Tri pyetjet

Sivjet do të kemi një Ramazan ndryshe. Megjithë ndryshimin e ndalesës për lëvizje dhe faktit që tani ajo do të fillojë nga ora 19:00 e jo si deri tani nga ora 16:00, sërish mbetet kjo lëvizje e kufizuar që imponon një ndryshim të sjelljes së të gjithëve në këtë muaj të rëndësishëm për myslymanët. Ajo që kryesisht ndodhte gjatë këtij muaji viteve të kaluara ishte gjezdisja e përmbrëmshme e njerëzve iftar më iftar, mysafirllëqe dhe tryeza të shtruara me bollëk, qoftë në shtëpitë individuale, qoftë në restorane ku krijoheshin meny speciale për Ramazan. Sikur i gjithë Ramazani të ishte eksluzivisht i koncentruar vetëm tek ngrënja ose mosngërnja e ushqimit. E megjithatë, ky muaj i devotshmërisë është shumë më tepër se të hash ose të mos hash ushqim në kohën e caktuar të ditës. Dhe qëllimi i abstenimit nga ai ushqim nuk është stërmbushja e stomakut me paçë dhe qofte sapo kënrdon ezani i kohës së iftarit. Qëllimi është shumë më i ngritur se sa të fjeturit gjithë ditën dhe të zgjuarit pak para mbrëmjes. Qëllimi i këtij muaji është solidarizimi, ndarja e bekimeve tona me të tjerët, më pak të bekuar se ne, ndihma ndaj të tjerëve, sjellja e mirë me të tjerët. Ky muaj duhet në fakt të jetë një muaj ku ne u dedikohemi të tjerëve dhe jo vetvehtes, stomakut tonë, ushqimit tonë, gjumit tonë. Vetvehtes i dedikohemi gjatë këtij muaj me të vetmin qëllim, që të reflektojmë mbi rëndësinë e veprimeve tona, të pendohemi për gabimet, e të përmirësohemi, e jo të shëndoshemi duke fjetur gjithë ditën e duke ngërnë pa pushim deri në agim.

Ka qenë një herë një perandor i ri i cili ka menduar se nëse i gjen përgjigjet tek tri pyetje, do të mund të sundojë në mënyrë të drejtë dhe të devotshme. Pyetjet kanë qenë këto: Cilët janë punëtorët më të rëndësishëm në shtet? Cila është koha më e mirë për të kryer një punë? Cila është puna më e mirë për ta bërë në çdo kohë. Perandori ka pyetur dijetarët për përgjigje, dhe përgjigjet që ka fituar kanë qenë nga më të ndryshmet. Sa i përket pyetjes së parë, disa dijetarë kanë thënë që punëtorët më të rëndësishëm që duhet të përkrahen nga perandori janë bujqit që sigurojnë ushqimin për të gjithë, të tjerët kanë thënë që punëtorët më të rëndësishëm janë mësuesit dhe prindët që merren me edukimin e fëmijëve, sepse fëmijët janë e ardhmja. Të tjerët kanë thënë që më të rëndësishëm janë ushtarët që e mbrojnë vendin. Tek pyetja e dytë poashtu ka pasur shumë përgjigje, disa kanë thënë që perandori duhet të ketë një kalendar të sistemuar në detaje dhe të parashohë kohë të caktuar për çdo veprim. Të tjerët kanë thënë që perandori duhet të mos ketë agjendë të caktuar që të jetë i lirë t’u qaset problemeve që paraqiten aty për aty. Për atë se cila është puna më e mirë për tu bërë në çdo kohë, ka pasur përgjigje të ndryshme sekulare e religjioze.

