(VIDEO) Bastiset dhe keqtrajtohet djali i Komandant Malës

Behar Iseni i njohur si Besforti nga lagjja Hasanbeg të Shkupit është marrë dhe maltretuar nga policia maqedonase pas asnjë pretekst dhe pa urdhër gjyqësor. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së premtes, më 30 nëntor, kur disa pjesëtarë të njësitit “Alfa” kanë hyrë në shtëpinë e Beharit i cili po vijonte paraburgim shtëpiak.

Behari 24 vjeçar thotë se njësitet e “Alfas” pasi e kanë marrë nga shtëpia e tij, e kanë dërguar në një parking në lagjen Autokomandë, ku e kanë rrahur dhe keqtrajtuar mbi dy orë, pas çka është dërguar në stacionin policor në Kisella Vodë.

“Më kanë dërguar në një parking ka Saemi, të hotel VIP aty diku, më kanë rrahur, pastaj më kanë hypur në veturë përsëri dhe më kanë dërguar në stacionin policor Kisella Vodë. Edhe aty më kanë rrahur, më kanë futur në podrum duke më tërheq zvarrë, maltretime sa të duash. Kjo ka qenë vetëm hakmarrje për 100 vjetorin. Në stacion më kanë mbajtur rreth 12-13 orë” – tha Iseni.

Nga njësiti Alfa ai është pyetur për Shqipërinë e madhe, manifestimet e 100 vjetorit, ndërsa sipas Beharit në kanë dashur të ja mveshin edhe sulmin me koktel molotovi ndaj ambasadës amerikane një ditë më herët.

“Më kanë pyetur për Shqipërinë e madhe, Thaçin, pse kanë mbajtur manifestime këtu… Thjesht për këtë shkak më kanë rrahur Alfa, ndërsa në stacion inspektorët më kanë pyetur krejt diçka tjetër. Kur e kanë dhënë deklaratën policët e Alfas në stacion policor kanë thënë se më kanë kapur diku në Bit Pazar, dhe kanë dashur të më akuzojnë për sulmin e Ambasadës amerikane” – tha Iseni.

Sipas tij, pasi nuk ka dalur asgjë nga pyetjet që i ka bërë policia, ata kanë filluar ta pyesin për gjëra tjera, mes tyre edhe për rastin e Monstrës.

Ndërkohë nga SPB Shkup thonë se Behar Iseni është kapur në tentim për ikje nga paraburgimi shtëpiak, edhe pse Behari dhe familjarët e tij pohojnë se është marrë në shtëpinë e tij në 4:30 të mëngjesit.

“Personi në fjalë gjendet në arrest shtëpiak, ndërsa nga njësiti Alfa është kapur në tentim për ikje. Pasi është marrë në pyetje në stacion policor, i njëjti është kthyer në shtëpi. Nëse ai ka ndonjë vërejtje për maltretim dhe keqtrajtim do ta këshilloja të drejtohet në kontrollin e brendshëm të MPB-së” – tha Liza Bendevska, zëdhënëse e SPB Shkup.

Ndryshe, Behari është djali i të ndjerit Hamzë Iseni, ish ushtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me nofkën “Komandant Mala”. Familjarët e tij dyshojnë se pikërisht kjo është arsyeja se pse shtëpia e tyre është bërë cak i policisë, pasi kjo shtëpi është bastisur 13 herë për një periudhë të shkurtër./Portalb/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button