fbpx

Anëtarësimi në NATO dhe përfitimet konkrete në kohë të pasigurisë

Pasojat e Luftës së Parë Botërore sollën ndryshime drastike politike, kulturore, ekonomike dhe sociale në të gjithë Eurazinë, madje edhe në zona jashtë atyre që nuk ishin të përfshirë drejtpërdrejti në luftë. Katër perandori u shembën për shkak të luftës, u krijuan shtete të reja, u rivarrosën kufijtë e vjetër, u rivizatuan të rinj, u krijuan organizata ndërkombëtare, dhe shumë ideologji të reja dhe të vjetra morën një qëndrim të fortë ndaj aleancave dhe ndihmave të jashtme.

1. Lufta e Parë Botërore dhe periudha pas Luftës së Dytë Botërore ishin të rëndësishme për organizimet humanitare ndaj popujve të prekur nga lufta dhe sëmundjet ngjitëse. Shumë gazeta amerikane dhe të Europës Perëndimore raportonin se gjermanët kishin përhapur një sëmundje shumë infektive dhe ngjitëse përmes tabletave të aspirinës “Bayer”, ndërsa shumë misionarë të Kryqit të Kuq Amerikan ndërmorrën aksione humanitare në Europë dhe në Ballkan si pjesë e diplomacisë amerikane liberale të presidentit Uillson për të ndihmuar popujt e prekur nga lufta dhe “Gripi Spanjoll”.

Por jo vetëm kaq, gjatë “Bllokadës së Berlinit” apo siç njihet si “Berlin Airlift” nga viti 1948-49, ishin forcat aleate perëndimore që zbarkuan me ndihmat e para për popullin gjerman të bllokuar në Berlinin Perëndimor nga ushtarët sovjetikë.

Në të njëjtën mënyrë, aleancat në kohë të pandemive, katastrofave natyrore dhe zonave post -konfliktuale janë më kritike se sa në kohë paqeje. Le të mendojmë për një moment kaq të rëndësishëm për rajonin në rast se Ballkani Perëndimor do të varrej sot nga Rusia dhe po aq shumë nga propaganda kineze, dhe kur ndihma për të luftuar pandeminë globale pritet të jetë konkrete në mjete finaciare, paisje mjekësore dhe rimëkëmbje ekonomike.

A mund të barazohen nismat humanitare dhe financiare të Bashkimi Europian (BE) dhe Sh.B.A. që bënë gjatë këtyre ditëve për rajonin dhe Maqedoninë Veriore me nismat jo të sinqerta të disa shteteve që po tregojnë para opinionit ndërkombëtar se po ndihmojnë në kohë krize?

Le të filllojmë këtu me idenë se anëtarësimi i Maqedonisë Veriore në aleancën NATO, me të vërtetë ka pasur dobi, ka qenë e drejtpërdrejtë dhe në rast se të gjitha këta mjete menaxhohen mirë dhe me transparencë publike, do të kenë efekte në mjediset e prekura nga kriza.

2. Tashmë Maqedonia Veriore përdor sistemin e komandës së incidenteve (ngjarjeve) të gjeneratës së ardhshme të NATO-s (NICS) për të koordinuar reagimin e saj kombëtar ndaj krizës COVID-19 dhe për t’i siguruar publikut të saj informacion dhe këshilla në kohë reale. Ekspertët e Qendrës së Menaxhimit të Krizave në Maqedoninë Veriore, tani e kanë përshtatur shpejt sistemin për të përmirësuar reagimin e vendit ndaj koronavirusit. NICS i siguron publikut informacion në kohë reale për statusin aktual të pandemisë në zonën e tyre, si dhe informacion se me kë të kontaktojë për ushqim dhe medikamente. http://nicspublic.cuk.gov.mk. Sistemi gjithashtu mundëson që të gjitha institucionet e vendit, si dhe organizata si Kryqi i Kuq, të komunikojnë dhe koordinojnë aktivitetet e tyre shpejtë.

