Shqipëri, u rrit në 548 numri i rasteve me COVID-19

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me konfirmimin e 9 rasteve të reja, numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është rritur në 548, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë testuar 231 persona të dyshuar si bartës të virusit, ose të sëmurë me COVID-19, ku nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 9 raste pozitive.

“Deri në këto momente janë testuar 5,311 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 548 raste, rreth 10 për qind e të gjithë të testuarve. Aktualisht në vendin tonë janë 220 persona të infektuar aktivë. Numri i të shëruarve është më i lartë, dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje që prej 7 ditësh. Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit, 19 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 302.

Sipas njoftimit të ministrisë, numri gjithsej i rasteve tregon për një kontroll të mirë të epidemisë dhe për një numër krejtësisht të mjaftueshëm testimesh për të vlerësuar situatën.

Në Shqipëri për shkak të COVID-19 është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa institucionet kanë marrë masa të shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button