Krasniqi: Strukturat ilegale, mbeturina të Milosheviçit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dënoi dëmtimin e objekteve në vendkalimin kufitar në Jarinjë, nga një grup i huliganëve serbë. Krasniqi theksoi se strukturat ilegale, mbeturina të Miloshevicit, po e mbajnë peng stabilitetin, paqen dhe inkuadrimin e qytetarëve serbë të veriut në jetën institucionale të shtetit të Kosovës.

Ai aktet e tilla i quajti tendencë për të penguar vendosjen e rendit dhe ligjit, dhe si të tilla tha se janë të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë normalizimit të gjendjes në veri të vendit.

“Ky veprim i strukturave ilegale është edhe kundër Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila fuqizon sundimin e rendit dhe të ligjit në vendkalimet kufitare ndërmjet dy shteteve, si dhe siguron qarkullim të lirë të qytetarëve dhe të mallrave në përputhje me normat ndërkombëtare”, vlerësoi Krasniqi.

Kryetari i Kuvendit edhe njëherë theksoi se strukturat ilegale, mbeturina të Miloshevicit, po e mbajnë peng stabilitetin, paqen dhe inkuadrimin e qytetarëve serbë të veriut në jetën institucionale të shtetit të Republikës së Kosovës.

Kreu i legjislativit të vendit Bëri thirrje që këto struktura të shuhen sa më parë për të ndihmuar kështu në stabilizimin e jetës në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button