Profecitë Nostradamusiane për botën pas COVID-19

Jetojmë në stinën e pandemisë së egër, kur njerëzimi është mbyllur në burgjet shtëpiake në përpjekje për të shpëtuar prej virusit që e ka mposhtur dhe ia ka cënuar namin e arritjeve marramendese – veçmas atyre në fushën e armatimit, që brenda vitit gëlltisin shumat e parave që do të mjaftonin për të mos vuajtur e vdekur askush nga uria dhe skamja.

Pikërisht tani, shumëkushi shtron pyetjen: si do të duket bota pasi të gjendet vaksina kundër armikut me përmasa hiçi? Pra, pasi ta mundim virusin, i cili disa vende e disa popuj po i faron me mijëra në ditë, kurse disa të tjerë mund t’i farojë edhe më zi, sepse vazhdojnë të jetojnë në kohëra mitike kur s’ka çka u bën bumja

Parashikimet janë optimiste dhe kjo i bën mirë ruajtjes së shpirtit nga shkërmoqja, të paktën për aq kohë sa do të zgjasë paralizimi gati total i jetës. Më utopikët, që ëndërrojnë rende shoqërore ideale, pa shfrytëzim e pa luftëra klasash, pandehin se leksioni që morëm do ta mbarësojë njerëzimin; se, pas gjithë kësaj katrahure, njerëzit do të vetëdijësohen, do të bëhen më të mirë e më fisnikë se ç’i ka falur Zoti; se do të jenë më të përzemërt me familjarët, miqtë, njerëzit e fisit, etnisë e botës mbarë; se do të bëhen më të njerëzishëm e do të sillen më njerëzisht me njëri-tjetrin; se njeriu do të jetë mishërim i së mirës, i së hijshmes, i përzemërsisë, i drejtësisë, i urtësisë, i ndjeshmërisë për hallet e tjetrit; se, përgjithësisht, do të bëhet më njeridashës se dje.

Megjithatë, të gjitha këto parashikime të lakmueshme për çdo njeri të mbarë e shpirtvirgjër, që ha bukën e djersës së ballit, duken hesape të bëra pa hanxhiun; janë shpërngulje romantike nga natyra e vërtetë e njeriut; ikje nga tiparet tona konkrete, që nuk mbështeten në ligjësitë e zhvillimit dhe rrugëtimin historik të shoqërisë njerëzore dhe, pse jo, as në mësimet e librave të fesë, sipas të cilëve njerëzit nuk kanë qenë kurrë të njëjtë, as për nga virtytet (mirësia, pastërtia shpirtërore, përsosuria morale, altruizmi, sjellja e njerëzishme…), as për nga ligësitë (bëmat e ulëta, keqbërjet egoizmi demoniak…). Librat e shenjtë të feve monoteiste/njëhyjnore  (judaizmi, krishterimi e islamizmi), e pohojnë të sipërthënën se njerëzit janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Pra: disa të mirë disa të ligë. Jo rastësisht në kapitujt e tyre flitet për dy bijtë e Adamit/ Ademit – Abelin/ Habilin e Kainin/ Kabilin, përkatësisht për vrasjen e Abelit/ Habilit nga Kaini/ Kabili, ku zunë fill sëmundjet e rrezikshme të njerëzimit: mendjemadhësia, zilia, egoizmi, koprracia, lakmia, hajnia, shpifja, inati, hidhërimi, vrasjet… Në një ajet kur’anor, fjala vjen, për njerëzit e ligë thuhet se Zoti: …ua zgjat jetën vetëm për t’i shtuar gjynahet… (3/178), kurse në një tjetër se: Zoti shpie në rrugë të drejtë atë që do… (2/272)…

Së këdejmi, edhe nga aspekti historik, edhe nga aspekti fetar duket shpresë e kotë pritja se pas Coronavirusit bota do të mdryshojë, se jeta do të zhvillohet pa praninë e së keqes dhe vuajtjes, pa sëmundje, pa virusë të rrezikshëm, pa dhembje, pa katastrova natyrore, pa varfëri të skajshme, pa uri, pa pushtime, pa hegjemoni, pa padrejtësi, pa tortura, pa masakra, pa gjenocide, pa luftëra të tmerrshme…

Këto janë arsyet që nuk na lënë të kthehemi në moshën 3 vjeçare, për të besuar se flutoron gomari, që mbështesin bindjen se, edhe pas kësaj lenxhire, bota/ jeta jonë do të jetë e njëjta, hiq ndonjë ndryshim të papërfillshëm; do të jetë mjaltë e pelin, e bukur dhe e shëmtuar, e lëmuar dhe vrazhdë, me netë të errëta e me ditë diellore, me male e fusha të gjelbra dhe me ujëra të kaltër, me njerëz të mirë e të ligë, me njerëz të ndershëm e me hajdutë, me njerëz të urtë e budallenj, me njerëz që urrejnë e me njerëz vullnetmirë, me njerëz që xhelozojnë e me njerëz që dashurojnë… Bota do të sillet sërish rreth diellit dhe hëna do të ndrijë herë si drapër, herë e tebdilosur në diell që perëndon; do të lindin engjëj e do të vdesin prindër, motra, vëllezër, miq e njerëz që u japin kuptim jetëve tona e hajt bir.

E vetmja gjë që ka ndryshur që tani është bindja e deridjeshme se jemi qenia më e mençur dhe më e fortë e planetit Tokë. Kjo është e mira e vetme e tragjedisë që po e jetojmë aktualisht, është shkolla e madhe që na bindi sa të vegjël e të brishtë paskëshim qenë. Me një fjalë, kjo është ajo që do ta përbëjë ndryshimin e papërfillshëm ndërmjet të djeshmes dhe të nesërmes, ndryshimin e filozofisë jetësore që, të paktën neve të moshave madhore, duhet t’na bëjë më të përgjegjshëm ndaj shumë gjërave, para së gjithash ndaj mendësisë qeshite dhe shëndetit të planetit që ua lëmë trashëgim atyre që vijnë pas nesh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button