RMV, të drejtat që (s)i kanë punëtorët në kohë pandemie

Fillimisht na ulën pagat, pastaj në muajin mars nuk na dhanë asnjë euro kurse tani na kanë pushuar krejtësisht nga puna, kështu për Portalb.mk tha një nga ish kamerierët e Tetovës. Për këtë shkelje dhe të tjera, folëm me docenten Arta Selmani dhe Inspektorin e Punës, Amir Imeri, shkruan Portalb.mk.

“Tmerr, fundi i muajit prill afrohet kurse unë nuk kam asnjë të ardhur. Më larguan nga puna, nuk e di se a duhet të fajësoj pronarin për shkak se as ai nuk punon, fillimisht na ulën pagat kurse tani asnjë euro të ardhur nuk kam” kështu na tha një nga ish kamerierët e Tetovës.

Për të sqaruar rastin e lartpërmendur, e pyetëm profesoreshën që ligjëron lëndën “E drejta e punës” në UEJL, për atë se a i gëzon ky punëtor të drejtat si gjithë të tjerët e që fatkeqësisht rezultoi të mos ishte ashtu.

“Fatkeqësisht, punëtorët të cilët nuk kanë marrëveshje pune në formë të shkruar, nuk i gëzojnë të drejtat ligjore të  punëtorëve, andaj apelimi im është që të gjithë punëtorët të jenë më vigjilent ndaj të drejtave të cilat i fitojnë që nga momenti i nënshkrimit të kontratës së punës dhe momenti i paraqitjes së tyre në Agjencinë për punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Duke pasur parasysh se në vendin tonë ka një numër të konsiderueshëm të punëtorëve “në të zezë“ Qeveria e RMV-së duhet të parasheh një plan të veçantë për mbështetjen materiale të  këtyre personave. Ky plan do të përfshinte të gjithë ata punëtorët “në të zezë“ të cilët do të denonconin punëdhënësin i cili nuk i ka regjistruar, me dëshmi e cila do ta vërtetonte këtë akt. Këto punëtorë për momentin konsiderohen pjesa më e dëmtuar e fuqisë punëtore” shpjegoi Arta Selmani.

Ndërsa Inspektori i Punës, Amir Imeri, ritheksoi se këta persona, të cilët realisht i përkasin ekonomisë informale nuk mbrohen ligjërisht, ai sugjeron që të njëjtit të paraqiten në qendrat sociale.

Asnjë pike më pak ose më shumë të drejta nuk ju janë hequr punëtorëve legal apo të regjistruar, profesoresha Arta Selmani na shpjegoi se cilat janë këta të drejta dhe e njëjta bën thirrje në rast të mosrespektimit të të njëjtave, rastet të denoncohen në organet kompetente.

“Bazuar në legjislacionin pozitiv të RMV-së, kontratat kolektive si dhe dokumentet ndërkombëtare, punëtorët gëzojnë një gamë të gjerë të drejtash, duke filluar nga: lidhja e kontratës së punës, ndalimi i diskriminimit, ndalimi i shqetësimit psikik (mobingut) dhe shqetësimit gjinorë, të drejtën në pauza, pushime dhe mungesa, të drejtën  në rrogë, të  drejtën në kompensim për dëmin e shkaktuar, të drejtën për grevë, të drejtën për organizim sindikal, të drejtën për sigurim pensional dhe invalidor dhe të drejtat në rast të papunësisë. Përveç këtyre të drejtave punëdhënësi është i detyruar që punëtorit t’i sigurojë mbrojtje gjatë punës, kushte pune të sigurta dhe të shëndetshme, dhe në këtë kontekst punëdhënësi ka detyrim ligjorë punëtorit t’ia sigurojë të gjitha mjetet e nevojshme dhe materialin e punës, të sigurojë kushte për sigurimin e jetës dhe shëndetit, që punëtori në mënyrë të papenguar të mund ti plotësojë detyrimet e tij” theksoi Arta Selmani.

