Më në fund, flet Ramushi

Ramush Haradinaj, më në fund, ka folur konkretisht për mundësinë që partia e tij t’i bashkohet PDK-së në qeverisjen e vendit. Për këtë, tha se është duke u hartuar një plan konkret. Zyrtarët e AAK-së insistojnë që posti i kryeministrit t’i takojë liderit të tyre, derisa zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi është shprehur se gjithçka do të sqarohet në bisedimet mes krerëve të dy partive.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të hënën për herë të parë ka folur hapur për mundësinë e lidhjes së një koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike të Kryeministrit aktual, Hashim Thaçit, shkruan “Express”.

Haradinaj të enjten u shpall i pafajshëm nga Tribunali i Hagës për krime të luftës, derisa të hënën në ditën e parë të punës mblodhi strukturat e partisë së tij për t’u treguar se ka ndërmend të hyjë në Qeveri.

Për këtë, ai tha se po hartohet një plan.

“Ne jemi të interesuar edhe në marrjen e përgjegjësive në qeverisje në të ardhmen, kemi një projekt ideor të padefinuar, do ta zhvillojmë në kohë”, tha Haradinaj.

“Jemi duke e zhvilluar një projekt të marrjes së përgjegjësive, nuk e kemi të përfunduar, jemi në zhvillim e sipër. Sapo të kemi informata, do të jem transparent ndaj qytetarëve të vendit”.

Mundësia për një koalicion mes PDK-së dhe AAK-së ka kohë që përflitet në opinion, shumëçka u sqarua kur AAK dërgoi Blerim Shalën si Koordinator Politik në dialogun me Serbinë, derisa deklaratat e fundit të liderit të kësaj partie pothuajse nuk lënë asnjë dyshim për drejtimin që po merr kjo çështje./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button