BERZH do ta mbështesë Maqedoninë e Veriut me 250 milionë euro në luftën kundër COVID-19

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do ta mbështesë Maqedoninë e Veriut me 250 milionë euro në menaxhimin e pasojave të koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Portalb.mk.

Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, së bashku me ministren e Financave, Nina Angellovska, dhe ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, kanë zhvilluar një takim përmes videokonferencës me presidentin e BERZH-së, Suma Chakrabarti, dhe bashkëpunëtorët e tij, për situatën me pandeminë COVID-19 dhe pasojat e shkaktuara nga virusi globalisht dhe në Maqedoninë e Veriut.

Sipas një deklarate të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Chakrabarti ka shprehur kënaqësi për mënyrën me të cilën autoritetet e vendit po përballen me pandeminë COVID-19, si dhe masat e marra për të zvogëluar pasojat.

Gjatë takimit online është deklaruar se banka do të aktivizojë “Paketën e Solidaritetit” për menaxhimin e pasojave ekonomike të pandemisë, ndërsa mbështetje e konsiderueshme do të orientohet për vendet të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedonisë e Veriut.

“Këtë vit, Republika e Maqedonisë së Veriut do të mbështetet nga BERZH me një paketë prej 250 milionë eurosh me qëllim për të mbështetur sektorin financiar, sektorin e energjisë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por edhe kompanitë e mëdha”, theksohet në njoftimin e qeverisë.

Një pjesë e kësaj mbështetjeje do të orientohet në projektet e infrastrukturës, të cilat në periudhën e ardhshme duhet të finalizohen në bashkëpunim midis Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe BERZH-së.

Presidenti i BERZH-së, Chakrabarti, siç thuhet në deklaratë, ka shprehur urime për anëtarësimin e vendit në NATO dhe fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE).

Ai gjithashtu ka theksuar se BERZH mbetet e përkushtuar për të mbështetur Maqedoninë e Veriut në procesin e negociatave me BE-në, dhe se një memorandum bashkëpunimi në këtë fushë do të nënshkruhet në të ardhmen e afërt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button