Kosova dhe Serbia përgatisin pikat kufitare

Makinerinë e rëndë të kompanisë “Bageri” dhe punëtorët e saj nuk i ka penguar shiu të dielën, teksa po punonin që vendkalimin në Merdar ta bëjnë gati për 10 dhjetor, kur parashihet të nisë zbatimi i Marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM). Pak metra larg pikës së tanishme doganore të Kosovës, ata po bënin gati hapësirat ku do të vendosnin objektet e përkohshme. 

“Ne këtë javë i përfundojmë punimet tona. Nuk e dimë se kur do të fillojnë punën edhe pse na kanë thënë më 10 dhjetor”, tha njëri nga punëtorët që po asfaltonte zgjerimin e rrugës ku do të vendoset pika e re doganore jo larg asaj të vjetrës. 

Në të njëjtën kohë makineritë ndërtimore të kontraktuara nga serbët po hapin dhe po rrafshojnë terrenin edhe në meszonë e cila çon nga Jarinja në Rudnicë ku do të stacionohen pjesëtarët e përbashkët të policisë dhe të doganës serbe. Pikat e përbashkëta doganore në Merdar dhe Bërnjak është duke i ndërtuar pala kosovare ndërsa pikat në Dheun e Bardhë dhe Jarinjë është duke i ndërtuar pala serbe.

Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, e arritur në Bruksel, më vonë do të zbatohet edhe në 2 pikat e tjera ekzistuese, pasi që në fazën e parë koncepti i menaxhimit të përbashkët do të zbatohet vetëm në katër pikat e përmendura. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Sasha Rashiq, ka deklaruar për gazetën serbe “Politika” se ekipet teknike të Beogradit e Prishtinës po mbajnë takime pune dhe po i shqyrtojnë detajet. Ai ka sqaruar se në të gjitha gjashtë objektet e përkohshme do të sistemohen pjesëtarët e Doganës, të Policisë dhe EULEX-it. 

Të njëjtat fjalë i thonë edhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. 

Fisnik Rexhepi, këshilltar politik i ministrit të Punëve të Brendshme, dhe udhëheqës i bisedimeve teknike për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, të dielën nuk tregoi për ditën e saktë të fillimit të punës së këtyre pikave kufitare,  por, siç tha ai,  gjatë këtij muaji do të fillojë së zbatuari ky projekt. “Në dhjetor do të fillojë zbatimi i Marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Në këtë projekt ne jemi duke e ndjekur parimin e reciprocitetit. Dy pika doganore me objekte të përkohshme do të vendosen në territorin e Kosovës dhe dy pikat e tjera në territorin e Serbisë. Objektet e përhershme do të ndërtohen nga Komisioni Evropian në një fazë të mëvonshme”, tha Rexhepi. Sipas tij, grupet teknike gjatë këtyre ditëve do të finalizojnë të gjitha aspektet e tjera teknike para se të fillojë zbatimi i marrëveshjes. Në anën tjetër edhe doganierët, policët dhe inspektorët e veterinarisë dhe të ushqimit janë të përgatitur në punë të përbashkët në këto pika doganore. “Edhe pala serbe është duke punuar në një intensitet të madh për të filluar implementimin e këtij projekti”, tha Rexhepi. 

Për këtë projekt do të bisedohet edhe në raundin e ri të dialogut, gjatë takimeve mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, që është paralajmëruar për të martën, që në rend të ditës do të ketë zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button