Në kuadër të ndihmave ndërkombëtare për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Ministria Turke e Shëndetësisë për të ndihmuar në luftën  kundër shpërthimit të COVID-19 në Maqedoninë Veriore, Malin e Zi, Bosnjë- Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, dërgoi kontingjente me pajisje që përfshijnë maska, pantallona të gjera dhe pajisje tjera të rëndësishme për tu përballur me sëmundjen e re.

Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Bosnja – Hercegovina kërkuan ndihmë përmes Qendrës Koordinuese Euro-Atlantike të NATO-s për Reagimin e Fatkeqësive (EADRCC). EADRCC është mekanizmi kryesor i NATO-s për reagimin ndaj katastrofave. Nisma europiane, amerikane dhe ajo turke janë shembull i fundit i përpjekjeve të aleatëve për t’iu përgjigjur pandemisë COVID-19 dhe një sistem që është i shpejtë në kohë të ndërprerjes së qarkullimit të mallrave në infrastrukturën kritike.

3. 70 milion euro ndihmë të BE-së për Maqedoninë Veriore për të luftuar krizën e koronavirusit brenda disa ditësh. Shuma do të aktivizohet në faza të ndryshme për të ndihmuar sistemin e shëndetësisë së pari, dhe ekonominë tjetër tha kryeministri Oliver Spasovski për mediat.

A po na bashkon të gjithëve ky humanizëm që vinë nga shtetet anëtare të NATO-s? Përpjekjet e BE-së po rriten ndjeshëm. Parlamenti Europian (PE) miratoi një paketë të madhe financiare, me 37 miliardë euro nga fondet në dispozicion të BE-së në zonat që janë goditur më rëndë nga pandemia dhe 800 milion euro shtesë për të mbuluar emergjencat e shëndetit publik. Komisioni Europian (KE) ka propozuar një kredi shtesë 100 miliardë euro për të siguruar mbijetesën e bizneseve, mbajtjen e vendeve të punës, dhe mënjanimin e ndërprerjes së pagave dhe të ardhurave. Kjo është e paimagjinueshme se si BE edhe pse me vonesë, arriti të zbarkojë në vendet e krizës dhe në Ballkan- në shtetet aspirante dhe atyre që tashmë kanë marë statusin e kandidatit për t’i filluar bisedimet me BE-në.

Për më shumë, Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen tha se buxheti tjetër afatgjatë duhet të përfshijë një “Plan Marshall” për rimëkëmbjen ekonomike. Ky do të jetë një hap vendimtar për të ardhmen ekonomike dhe sigurinë afatgjate të rajonit dhe të Maqedonisë Veriore. Të gjitha nismat ndërkombëtare që vazhdojnë në Maqedoninë Veriore dhe nëpër shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, tregojnë për angazhimin e vendosur jo vetëm të aleatëve por edhe të forcave që dëshirojnë një Ballkan të ri që nuk i ngjason më viteve të pas Luftës së Parë Botërore.

Pika kryesore është këtu, se ndërtimi i aleancave në momente kritike, anëtarësimi i Maqedonisë Veriore në NATO dhe marrja e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në, janë po aq të rëndësishme sa shpallja e pavarësisë së një shteti nga një union jo funksional dhe botë koloniale.

“Plani Marshall” për Ballkanin, do të transformojë rajonin dhe Maqedoninë Veriore si dikur Europën Perëndimore të dalë nga Lufta e Dytë Botërore e cila pa ndërtimin e aleancave ekonomike dhe ushtarake, nuk do të kishte rol kyç në krizat globale dhe as do të ishte fuqi që vendos në të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Mësimi që duhet të nxjerrim si vend i vogël dhe me kapacitete në ndërtim, është se duhet të zgjedhim se cilët janë në të vërtetë partnerët tanë strategjikë që tregojnë mikëpritje dhe na furnizojnë me ushqime, medikamente dhe ndihma tjera financiare për tu përballur me krizat e dekadës. Në fund nuk duhet t’i përsërisim gabimet e qeverive të kaluara në lidhjet dhe anëtarësimet në aleancat kolektive të vërteta dhe të dobishme për të gjithë anëtarët dhe në aleancat që statusi i një kandidati është nënçmues.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button