Gjokoviq kundërshtoi vaksinimin e detyrueshëm për koronavirus

Tenisti numër një në botë për meshkuj, Novak Gjokoviq, tha se është kundër vaksinimit për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Gjokoviq tha se do të duhet të marrë një “vendim” nëse lojtarët detyrohen të vaksinohen.

“Nuk do të doja të detyrohem që të marr vaksinën, për të pasur mundësi për të udhëtuar”, tha Gjokoviq gjatë një paraqitjeje të drejtpërdrejtë në Facebook.

Ai dhe famija e tij ndodhen të izoluar në Spanjë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, transmeton REL.

“Nëse bëhet e detyrueshme, çfarë do të ndodhë? Do të më duhet të marr një vendim. Unë i kam mendimet e mia për këtë çështje”, tha Gjokoviq.

“Nëse sezoni rinis në korrik, gusht ose shtator – edhe pse ka pak gjasa – e kuptoj se vaksina do të bëhet kërkesë”, shtoi ai.

Tash për tash, të gjitha turnetë e tenisit janë të pezulluara deri më 13 korrik.

Turneu i Wimbledonit është anuluar për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa French Open është shtyrë për katër muaj dhe pritet të zhvillohet në fund të shtatorit.

Me gati 2.5 milionë të infektuar me koronavirus në gjithë botën dhe me mbi 166,000 viktima, autoritetet përgjegjëse po përpiqen të gjejnë vaksinën për të trajtuar sëmundjen COVID-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button