Ndërsa në raste si kjo e virusit korona, ajo shtoi se “detyrimi i punëdhënësit është që të ndërmerr masa për mënjanimin e rreziqeve që mund tu kanosen punëtorëve për shkak të realizimit të punës me persona të infektuar dhe nën kushte të rrezikuara”.

Arta Selmani, profesoreshë.
Arta Selmani, profesoreshë.

Për atë se kur, sa edhe në çfarë forme mund të ndodhë ulja e rogës, duke ju referuar ligjeve pozitive në RMV, Arta shpjegon formën si mund të ndodhë kjo.

“E drejta në pagë është kategori kushtetuese dhe ligjore e cila duhet t’i paguhet punëtorit si shpërblim për punën e kryer. Në aspektin e shpërblimit të punës, konkretisht gjatë situatës aktuale, duhet të referohemi në nenin 112 (parag .7 dhe 10) të Ligjit për marrëdhënie të punës i cili përcakton se: Nëse punëtori nuk mund ta kryejë punën për shkak të fuqisë madhore, ka të drejtë në gjysmën e rrogës, për të cilën do të kishte të drejtë nëse do të punonte. Në rast të ndërprerjes së procesit të punës për shkaqe afariste, punëdhënësi detyrohet që punëtorit t’i lëshojë vendim dhe t’i paguajë 70% të rrogës për një periudhë deri në tre muaj në vitin aktual” tha Arta Selmani, profesoreshë.

Çka konsiderohet “fuqi madhore” në kuptimin e këtij ligji?

“Ligji për marrëdhënie të punës nuk jep përkufizim të institutit të fuqisë madhore. Konsideroj se është me rëndësi për lexuesit tuaj të sqarohet përkufizimin që jep teoria juridike lidhur me fuqinë madhore. “Vis maior” është institut që rrënjët e veta i ka që nga e drejta romake – quibus infirmitas humana resistere non potest – veprim i ngjarjeve natyrore, të cilëve dobësia njerëzore nuk mundet të ju kundërvihet. Pra, fuqi madhore konsiderohet çdo ngjarje natyrore e cila nuk varet nga vullneti i njeriut ose është jashtë kontrollit të njeriut, ngjarje e paparashikuar, dhe që nuk mund të përballohet ose të evitohet. Ndodhitë që përfshihen si fuqi madhore mund të jenë: vërshimet, zjarret, luftërat, tërmetet, etj. ngjarje këto të cilat pamundësojnë ose vështirësojnë përmbushjen e detyrimeve nga marrëdhënia e punës në rastin konkret. Bazuar në elementet e fuqisë madhore edhe epidemitë mund të konsiderohen si të tilla” shpjegoi Arta Selmani.

E në rast se ndonjë nga të drejtat e lartpërmendura ju janë cenuar, ju duhet të parashtroni ankesë deri te Inspektorati Shtetëror i Punës në linjën telefonike 15131. Punëtorët gjithashtu për të gjitha shqetësimet e veta mund të drejtohen tek Klinika Juridike “Pro Bono” pranë UEJL, përmes e-mailit [email protected].

Për të mbrojtur punëtorët nga përhapja e pandemisë, për tu siguruar se ata i respektojnë masat e ndërmarra nga Qeveria e RMV-së dhe se nuk ju cenohet asnjë e drejtë e garantuar me ligj, në teren çdo ditë janë Inspektorët e Punës, sipas Amirit të gjitha rekomandimet po respektohen në maksimum.

