Privatizohen 115 km të “Rrugës së Kombit”

Në janar të vitit 2013, qeveria shqiptare do të vendosë se cilës firme do t’i japë të drejtën për të kontrolluar me anë të koncesionit autostradën Durrës-Kukës, ndryshe e cilësuar si “Rruga e Kombit”, për shkak të rëndësisë dhe vlerës së investimit.

Zëvendësministri i Transporteve të Shqipërisë, Ernest Noka, përgjegjësi direkt për projektin, vijon të mbajë të fshehtë detajet e koncesionit, pavarësisht se për të kaluar rrugën do të paguhen paratë dhe firmat e parakualifikuara janë përzgjedhur me kohë. Tenderi i koncesionit është realizuar prej afro një viti, por ministri nuk jep sqarime për pagesën, se si do të zgjidhet çështja e kalimit për në fshatra dhe zonat e tjera që preken nga autostrada, shkruan “Shqip”.

“Në janar do të lidhet kontrata me firmën fituese, e cila do të ketë disa detyrime, jo vetëm për të vjelë të ardhura nga taksa, por edhe realizimin e investimeve të nevojshme, të cilat në vlerë shkojnë diku te 80-100 milionë euro”, u shpreh në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Noka. Sipas tij, autostrada do të jetë e rrethuar me tela, për të mos lejuar kalimin e bagëtive, të cilat shpeshherë kthehen në shkaktare të aksidenteve.

Debat pati edhe për panoramën që ofron rruga. Shqetësimin e ngriti deputeti ambientalist i PS-së, Besnik Bare, duke marrë si shembull pjesën tjetër të autostradës në pjesën e Kosovës. Merakun e tij e zgjidhi drejtori i Rrugëve, Andi Toma, duke thënë se janë parashikuar të mbillen rreth 12 mijë pemë.

Segmenti Milot-Morinë ka një gjatësi prej rreth 115 kilometrash. Ai ndahet në tri pjesë. Pjesa e parë, Milot-Rrëshen (26 km), financuar nga Banka Botërore, IDA dhe Fondi i OPEC-ut, për më shumë se 30 milionë euro. E dyta, Rrëshen-Kalimash (61 km), përbën një autostradë me katër korsi në terren malor, e ndërtuar me financim të qeverisë (850 milionë euro) nga “Bechtel-Enka”, dhe pjesa e tretë, Kalimash-Morine (31 km), përfunduar në 2011 dhe kryesisht e përbërë nga një trase me katër korsi të dyfishta, e ndërtuar me paratë e buxhetit dhe firmat shqiptare, me vlerë mbi 35 milionë euro. Pra, nga shifrat duket qartë se pjesa që jepet me koncesion ka kushtuar afro 1 miliard euro dhe mirëmbajtja kërkon fonde, të cilat qeveria nuk mund t’i vërë në dispozicion në çdo kohë. Vetëm tuneli, 6 km, ka kushtuar për ta ndërtuar 280 milionë euro. Në fillim, qeveria mendoi të jepte me koncesion vetë pjesën e tunelit, pastaj të gjithë aksin Rrëshen-Kalimash. Si përfundim, me konsultimet e IFC (zyra e Beogradit), vendosi të japë me pagesë të gjithë aksin Milot-Morinë, pjesa afër kufirit me Kosovën.

Pagesa nuk duhet të jetë më e lartë se 5 euro, do të deklaronte pak kohë më parë ministri i Transporteve. Investimi i firmës fituese është detaj jo pak i rëndësishëm pasi përfshin disa elemente me vlerë rreth 100 milionë euro. Firma koncesionare ka të drejtë të menaxhojë autostradën dhe tunelin, duke aplikuar taksa, punime shtesë për stabilizimin e pjerrësive dhe masa mbrojtëse për të parandaluar mbylljen e rrugëve, për përmirësimin e sigurisë në rrugë dhe për të reduktuar gradualisht kostot e operimit dhe mirëmbajtjes. Përveç këtyre kushteve, koncesionari duhet të instalojë rrethimin e aksit, të ndriçojë të gjitha kryqëzimet, etj.

Firmat pretedente

“Autostrada Breschia-Padova”

“Hochtief Solutions PPP”

“J&P Avax” dhe “Egis”

“Strabag” dhe “Intertoll”

“Vinci” dhe “Aktor

Lajme të ngjashme

Back to top button