dhe nuk flitet për ribotim. Të them të drejtën nuk kam informacione të reja. Nuk di nëse është lëshuar buxhet për enciklopedinë apo në përgjithësi për Kulturën dhe Artin Shqiptar”, u shpreh Abazi për Portalb.
Njashtu, kryeredaktori për botimin e enciklopedisë Mitko Maxhunkov u shpreh se nuk ka asnjë hap konkret në lidhje me ribotimin, dhe se enciklopeditë nga botimi i parë janë shitur dhe shpërndarë.

 “Gjithçka që u punua atëherë, u dorëzua si material në kryesinë dhe ajo ende qëndron ashtu. Momentalisht ajo është Status-quo, nuk punohet momentalisht asgjë. Sa i përket shitjeve dhe botimeve, vetëm enciklopeditë e botimit të parë janë shitur dhe më pas nuk është shtypur asnjë kopje tjetër”, tha Maxhunkov për Portalb.

Akademiku Ali Aliu tha se në fillim ekzistonte vullneti të krijohet një redaksi e re dhe nisje e botimit të versionit të përmirësuar.
“Për enciklopedinë kam njohuri dhe informata që nuk ka shpresë se mund të ribotohet një version përmirësuar i enciklopedisë. Pas botimi të parë i cili përmbante defekte, kishte iniciativë të botohet versioni i përmirësuar, gjatë atyre muajve kishte deklarata të ndryshme, premtime jo vetëm nga akademia por edhe jashtë saj, se duhet të evitohen ato deformime në prezantimin e historikut të kulturës dhe traditës shqiptare. Tani kjo punë është heshtur sikur të mos kishte ndodhur fare”, tha për Portalb, Aliu.

Ai më tej shtoi se shumë njerëz janë pajisur me versionin e parë, mjafton që ajo njëherë të ketë dalë në shitje, më pas qytetarët mund të vijnë lehtë deri te ajo enciklopedi, mund ta kopjojnë apo ta mundësojnë atë në forma të ndryshme elektronike.

“Nuk është problem shumë i madh shitja, problemi kryesor qëndron aty se është dashur të ribotohet versioni i përmirësuar ashtu siç u konstatua edhe nga vetë akademia e cila i pranoi të gjitha ato vërejtje”, tha Ai.

Reagimet e akademikëve dhe historianëve shqiptarë për Enciklopedinë Maqedonase e cila u botua në vitin 2009, e shtynë Akademinë e Shkencave dhe Artit të Maqedonisë (ASHAM) të vijnë me ide për ribotim të enciklopedisë. Kjo ndodhi ngase në atë enciklopedi shqiptarët ishin quajtur si barbarë të cilët vinin nga malet e veriut të Shqipërisë dhe uzurponin tokat Maqedonase gjatë viteve të shekullit VII. Reagimet ishin të ndryshme, si me deklarata , si me dorëheqje nga anëtarët shqiptarë të komisionit e kështu me radhë. 

 “Prejardhja e shqiptarëve të Maqedonisë është nga Veriu i Shqipërisë, fisi i gegëve dhe vendosja e tyre fillimisht ishte nëpër qytetet si Tetovë e Gostivar, të cilët me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen, për rrjedhojë vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë”, shkruhet ndër të tjerat në enciklopedinë maqedonase. Janë shpërndarë 2000 kopje të tilla, libër në të cilin shqiptarët janë të fyer dhe ende nuk është ribotuar./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button