Amnistia e Pavarësisë, “shpëtojnë” nga akuzat 4 të pandehur të Gërdecit

Padia penale e ngritur nga personat e dëmtuar nga shpërthimi i 15 marsit në Gërdec ndaj katër të pandehurve, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli, Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeçi është pushuar si çështje ditën e djeshme nga Gjykata e Tiranës. Sipas trupit gjykues, vepra penale “e plagosjes së rëndë nga pakujdesia”, është amnistuar, ç’ka do të thotë që çështja ndaj katër të pandehurve konsiderohet e mbyllur. 

Të dëmtuarit nga shpërthimi i Gërdecit kishin ngritur akuzën e “plagosjes së rëndë” pranë Gjykatës së Tiranës kundrejt Minxollit, Delijorgjit, Pinarit dhe Ngjeçit, çështje që tashmë është mbyllur. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi ish-ministrin e Mbrojtjes, aktualisht ministër i Mjedisit, Fatmir Mediu, në Gjykatën e Lartë. Kjo do të thotë që përderisa Gjykata e Tiranës e pushoi këtë padi për shkak të amnistisë, të njëjtin “fat” pritet që të ketë edhe padia e ngritur ndaj Mediut në Gjykatën e Lartë.

Këtë vit nga amnistia përfituan edhe shumë të dënuar të tjerë, numri i të cilëve shkoi mbi 500, siç pati edhe shumë prej atyre që u dorëzuan vetë pranë komisariateve të policisë, për të përfituar nga amnistia që hyri në fuqi më 28 Nëntor./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button