Protesta në Hasanbeg, MPB-ja i ka ftuar në bisedë 21 persona: Po sigurojmë prova edhe për persona tjerë

Ministria e Punëve të Brendshme në lidhje me ngjarjen që ndodhi para disa ditëve në lagjen Hasanbeg, gjegjësisht për banorët që dolën në protestë pasi Policia i arrestoi tre qytetarë për shkelje të orës policore, i ka ftuar në bisedë 21 persona, për pjesëmarrje në ngjarjen dhe nuk e kanë respektuar masën e ndalesës për lëvizje me çka kanë kryer vepër penale, njofton Portalb.mk.

“Në periudhën e kaluar, në drejtim të pastrimit të plotë të rastit, Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë me sigurimin e provave materiale për personat e tjerë dhe pas mbarimit të procedurës për të gjithë personat të cilët kanë vepruar në kundërshtim me ligjin do të dorëzohen padi përkatëse deri te Prokuroria Themelore Publike”, thonë nga MPB.

Paraprakisht, Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka dorëzuar urdhër-pagesë kundër tre personave nga Hasanbegu për kryerjen e veprës penale “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë kohës së epidemisë” sipas nenit 206, paragrafi 1 i Kodit Penal.

“Të akuzuarit më 13 prill rreth orës 22:00, në Hasanbeg të Shkupit janë parë jashtë shtëpive të tyre, pa posedim të lejes për lëvizje, me çka e kanë shkelur Vendimin për ndalesë dhe regjim të posaçëm për lëvizje në territorin e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Prokuroria.

Prokuroria Themelor Publike deri te Gjykata Penale e Shkupit ka propozuar që të akuzuarve t’u shqiptojë gjoba në para prej 100 gjobave ditore, 1 prej të cilave kushton 50 euro. Sipas kësaj, tre të akuzuarit duhet të paguajnë nga 5.000 euro.

Ministria e Punëve të Brendshme, për Portalb.mk, i ka dhënë informatat zyrtare në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme në Hasanbeg.

“Më 13.04.202 në ora 22:00, në Stacionin Policor Gazi Babë nga ana e zyrtarëve policorë janë privuar nga liria V.M. (19) nga Haraçina, S.R. (21) nga Hasanbebu dhe V.V. (30) nga rruga “Alija Avdoviq” për shkak të veprës penale sipas nenit 206 nga Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht mosrespektim të kufizimit të lëvizjes. Pas privimit nga liria në rrugën “Alija Avdoviq”, një grup i qytetarëve kanë dalë në rrugë në shenj të protestës. Pas përgatitjes së dokumentacionit përkatës, personat janë liruar nga stacioni policor, ndërkaq grupi i qytetarëve është shpërndarë. Do të ndërmerren të gjitha masat edhe kundër personave tjerë që nuk e kanë respektuar kufizimin e lëvizjes”, thonë për Portalb.mk nga MPB.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button