Perandori, i pakënaqur nga ky konfuzitet i përgjigjeve të shumta e të ndryshme ka vendosur të shkojë dhe ta pyes një dietar vetmitar që jetonte në një kasolle në majë të malit. Pasi ai jetonte një jetë të thjeshtë, perandori nuk shkonte dot atje me gjithë përcjelljen e tij, prandaj u vesh në rroba të zakonshme dhe filloi t’i ngjitet malit i vetëm. Kur arriti te kasollja, e pa dijetarin plak që po e punonte tokën me shat. Ai ishte plak dhe i lodhur por punonte pa pushim. Perandori iua afrua dhe i parashtroi tri pyetjet, por nuk mori përgjigje. Kur e pa dijetarin ashtu të lodhur, perandori i tha: “Më lejo të të ndihmoj.” Dijetari ia dha shatin dhe perandori punoi e punoi tokën gjithë ditën. Vazhdimisht e pyeste për pyetjet por dijetari nuk përgjigjej. Në fund perandori i tha: “Të lutem mi jep përgjigjet, sepse po erret dhe unë duhet të kthehem.” Atëherët dijetari i tha: “Shiko, dikush po vjen.” Dhe nga shkurret doli një burrë i plagosur, me plagën që i kullonte gjak dhe me këmbët që mezi e mbanin. Perandori vrapoi drejt tij, dhe duke zhveshur këmishën e vetë ia lidhi plagën që ta ndalte gjakderdhjen. Mori pak ujë nga burimi dhe i dha të pijë, e mori të plagosurin dhe e vendosi në shtratin brenda kasolles. Nga lodhja e ditës dhe nga shqetësimi për të panjohurin e plagosur, perandorin e zuri gjumi në dyshemenë e kasolles. Të nesërmen u zgjua dhe e pa të plagosurin që ndihej më mirë. I plagosuri i tha: “Të më falësh. Unë kam qenë armiku yt i përbetuar që në kohën kur ushtarët e tu sulmuan vendin tim dhe vranë familjen time e morën pronat e mia. Kur kuptova që do të shkosh te dijetari i vetëm, dola të të pres në mal për të të vrarë. Por pasi nuk të pashë të kaloje mendova që je kthyer dhe vrapova të të kërkoj. Më gjetën ushtarët e tu që më njohën dhe më plagosën. Unë ika lart në mal dhe erdha këtu ku ti më shpëtove jetën. Tani e tutje do të jem besnik ndaj teje.” Perandori u habit nga sa dëgjoi dhe deklaroi që atij do i kthehen pronat dhe do të rregullohet padrejtësia e bërë vite më parë.

Perandori doli nga kasolla dhe e gjeti dijetarin duke mbjellë grurin në tokën që perandori e kishte punuar ditën e kaluar. Ai sërish i parashtroi tri pyetjet dhe u lut për përgjigje. Atëherë dietari i tha: “Po ti i gjete vet përgjigjet. Dje kur erdhe të më takosh më ofrove ndihmën tënde për të punuar tokën. Në atë moment, isha unë punëtori më i rëndësishëm në shtet dhe punimi i tokës ishte puna më e rëndësishme dhe koha më e rëndësishme për ta bërë këtë punë ishte pikërisht ai moment, sepse të mos më kishe ndihmuar me punën e tokës, ti do të ishe kthyer poshtë, ku të priste në pritë ai që dëshironte të të vrasë dhe ti do të kishe humbur mundësinë për të bërë mik armikun tënd të përbetuar. Kur erdhi i plagosuri, ishte pikërisht ai personi më i rëndësishëm për të punuar me të, ndërsa koha më e përshtatshme për të kryer një punë ishte ai moment kur ti ia ndale gjakderdhjen me këmishën tënde. Atë çast, pikërisht kjo ishte puna e duhur për të bërë. Këashtu që përgjigjet e pyetjeve tua janë: punëtorët më të rëndësishëm janë gjithnjë ata që i kemi bashkëpunëtor në çastin e dhënë, sepse asnjëherë nuk dihet a do i kemi edhe më tej në krahun tonë ose gjërat do të ndryshojnë. Koha më e mirë për të punuar është ky moment, momenti i së tashmes, sepse vetëm mbi atë moment kemi kontroll të plotë. Ndërsa puna më e mirë për ta bërë në çdo kohë është tu ndihmosh të tjerëve.”

Me këto përgjigje perandori u kthye dhe sudnoi në mënyrë të drejtë dhe të devotshme.

Puna më e mirë është ndihma ndaj të tjerëve, kishte thënë dietari. Momenti më i mirë për të punuar është ky i sotmi. Punëtorët më të mirë janë bashkëpunëtorët tanë të atij momenti dhe me ata duhet bashkarisht të ndajmë çdo sfidë.

Le ta fillojmë Ramazanin duke reklektuar pak më shumë për të tjerët se sa për vetvehten. Sigurisht që kjo do të na sjellë shumë më tepër kënaqësi dhe devotshmëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button