Muaji i Ramazanit, reisi Rexhepi: Pejgamberi na ka urdhëruar të izolohemi gjatë pandemive

Me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit, reis’ul-Ulema, haxhi efendi Sulejman Rexhepi, apo kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, ka apeluar që gjatë këtij muaji të shenjtë të respektohen urdhrat e autoriteteve për izolim, me qëllim që të parandalohet pandemia, njofton Portalb.mk.

“Për fat të keq, kësaj here ky muaj i shenjtë vien në një kohë delikate e të vështirë për tërë njerëzimin, i cili po lufton me pandeminë e shkaktuar nga virusi Covid-19. Ndodh në kohën kur të gjithë Ne po përpiqemi të mbrojmë veten dhe familjet tona, të mbrojmë shoqërinë e të mbrojmë popullin. Konkludojmë se karantimi apo izolimi në rastet e shfaqjeve të epidemive apo pandemive, është detyrim islam i obligueshëm, urdhër i Pejgamberit (a. s.) që duhet me patjetër të respektohet, ndërsa menaxhimi i këtyre pandemive si, mënyra e izolimit, koha e izolimit – janë çështje të ekspertëve të lëmive përkatëse”, tha Rexhepi.

Reisi gjithashtu theksoi se islami nuk injoron, as anashkalon e përbuz parimet e shëndosha shkencore, por, përkundrazi, respekton dhe kontribuon me shekuj në favor atyre parimeve.

“Apeloj dhe ju lutem që t’ju përmbahemi parimeve islame për shëndetin tuaj dhe të gjithë të tjerëve dhe, njëkohësisht, të respektojmë atë që thonë mjekët dhe ekspertët lidhur me pandeminë Covid – 19. Vetëm ashtu do të ngadhënjejmë dhe do t’i kthehemi normalitetit të jetëve tona; vetëm kështu do të jenë të justifikuar lutjet tona për kërkim shpëtim drejtuar Allahut të Gjithmëshirshëm”, shtoi Rexhepi.

Rexhepi rikujtoi se nga xhamitë do të vazhdon të dëgjohet Ezani, ndërkaq të gjitha myftinitë e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut tanimë kanë marrë obligimin të organizojnë ligjërata të ndryshme fetare nëpër mediat e vendit.

“Në çdo xhami për çdo ditë në kohën e drekës do të këndohet nga një mukabele. Ramazani do të jetë i bukur si përherë, pa marrë parasysh nëse situata e krijuar na detyron të falim namazet, kushtuar Allahut (xh. sh.), nëpër shtëpitë tona. Të gjithë besimtarëve myslimanë në Maqedoninë e Veriut e më gjerë, si edhe atyre nga diaspora jonë e çmuar, Allahu i Plotfuqishëm ua pranoftë ibadetet dhe iu dhashtë gëzime. Ju dëshiroj Ramazan të këndshëm dhe shëndet të plotë”, përfundoi Rexhepi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button