Bie aktiviteti i terrorizmit global

Një studim mbi terrorizmin ndërkombëtar në dekadën e fundit thotë se sulmet e këtij lloji kanë pësuar një rënie që nga viti 2007. 

Global Terrorism Index, i publikuar nga Instituti për Ekonominë dhe Paqen, thotë se sulmet u rritën ndjeshëm nga viti 2002 në 2007. 

Studimi thotë se më shumë se një e treta e të gjitha viktimave nga viti 2002 në 2011 ishin shtetas irakenë. 

Ai rendit dhe krahason 158 vende për një periudhë 10-vjeçare dhe impaktin e tyre ndaj terrorizmit dhe thotë se rritja më e madhe ndodhi në periudhën 2005-2007, me në krye ngjarjet në Irak. 

Pakistani, India dhe Afganistani llogariten për 12%, 11% dhe 10% të ngjarjeve terroriste globale nga viti 2002 në vitin 2009. Ndërsa Tajlanda, Filipinet dhe Rusia llogariten gjithashtu për 5%, 4% dhe 4 për qind. 

“Të dhënat japin shpresë për optimizëm pasi rritja e aktivitetit terrorist e regjistruar gjatë viteve 2003-2007 ka rënë. Megjithatë, me përkeqësimin e situatës në Siri dhe konflikte të tjera të mundshme në Lindjen e Mesme, situata mund të ndryshojë”, thotë studimi. 

Sulmet fatale në Evropën Perëndimore kanë rënë që prej vitit 2002, por kanë shkaktuar 19 herë më shumë vdekje se në SHBA, tregon studimi, i cili në këtë rast nuk përfshin sulmet e 11 shtatorit. 

Amerika e Veriut është konsideruar si rajoni ku ka më shumë të ngjarë që të ndodhin sulme terroriste, e ndjekur nga Europa Perëndimore dhe Amerika Latine. Vetëm 31 vende të botës nuk përjetuan sulme terroriste mes viteve 2002-2011, tregon më tej studimi. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button