Huliganët maqedonas, të lidhur ngushtë me partinë në pushtet

Shtimi dhe shpeshtimi i incidenteve të fundit ndëretnike të nxitur nga huliganët maqedonas me doemos shtron pyetjen se kush dhe pse qëndron pas ngacmimit të marrëdhënieve ndëretnike në vend. Prej nga financohen dhe përkrahen grupimet nacionaliste të tifozëve maqedonas të cilët pavarësisht kundër kujt përballen, armik kanë vetëm një: shqiptarët! 

Kjo mund të nxirret lehtë si përfundim duke parë repertorin e këngëve që përdorin, si dhe përmbajtjen e mesazheve dhe parullave me të cilat stolisin tribunën. Pikërisht edhe thirrja e para disa ditëve nga “Komitët” për bashkim të grupeve maqedonase kundër shqiptarëve e vërteton se larg nga futbolli dhe sporti në përgjithësi, huliganët maqedonas ndjejnë vetëm një rivalitet, atë etnik ndaj shqiptarëve.

“Deri sa populli merr kahje drejt ndarjes, politika qeveritare në vend se të ja ndërron drejtimin urrejtjes ndëretnike dhe ndërfetare në mënyrë indirekte po përkrah procese të cilat theksojnë vetëm dallimet. Kam ndjenjën se vitet e fundit nuk ka pasur fushë sociale e cila nuk ka qenë e provokuar në skajshmëri nga dy komunitetet etnike. Domethënien e vërtetë të sportit e shoh si fushë e cila bashkon njerëzit dhe ofron mundësi për njohje më të mirë të kulturës, traditave, dhe vlerave mes popujve. Për fat të keq sporti te ne po shndërrohet në fushë ku dalin në shprehje dobësitë e një populli i cili në pamundësi të tregojë gatishmëri për bashkëpunim, shfryn frustracione dhe tregon elemente raciste të cilat lënë pasoja në marrëdhëniet e mëtutjeshme ndëretnike dhe ndërfetare” – thotë Albert Hani, analist politik.

Sipas tij, të gjitha provokimet dhe fyerjet që vijnë nga tifozët maqedonas janë të nxitur nga politika etnocentrike që kultivon pushteti.

“Brohoritjet dhe fyerjet e njëpasnjëshme të fansave i shoh si rrjedhojë e incidenteve provokuese të njëpasnjëshme mes dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni. Këto provokime shtrihen ne folenë e një politike etnocentrike, suksesi i të cilit mbështetet në urrejtje ndaj të ndryshmit. Partitë politike nuk janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë historike lidhur me ardhmërinë e shtetit, nga se për fat të keq ato me logjikën “një votë plus” në mënyrë indrekte përkrahin fenomen të rrezikshëm social dhe i japin atij një trajektori ndarëse e cila më vonë nuk do të lë mundësi për zgjidhje afatgjate, të qëndrueshme dhe sistematike” – tha Hani.

Edhe në të kaluarën ka pasur raste kur vizionet e huliganëve maqedonas shpesh janë përputhur me ato të ndonjë partie politike, sidomos të asaj që tani ndodhet në pushtet. Ministra, deputetë dhe anëtarë tjerë të kësaj partie edhe personalisht në të kaluarën kanë qenë pjesë e grupacioneve të tilla nacionaliste, ndërsa pas ardhjes në pushtet, “miqtë e vjetër” po i shpërblejnë me financim të udhëtimeve jashtë shtetit, ku edhe pse kundërshtar sportiv është palë tjetër, në tribuna fyhen ekskluzivisht shqiptarët. Në fotografinë e mëposhtme mund të shihni se edhe publikisht një prej grupeve më nacionaliste në Maqedoni “Komiti”, vite më parë shpalosi në stadium sloganet e atëhershme të VMRO-së, “ndryshime”./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button