HERONJTË TANË

E kaluara duket e përhirtë, e mundimshme. Pushteti i egër, ta kalosh jetën si qytetar i rendit të dytë. Vazhdimisht i ndjekur pse ke pasur një dhi për pak qumësht për fëmijët e uritur, pse e ke ndezur një cigare duhan kaçak, pse e ke kënduar një këngë trimërie. Njeriu tmerrohet nga emocionet që t’i sjell kujtesa, të cilat ta pushtojnë shtatin e të rrëqethin më shumë se sa që ta falin një rreze drite, së paku të zbehtë. Çka më duhen kujtime mua kur në atë album më mungon nëna e në plan të parë më dalin skena horor të policisë që na e bastiste shtëpinë ta gjejë “duhanin” e fshehur” duke i shpuar me bajoneta muret e shtëpisë të bëra me plitharë. Ato as nuk janë kujtime, por udhëtim nëpër skëterrë. Por kjo ka ikur me erën pranverore. Ka mbetur pas nesh.

Hall kemi me të tashmen. Kjo e tashmja është hata. Një gogol i  vockël, fare i imët, i padukshëm  me emrin e bukur “kurorë” doli si me shaka para nesh e na stepi, njëherë, pastaj na ngujoi që të gjithëve nga pika më lindore e globit deri në pikët më të largët të perëndimit. Rrimë para ekraneve televizive dëgjojmë të shtrënguar statistika në të cilat numërohen njerëzit që i ka vrarë “kurora” dhe na lind një xixëllimë shprese kur folësi tregon lajmin tjetër numrin e njerëzve që i kanë shpëtuar kësaj kuçedre vrastare të padukshme.

Ndalemi, heshtim pas lajmeve dhe e shohim se në fakt ne jemi edhe më të imët se kuçedra e padukshme që ka emër të bukur “kurorë”. Edhe më shumë na pushton pasiguria kur po bindemi se jo ne, por i tërë rruzulli tokësor po del më i vogël dhe më i pafuqishëm se kjo kuçedër e vockël, e imtë, krejtësisht e padukshme. Shikojmë kah lartë – tavani, shikojmë poshtë – patosi, anash katër mure dhe dera e mbyllur. Jashtë ec e dil! Del, po kuçedra e vockël i ka zënë pritat aty ku s’e pret e gatshme për të sulmuar, kurse ti nuk ke mburojë.

Dhembja që na godet shpirtin dëshmon se ne nuk jemi kreshnikë si duam ta preznatojmë veten vetëm pse kemi vrarë ujqër e dhelpra, arinj e rrëqebuj, flutura e xixëllonja, dallëndyshe e shqiponja, peshq e balena. Pastaj habitemi se pse gjatë këtij muaji e sa që jemi të ngujuar ajri është më i pastër, pse i shohim yjet njësoj qart si atëherë kur kemi qenë fëmijë. Mos ka ardhur të na hakmerret kjo kuçedër e vogël pse ua kemi grabitur tërë hapësirën kafshëve të gjora, pse jemi bërë aq llaskuçë e mendojmë vetëm për fytin tonë. As thërrmijat nuk ua japim zogjve si dikur, as na shkon mendja se ka njerëz të uritur kur hedhim me tona bukë e gjellë. Mos është ndoshta kjo një vërejtje se nuk jemi si e mendojmë veten duke e lidhur kollaren e ministrit, të biznesmenit, të pronarit, po jemi me të drejta të barabarta për jetë me fluturat, me bletët, me dhitë e egra që dikur ishin banore krenare të bjeshkëve tona e sot mund t’i numrojmë në gishta në tërë hapësirën tonë etnike bashkë me shqiponjat krenare që s’i sheh askund.

E tashmja i ka hequr nga përditshmëria berberët stilistë që i rregullojnë flokët e grave sipas modës së fundit, manikyre e pedikyre, dyqane mode, dasma të shtrenjta, vizita te miqtë e festa të këtilla e të atilla. Nuk lejon kuçedra e padukshme të shkosh as në tempujt e fesë, as në koncerte e madje-madje ajo qëndron edhe para dyerve të tregjeve të gjelbra. Nuk ka mëshirë as për fëmijët. Edhe atyre ua ka mbyllur çerdhet, ua ka mbyllur kopshtet, shkollat kurse pleqve ua tregon gishtin e padukshëm tregues si kërcënim që do të thotë: po të pashë diku keq do t’i kesh punët.

Na kanë mbetur vetëm politikanët dhe mjekët. Politikanët na i përcjellin porositë e mjekëve që na mësojnë si të mbrohemi. Dhe ne po njoftohemi për së dyti e për së treti e për shumë herë të tjera me politikanët. Ata sërish mbeten heronjtë tanë. Ata. Vetëm ata. Kurse policët që natë e ditë kujdesen që kështu të ngujuar të na e ruajnë sigurinë, ata mbeten në mëshirën e harresës. Ata, themi, e kanë punë ta rrezikojnë veten para kuçedrës së padukshme. Po mjekët, ato gra e ata burra që janë në vijën e zjarrit që edhe jetën e kanë vënë në rrezik për t’i mbrojturjetët tona – ata ne i mbajmë në anonimitet. Me ngulm, në vend se ata të jenë heronjtë tanë. Unë i di disa që sot natën e bëjnë ditë duke u kujdesur për të sëmurët, i di si të tillë që kurrë nuk dinë ta kursejnë veten: Dr. Ilir Demiri, Dr. Fadil Cana, Dr. Arben Rexhepi, Dr. Urim Isai, Dr. Ilir Vela, Dr. Arben Taravari, Dr. Bekim Pocesta, Dr. Florije Raka, Dr. Aleksandra Stevçevska, Dr. Shpend Idrizi, Dr. Ivica Stojanovski, Dr. Hajber Taravari… Kaq i njoh unë. Po ka edhe të tjerë. Këta duhet të jenë në lajmet e para, në faqet e para të gazetave. Këta janë e tashmja jonë. Këta janë heronjtë tonë. Ta rregullojmë të tashmen, që t’ua lëmë fëmijëve të ardhmen e sigurt!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button