OBSH-ja: Mund të agjërohet sikurse viteve të kaluara

Pas informacioneve se agjërimi i Ramazanit është i dëmshëm në kohë pandemie dhe mund të nxisë shpërthimin e COVID-19, sepse stresi fizik favorizon sëmundjen, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar një udhëzues që ka të bëjë pikërisht me muajin e shenjtë të Ramazanit. OBSH-ja, në udhëzimin e publikuar enkas për periudhën e Ramazanit ka konfirmuar se njerëzit mund të agjërojnë sikurse më përpara, raporton Portalb.mk.

“Asnjë studim mbi agjërimin dhe rrezikun e infeksionit me COVID-19 nuk është kryer. Njerëzit e shëndetshëm duhet të jenë në gjendje të agjërojnë gjatë këtij Ramazani si në vitet e kaluara” thuhet në udhëzimin e OBSH-së të publikuar më 15 prill. Ndërsa, personave të prekur nga virusi u kërkohet të mos agjërojnë, në konsultim me mjekët e tyre, siç do të bënin me ndonjë sëmundje tjetër.

Në këtë udhëzim përsëriten edhe këshilla të përgjithshme lidhur me aktivitetet fizike, tubimet, etj. Gjithashtu, OBSH-ja i ka kushtuar vëmendje edhe organizimit të iftareve duke kërkuar që ato të mbahen në vende të hapura. Në tubimet për iftare është e rëndësishme të mbahet distanca fizike, thuhet ndër të tjera në udhëzuesin e OBSH-së. Këshilla e OBSH-së është që të përdoren kuti dhe ushqimi të shërbehet i paketuar paraprakisht, që të shmanget kontakti fizik.

Një tjetër këshillë është që edhe faljet të bëhen në hapësira publike. Në rast se tubimet për iftare apo faljet bëhen në ambiente të mbyllura, OBSH-ja kërkon që të sigurohet se ka ventilim adekuat, derisa fton që gjithmonë të respektohet distanca midis të pranishmëve. Ndërkohë, në Arabinë Saudite është vendosur që faljet të bëhen në shtëpi, raporton Al Jazeera.

“Shkurtoni kohëzgjatjen e ngjarjes sa më shumë që të jetë e mundur për të kufizuar ekspozimin e mundshëm” thuhet në një nga pikat e udhëzimit, derisa gjithashtu kërkohet t’i ipet përparësi organizimeve më të vogla me më pak të pranishëm dhe jo të veprohet si zakonisht, të bëhen grumbullime të mëdha.

Ramazani fillon javën e ardhshme, më 24 prill dhe zgjat deri më 23 maj.

Autor: Dren Gërguri

Udhëzimi i OBSH për agjërimin
Udhëzimi i OBSH për agjërimin

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button