Gjermania aprovoi testimet e para në njerëz të vaksinës për COVID-19

Gjermania ka aprovuar testimet e para klinike të një vaksine për koronavirusin e ri (COVID-19) tek njerëzit, transmeton Portalb.mk.

Programi i vaksinave të kompanisë së bioteknologjisë “BioNTech” u autorizua për testime klinike njerëzore pas një vlerësimi të kujdesshëm të rreziqeve dhe përfitimeve të mundshme, njoftuan nga Instituti Paul-Ehrlich.

“Ky është testimi i katërt klinik i autorizuar në të gjithë botën në të cilën një kandidat specifik parandalues i vaksinës COVID-19 testohet tek njerëzit”, theksojnë nga instituti.

“Duke marrë parasysh pasojat serioze të pandemisë COVID-19, ky është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të një vaksine efektive dhe të sigurt për COVID-19 që do të jetë në dispozicion në Gjermani dhe në mbarë botën sa më shpejtë të jetë e mundur”, thuhet në deklaratë.

Kompania “BioNTech” e profesorit turk, Uğur Şahin dhe gjiganti farmaceutik Pfizer po krijojnë bashkarisht kandidatë për vaksina, si pjesë e një programi global të zhvillimit.

“Ne jemi të kënaqur që kemi përfunduar studimet para-klinike në Gjermani dhe së shpejti do të iniciojmë testimin e parë në njerëz, përpara pritshmërive tona. Shpejtësia me të cilën ne kemi lëvizur nga fillimi i programit në inicimin e testimit flet për nivelin e lartë të angazhimit nga të gjithë personat e përfshirë”, tha Şahin në një deklaratë.

Sipas Institutit Paul-Ehrlich, në pjesën e parë të autorizuar të provës klinike në Gjermani, do të vaksinohen 200 vullnetarë të shëndetshëm të moshës 18 deri 55 vjeç.

Testimet e mëtejshme përfshijnë persona me rrezik të shtuar nga infeksionimi, që janë planifikuar për pjesën e dytë të provës klinike, me kusht që paraprakisht të dorëzohen të dhëna shtesë të studimit.

Shkencëtarët dhe studiuesit po përpiqen të gjejnë një vaksinë për virusin e ri që ka infektuar mbi 2.57 milionë njerëz në të gjithë botën dhe ka shkaktuar vdekjen e mbi 177 mijë të tjerëve.

Derisa të arrijnë në një zbulim të tillë, ekspertët shëndetësorë janë duke trajtuar pacientë me ilaçe anti-malarie, përfshirë hidroksilkorin dhe klorurinë, të cilat kanë treguar rezultate pozitive për infeksionin e mushkërive të shkaktuar nga koronavirusi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button