I përkushtuari për Kosovën

Nebil Çika ishte publicisti me pikëpamje perëndimore dhe botuesi (së bashku me motrën, Ikbalin) i revistës luksoze, “Minerva”, e cila dallohej për shkrimet analitike dhe fotografitë origjinale.

Gazetari i pashëm, i dashuruari pas italianes së hirshme, besonte se faktori kryesor për zhvillimin e kombit dhe shtetit ishte kultura, kurse elita drejtuese duhej të udhëhiqej nga idetë e reja.

Në kohën kur kishte distancë të theksuar ndërmjet mendimtarëve dhe turmave, kurse mesi (klasa e mesme) nuk ekzistonte, ai besonte se shteti shqiptar, duke mos qenë homogjen, duhej të ishte si piramidë: në maje me njerëzit e mendjes, pastaj kategoritë mesatare dhe në fund turmat.

Ai besonte se kombi dhe shteti s’mund të përparonin, kurse jeta kombëtare s’mund të zhvillohej, nëse elita mendore ishte oportuniste dhe nuk përhapte ide qytetëruese.

Ai i kritikonte elitat e këtilla që, në vend se të organizoheshin, merreshin vetëm me kritika dhe biseda kafenesh.

Ai e kritikonte nivelin artistik të letërsisë së kohës, sepse mendonte që inferioriteti i letërsisë ishte inferioritet i jetës kombëtare.

“S’mund të ketë prestigj një komb, i cili s’ka letërsi të lartë”.

Ai besonte se Shqipërisë së gjendur midis përplasjeve të mëdha i duhej mbështetja e një fuqie të madhe evropiane, kurse preferenca e tij ishte Italia.

Ai  e kishte si preokupim jetësor çështjen e Kosovës, prandaj u ekzaltua kur ndodhi bashkimi i një pjese të saj me Shqipërinë nën sundimin italian, sepse këtë e shihte si shpëtim për shqiptarët.

“S’mund t’i dorëzojmë më kosovarët te kasapët e tyre”, shkruante ai.

Ai e donte këtë bashkim jo vetëm si idealist, por edhe si racionalist. Ky bashkim, sipas tij, do ta ndihmonte shtetin e përbashkët jo vetëm ekonomikisht e politikisht, por mbi të gjitha për zhvillimin e jetës mendore.

“Vetëm po ta kemi Kosovën ne mund të ngrehim një shtet të lirë dhe të vetë mjaftueshëm […] Me Kosovën mund të sigurojmë njëherit pavarësinë ekonomike. Kosova na duhet jo vetëm për arsye biologjike, për aftësi ekonomike dhe për peshë politike, por edhe për zhvillimin e jetës mendore”, shkruante ai.

Ai ishte i prerë: nuk e pranonte indiferencën ndaj kësaj kauze.

“Një popull që heq dorë prej të drejtës së njëmendësimit të njësisë kombëtare të tij për të mos sakrifikuar gjë, është popull pa vlerë etike”.

U pushkatua nga komunistët në vitin 1944.

Krimi ndodhi në “ditën e çlirimit”, në hotelin “Bristol” të Tiranës.

U vra pa gjyq bashkë me intelektualë të tjerë, me akuzën se kishte bashkëpunuar me armikun.

Ishte akuzë e sajuar, si çdo akuzë e regjimit që bashkëpunoi me kasapët e kosovarëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button