Për ta fituar këtë luftë, të keni kujdes edhe nga i merrni informatat

Duke marrë parasysh informacionet e shumta që po qarkullojnë nëpër media dhe rrjetet sociale për punën e virusit, unë do ju kisha lutur që në këtë situatë për referencë të merrni vetëm institucionet qeveritare dhe mediat serioze të cilat vetëm i transmetojnë informatat e institucioneve në lidhje me pandeminë dhe nuk merren me komente apo teori konspirative të pabazuara.

Ju lutem që të shmangni faqet nëpër rrjete sociale dhe mediat që nuk kanë impresum, shmangni tekstet që nuk kanë emër të gazetarëve apo të botuesve. Shmangni edhe informatat që nuk kanë referencë dhe që nuk janë të bazuara në hulumtime shkencore. Një lajm pa autor apo pa emër të botuesit është i pabesueshëm dhe shumë gjasë propagandistik. Shmangni edhe personat e caktuar të cilët me ose pa qëllim shkaktojnë konfuzitet në opinion me publikimin ose shpërndarjen e informacioneve të pavërtetuara.

Pra tani për ta fituar këtë luftë, përveç kujdesit të shtuar, mbajtjes së pastërtisë, respektimin e distancës sociale, ne duhet të kemi kujdes edhe me informatat që e ushqejmë trurin tonë dhe shoqërinë. Publikimi ose shpërndarja e një informate të pavërtetë mund t’i kushtojë me jetë një njeriu, një familje, një lagjeje apo edhe një qyteti.

Jemi në një kohë të vështirë, të gjithë kemi dyshimet tona për atë që “po fshihet prapa”, gjërat që i dëgjojmë na duken të pakuptimta sepse nuk jemi ballafaquar asnjëherë më parë me një situatë të tillë, çdo qelizë e jona kërkon një ekuacion të kësaj ngjarje që po zhvillohet tash e 4 muaj, megjithatë, ju kisha lutur që të mos bini në informatat e panevojshme dhe me ose pa vetëdijen tuaj të bëheni pjesë e propagandave të ulëta të grupeve të ndryshme të interesit.

Politikanëve nuk ju besoni, as unë nuk ju besoj kur flasin për politikë! Por në këtë situatë nuk kemi opsion e rrugë tjetër. Ata na i përcjellin fjalët që ua thonë ekspertët e sigurisë dhe të epidemiologjisë, të cilët dhjetëra vite të jetës së tyre i kanë kaluar duke studiuar këto masa.

Duke zbatuar rekomandimet mund të fitojmë, por nëse i fusim njerëzit në dyshime dhe i bëjmë që të mos i respektojmë vendimet dhe rekomandimet e institucioneve, atëherë këtë luftë do e humbasim më keq se Italia, Spanja dhe SHBA-ja. Ju lutem, së bashku të shmangim personat që e mjegullojnë këtë situatë që tashmë është mjaftë e turbullt.

Së pari të kalojmë këtë sfidë duke bërë atë që na thonë ekspertët, e më pas do të kërkojmë ekuacionin e fshehtë me shumë të panjohura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button