Hungaria: BE të nisë bisedimet me Shqipërinë pas verës

Hungaria mbështet procesin e integrimit të vendit tonë me Bashkimin Europian. Ministri i Jashtëm hungarez pas takimit me homologun shqiptar i kërkoi Unionit që të nisë sa më shpejt bisedimet me Shqipërinë për të rikuperuar të gjithë kohën e humbur gjatë këtyre viteve, transmeton OraNews.

“I kërkoj Këshillit të Bashkimit Europian që të japë një datë për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë të nisë në 6 muajin e dytë të këtij viti. Ky process  integrimi është i rëndësishëm edhe për BE, pasi roli i Shqipërisë në Ballkan është mjaft i rëndësishëm  dhe do të mund të frenojë emigracionin e paligjshëm”.

Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj siguroi se pavarësisht situatës në të cilën gjendemi, Shqipëria është e përgatitur dhe e gatshme për të kryer të gjitha detyrat teknike dhe politike, të cilat kërkohen për të avancuar më tej në procesin e negociatave.

“Megjithatë, jemi plotësisht të vetëdijshëm se, megjithëse shumë gjëra janë bërë, mbeten ende shumë gjëra për t’u bërë. Në këtë kuadër, tashmë duhet të vazhdojmë dhe të fokusohemi fuqimisht në përfundimin  dhe adoptimin e reformës zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODHIR, duke siguruar funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese dhe duke adresuar të gjitha prioritetet e tjera që janë të vendosura në konkluzionet e Këshillit në Mars 2020”.

Për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, Hungaria siguroi në mbështetje të luftës kundër COVID-19, 100 mijë maska dhe 5 mijë kostume mbrojtëse mjekësore, me qëllim forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button