Qeveria miratoi ndryshime në lojën shpërblyese “TVSH-ja ime #Shpërblimi Im”

Në Seancën e 45-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u vendos që një pjesë e fondit të lojës shpërblyese “TVSH-ja Ime #Shpërblimi Im” të destinohet në Fondin për menaxhimin me virusin korona, transmeton Portalb.mk.

“Në këtë seancë Qeveria e RMV-së vendosi për zvogëlimin e fondit shpërblyes të lojës shpërblyese “TVSH-ja ime, #Shpërblimi Im” për të zhvendosur  mjete në Fondin për ndihmë dhe përkrahje për menaxhimin e krizës si pasojë e virusit korona”, njoftojnë nga Qeveria.

Qeveria kërkoi që “Llotaria shtetërore e RMV-së” mjetet në vlerë prej 4,383,410 denarë t’i destinojë në llogarinë donator të hapur në kuadër të Sekretarit gjeneral të Qeverisë.

Qeveria gjithashtu kërkoi nga Llotaria në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e të ardhurave publike të riorganizojnë rregullat e kësaj loje shpërblyese.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme, vendosi që të shkurtoj orën policore. Me kërkesë të Komisioni për sëmundje infektive, ora policore gjatë ditëve të punës do të fillojë nga ora 19:00 – 05:00, ndërsa gjatë fundjavë, ora policore do të fillojë të shtunën prej orës 15:00 dhe do të zgjasë deri të hënën në orën 05:00. Ky vendim i Qeveris, do të hyj në fuqi nga dita e nesërme.

Ndryshe, me propozimin e Ministrisë së Financave, nisi organizimi i lojës shpërblyese ”TVSH-ja ime, shpërblimi im”. Siç thuhet në kumtesën e Qeverisë, realizimi i lojës shpërblyese bëhet me qëllim të forcimit e mëtutjeshëm të disiplinës fiskale, ndërgjegjësimin e qytetarëve për kërkimin e detyrueshëm dhe marrjen e llogarive fiskale.

Masa, do të gjenerojë të ardhura shtesë për qytetarët, ndërsa do të drejtohet nga Lotaria Shtetërore e RMV-së, si një kompani e autorizuar tregtare në pronësi të plotë të shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike. 

Më së shumti llogari fiskale gjatë ditës janë skanuar më 6 mars edhe atë 717 mijë llogari, gjatë së cilës është realizuar qarkullim prej 304 milionë denarë, për të cilat është paguar TVSH prej 32.5 milionë denarë. Për llogaritë e skanuara qytetarët do të marrin 878 mijë denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button