fbpx

Drejtorët shqiptarë janë në pritje të dënimeve sepse festuan 28 Nëntorin

Drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme shqiptare të Maqedonisë janë në pritje të dënimeve të paralajmëruara nga Ministria e Arsimit në krye me Pançe Kralev, për arsye se më 28 Nëntor nuk kanë mbajtur programin mësimor por kanë festuar.Ministri urdhëroi që orët e humbura të kompensohen, mirëpo përkundër kësaj, sanksionet do të pasojnë.

Drejtorë, arsimtarë dhe profesor do të gjobiten me shuma të mëdha të parave nga 800 deri më 3 mijë euro madje dhe me largim nga puna.

Për Portalb foli Arif Ceka drejtori i shkollës fillore “Migjeni” në Tetovë, i cili tha se ende nuk është konfirmuar diçka zyrtarisht mirëpo janë duke e pritur vendimin për sanksionet, edhe pse ato orë të humbura do t’i plotësojnë.

“Ende nuk ka asgjë zyrtare, mirëpo jemi të njoftuar se ministria ka vendosur të sanksionoj shkollat të cilët nuk kanë punuar me 28 Nëntor. Ne si shkollë atë ditë punuam mirëpo ishte orari i shkurtuar, nuk deshëm që të hedhim poshtë mundin dhe kontributin e arsimtarëve dhe nxënësve të cilët kishin përgatitur program për atë ditë” tha Ceka.

Po ashtu drejtori i shkollës fillore “Liria” në Shkup Talat Sadiku, u përgjigj ngjashëm me drejtorin Ceka.
“Përderisa nuk kanë ardhur dënimet zyrtarisht, nuk mund të themi asgjë. Mirëpo në rast se konkretizohet diçka ne do të reagojmë pasi që ne nuk e ndalëm mësimin tërësisht atë ditë, ne patëm aktivitete kulturore, sportive etj”,tha ai.

Portalb disa herë ka tentuar të merr prononcim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga zëvendësministri i arsimit Safet Neziri, mirëpo asnjëra palë nuk ka dashur të komentojë rastin. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button