“Duke e pasur parasysh që shteti ynë për herë të parë ballafaqohet me një problem të tillë siç është pandemia me Covid-19 dhe dhe pasojat që do dalin nga kjo situatë, Qeveria e RMV në kushtet e jashtëzakonshme solli një numër të madh të dekreteve me fuqi ligjore,konkluzione dhe rekomandime.  Sidoqoftë, pasi që ne nuk kemi praktikë të vendosur në lidhje me situatën e cila preku fuqishëm të gjithë ne,ekonominë, pastaj kryerjen e procesit të biznesit me secilin punëdhënës, të drejtat dhe detyrimet e punësimit dhe mbi të gjitha mbrojtjen e shëndetin e të gjithë qytetarëve, vendimet e marra nga qeveria e RMV ndoshta nuk janë edhe të mjaftueshme për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve. Megjithëse, vlenë të theksohet se qeveria ka dhënë rekomandime se sit ë trajtohen punëtorët në fabrikat e prodhimit në mënyrë që të mbrohen punëtorët nga përhapja e virusit Covid19  edhe atë: punëdhënësit të sigurojnë dezinfektues në hyrje të puntorive  dhe në çdo zyrë tjetër, të sigurohen doreza dhe maska për punëtorët gjatë procesit të punës, të sigurohet distanca e punëtorëve nga 1.5 deri në 2 metra,të reduktohet volumi i punës, transporti punblik deri te vendi i punës për punëtorët  të organizuar nga pundhënësit të bëhet me numër të përgjysmuar etj. Nga puna jonë që e bëjmë në teren, unë mund të them se të gjitha masat dhe rekomandimet e dhëna nga qeveria po respektohen shumë nga punëtorët dhe punëdhënësit” tha Amir Imeri, Inspektor i Punës.

Të dhënat zyrtare që na i dha ministri për drejtësi Blerim Bexheti flasin se shqiptarët në këtë institucion janë të përfshirë me vetëm 13.5 %.
Ilustrim

Për në fund, Amiri na tregoi se kush edhe në çfarë forme mund të shfrytëzoje pushimet vjetore në kushte të pandemisë dhe të gjendjes së jashtëzakonshme, kjo sipas tij varet prej sektorit në të cilit punon punëtori.

“Në Gazetën Zyrtare nr.90 nga 04.04.2020 qeveria lëshoi ​​një dekret me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për marrëdhëniet e punës gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, ku neni 3 përcakton:
Për punëtorët e punësuar në sektorin privat të mbuluar nga masat e përkohshme për mbrojtje nga përhapja dhe parandalimi i COVID-19, pjesa e shfrytëzuar e pushimit vjetor, pra pushimi vjetor i papërdorur nga viti kalendarik 2019  të shfrytëzohet deri më 31 maj 2020, sipas nevojave të procesit të punës  dhe miratimit të punëdhënësit, kurse pjesa e pushimit vjetor për vitin 2020 që duhet të shfrytëzohet për dy javë të pandërprera pune, duhet të shfrytëzohet deri më 30 qershor 2020, sipas nevojave të procesit të punës dhe miratimit të punëdhënësit. Kjo vlen për tre kategoritë e personave që tashmë përdorin pushimin e paguar në bazë të një vendimi të qeverisë: prindërit e fëmijëve deri në 10 vjet, personat e sëmurë kronikë dhe gratë shtatzëna. Sa për punonjësit e sektorit publik, e drejta e tyre për pushim vjetor rregullohet me një dekret me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për punonjësit publik gjatë gjendjes së jashtëzakonshme (Gazeta Zyrtare Nr. 95, datë 08.04.2020) ku në  Art.  2 shprehet se: Punonjësit në sektorin publik të cilët janë të punësuar dhe angazhuar në mënyrë aktive gjatë kohëzgjatjes së masave për mbrojtje nga përhapja dhe parandalimi i COVID – 19, mund të përdorin pjesën e papërdorur të pushimeve vjetore nga viti kalendarik 2019 deri më 31 maj 2020, sipas nevojave të procesit të punës” shtoi Amir Imeri.

Ndihmë juridike falas për të gjithë punëtorët të cilëve ju janë shkelur të drejtat

Organizata joqeveritare “Multikultura” ofron ndihmë juridike falas për të gjithë punëtorët të cilët besojnë dhe kanë dëshmi relevante se të drejtat e tyre janë cenuar në këtë kohë pandemie, ata mund të kontaktohen në numrin e telefonit 044377775 apo përmes e-mail adresës [email protected].

Ndihmë Juridike pa pagesë, Multikultura.
Ndihmë Juridike pa pagesë, Multikultura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button