RMV, dezinformatat në kohën e pandemisë, OJQ-të: Me anëtarësimin në NATO janë shtuar kërcënimet hibride në vend

Paraqitja e virusit korona, fillimisht në Kinë e më pas edhe në pjesën më të madhe të shteteve në mbarë botën, u shoqërua me një dozë të madhe të lajmeve rreth tij. Në këtë mënyrë, përkrah rrezikut të përhapjes së shpejtë të këtij virusi, bota po përballet edhe me rrezikun e lajmeve dhe dezinformatave rreth tij, të cilat po përhapen më shpejtë se virusi, njofton Portalb.mk.

Një ndër teoritë konspirative rreth virusit korona, dhe e cila u përhap masivisht edhe në Maqedoninë e Veriut, është se, koronavirusi i ri përhapet aty ku ka teknologji 5G, e cila pretendon se 5G e shkatërron ADN-në dhe e dobëson imunitetin, e për atë jemi më të lëndueshëm ndaj infektimit me virusin.

Përfaqësuesit e OJQ-ve thonë se, vendi ka qenë edhe më parë cak i lajmeve të rrejshme e kërcënimeve hibride, se me anëtarësimin e vendit në NATO, organet shtetërore të Maqedonisë së Veriut do të kenë mundësi që më lehtë të luftojnë dezinformatat dhe kërcënimet hibride.

Bardhyl Jashari
Bardhyl Jashari

Drejtori i Fondacionit Metamorphosis, Bardhyl Jashari, tha për Portalb.mk, se kërcënimet hibride paraqesin strategji komplekse ushtarake të cilat në luftën politike përziejnë dhe kombinojnë luftën konvencionale, me luftën në internet si dhe me metoda të tjera për ndikim dhe përçarje, siç janë lajmet e rreme, ndërhyrje në zgjedhje, propagandë për diskreditim të institucioneve të shtetit apo individëve të caktuar, spiunazh etj.

“Vendi jonë që moti është cak i këtyre sulmeve, zakonisht këta sulme intensifikohen gjatë ngjarjeve të rëndësishme për vendin, si zgjedhjet, referendumi, ndonjë proces lidhur me anëtarësimin në BE dhe NATO. Së fundi, është e qartë tendenca e rritjes së dezinformatave në Maqedoni, por edhe në mbarë botën lidhur me pandeminë e virusit Covid-19”, deklaroi Jashari.

Sipas tij, me anëtarësimin në NATO nuk kanë pushuar këto sulme, përkundrazi ata janë përforcuar dhe presim të përforcohen ende.

“Lajmet e rrejshme dhe dezinformatat janë vetëm maja e ajsbergut dhe kryesisht shërbejnë për të shkaktuar huti dhe përçarje në popullatë. Me metoda të tjera kibernetike: përgjime ilegale të komunikimeve, financim jo-transparent të grupeve të ndryshme radikale, ndikim dhe pengim në realizimin e projekteve të ndryshëm ekonomik me rëndësi strategjike, shtetet me agjendë armiqësorë kanë qëllim manipulimin e popullatës dhe politik-bërësve në vend vetëm me një synim – të shkaktohet jo vetëm ngecje por edhe ndalim i proceseve të rëndësishëm për vendin si që është për shembull anëtarësimi në BE. Hapi i parë në eliminimin e kërcënimeve hibride ose së paku ndikimi i tyre të minimizohet është që të identifikohet, kuptohet dhe të mos neglizhohet ndikimi i tyre”, tha ai.

Vlladimir Petreski
Vlladimir Petreski

Ndërkohë, Vladimir Petreski nga shërbimi për verifikimin e fakteve “Vërtetmatës”, tha se gjatë kohës së pandemisë, lufta kundër dezinformatave është shumë e rëndësishme. Sipas tij, lajmet e rrejshme në këtë pandemi vijnë nga burime të ndryshme. Në fillim të pandemisë jemi ballafaquar me shumë lajme të rrejshme, të cilat vinin nga Kina dhe nga Lindja e Largët, të cilat veç më u publikuan në rajon dhe janë marrë nga mediat lokale

“Në nivel lokal, te ne, është e rëndësishme që të dihet prejardhja e dezinformatave në rrjetet sociale dhe qarkullimi i tyre në hapësirën e internetit dhe më pas, përhapja e tyre në media. Por, nuk janë problem vetëm dezinformatat. Ato janë shpesh vetëm një segment i ndonjë kërcënimi hibrid – siç do të mund të ishin protestat të nxitura me qëllim, hakimi i sistemeve kompjuterike të institucioneve publike, të ndihmohen organizatat fantome të cilat punojnë për interesa me orientime dhe shtete armiqësore etj”, tha Petreski për Portalb.mk.

Ai shtoi se, numri i teorive të konspiracionit është rritur dukshëm me paraqitjen e epidemisë.

“Një pjesë e tyre është rezultat i frikë, një pjesë është për shkak të mosbesimit ndaj pushtetit aktual, por ka edhe të tilla që janë prodhim i shteteve armiqësore dhe të cilat flasin për “komplot të elitave globale liberale”, pastaj flitet se epidemia është goditje ndaj Rusisë me qëllim që vendi të varfërohet për shkak të rënies së çmimit të naftës dhe kështu me radhë. Manipulime të mëdha ka rreth ndihmës së Bashkimit Evropian kundrejt ndihmës nga Kina dhe Rusia, ku këto dy vende paraqiten si mirëbërës shumë më të mëdhenj se BE, pa u parë shifrat nga afër. Teoritë e konspiracionit për dhe rreth epidemisë do të vazhdojnë, por ne do të vazhdojmë që të luftojmë çdo ditë kundër tyre”, deklaroi Petreski.

Ndryshe, ambasadorja e SHBA-së në NATO, Kej Bejlli Haçinson, para disa ditëve, u bëri thirrje aleatëve të NATO-s që të kundërshtojnë dezinformimet nga Rusia dhe Kina sa i përket virusit korona, duke theksuar se askush nuk ka pritur se në kohë të pandemisë botërore, kundërshtarët e Aleancës do ta shprehin pakënaqësinë e tyre pikërisht kështu. Ajo deklaroi se, Liderët e aleancës ushtarake miratuan krijimin e ekipeve për luftë me kërcënime hibride në korrik të vitit 2018. Këto ekipe sigurojnë ndihmë të specializuar, e kërkuar nga aleatët, për ballafaqim dhe përgjigje për kërcënimet hibride.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button