Pse investuesit e huaj nuk e duan Maqedoninë?

Shifrat e palakmueshme për investimet e huaja sipas një pjese të ekspertëve nuk është si rezultat vetëm i krizës në Evropë.

Qeveria demonstron qetësi, investitorët e huaj paralajmërojnë aktivitete për përmirësimin e klimave afariste.

Sivjet, Maqedonia është duke u ballafaquar me rënie drastike të investimeve të huaja dhe dalje serioze të kapitalit të huaj. Në muajin shtator janë regjistruar vetëm 44 milionë euro investime, apo pesë herë më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa madje 92 milionë euro janë larguar nga vendi. Arsyet për trendin e tillë negativ, Qeveria i detekton kryesisht në krizën globale dhe ndodhitë në Evropë.

Nga ana tjetër, ekspertët paralajmërojnë se kjo është vetëm një pjesë e problemit. Fakti se rezultatet në këtë plan janë të dobëta edhe përkundër roud-shouve të shumta qeveritare, sipas profesorit universitar Vanço Uzunov, tregon edhe për problemet e brendshme sistematike:

“Ekonomitë aziatike dhe disa ekonomi tjera në botë nuk janë në krizë. Aq sa di Qeveria, veçmas në gjysmën e parë të këtij viti shkonte në ato vende në kërkim të investimeve, por edhe ato nuk erdhën. Do të thotë shkaqet nuk janë vetëm jashtë Maqedonisë, por edhe në Maqedoni. Ndërsa, fakti se Qeveria i bën ato reforma improvizuese, reforma formalisht juridike, ndryshon ligje me shpejtësi dhe disa akte nënligjore, është vetëm një mënyrë për të dalë si lartë e ranguar për cilësi në rrethimin vendor për zhvillim të biznesit, megjithatë biznesmenët nuk janë naiv që të besojnë këtë, por pyesin se çfarë është de facto rrethimi dhe shihet se shumë gjëra nuk funksionojnë si duhet”, konsideron Uzunov për Deutsche Welle.

Qeveria është e kënaqur se nga viti 2007 në vend janë investuar një miliardë e 550 milionë euro kapital i huaj. Ministri i Financave Zoran Stavreski pret që niveli i investimeve të rritet me uljen e trysnisë nga kriza evropiane. Stavreski thekson se pritjet janë që në vitin 2013 kriza evropiane të mundësojë që pjesa më e madhe e investimeve të paralajmëruara të realizohen, gjegjësisht se kriza gradualisht do të dobësohet dhe në këtë mënyrë kompanitë më lehtë do të vendosin t’i realizojnë investimet.
“Konsideroj se ajo që ngjau muajve të fundit ku filluan me ndërtimin e fabrikave dhe kompanive tregon se biznes klima në Maqedoni është e mirë, ndërsa këtë e konfirmojnë edhe institucionet ndërkombëtare financiare”, konsideron Stavreski.

Investitorët e huaj që tashmë janë të pranishëm në vend po ashtu konsiderojnë se trendi negativ është si pasojë e ndodhive globale. Megjithatë, ata paralajmërojnë edhe për shumë dobësi sistematike që e frenojnë biznesin e tyre, veçmas në pjesën e komunave.

Paralajmëruan aktivitete të përforcuara për përmirësimin e gjendjes në pjesën e jurisprudencës, ligjin për marrëdhënie pune dhe sistemin e tatimimit, i cili ndonëse është i volitshëm, u krijon probleme të caktuara. 

“Sistemi i tatimimit në vend është stimulues dhe tërheq investime, por ekzistojnë edhe taksa tjera administrative varësisht nga industria që nga aspekti ynë po ashtu konsiderohen si njëfarë forme e tatimimit. Mendoj se është korrekte të thuhet se ka mundësi që të përmirësohet situata veçmas kur bëhet fjalë për komunat të cilat taksat administrative i interpretojnë në mënyrë të ndryshme, ashtu që investimet e huaja duhet t’u përshtaten në kontaktet me to. / DW /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button