Pandemi do të ketë gjithnjë e më shpesh nëse njeriu vazhdon ta shkatërrojë biodiversitetin

Pandemitë në tërë botën do të shpeshtohen, nëse njerëzit nuk e ulin presionin mbi biodiversitetin. Supozimi se përhapja e Kovid-19 ka filluar me kontaktin e lakuriqit të natës dhe njeriut tregon lidhje të drejtpërdrejtë midis diversitetit biologjik të specieve dhe njerëzve dhe transmetimit të viruseve, ndërsa biologët paralajmërojnë se për sa kohë që shkatërrohet bota e kafshëve, njerëzit do të bëhen nikoqirët e rinj të sëmundjeve të tyre, transmeton Meta, përcjell Portalb.mk.

Urbanizimi masiv, ndotja industriale dhe përdorimi i karburanteve fosile po i shkatërrojnë habitatet e qindra mijëra specieve në tërë planetin. Rezultati, në dekadat e fundit, ka qenë ulje e madhe e biodiversitetit në botë, ndërsa gati një e treta e të gjithë organizmave të gjallë janë në rrezik të zhduken. Kjo gjë do të drejtojë viruset, bakteret dhe parazitët e tjerë, të cilët janë  pjesë normale e natyrës së këtij planeti, pikërisht drejt njeriut. Edhe pse ata tani paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë vetëm për speciet që ata i sulmojnë, duke shkatërruar specie të kafshëve të egra, shkatërrohen edhe rezervuarët natyrorë të viruseve, kështu që ata duhet të kërkojnë një nikoqir të ri, njerëzit.

“Njeriu me aktivitetin e tij, drejtpërdrejt ose tërthorazi ndikon në zvogëlimin e numrit të specieve ose në uljen e popullsisë së specieve. Ky fenomen madje po e merr emrin kataklizmë e specieve. Gjatë historisë, njeriu së pari i ka shkatërruar kafshët përmes gjuetisë dhe peshkimit të tepërt, ndërsa tani po e bën këtë me urbanizimin, ndotjen industriale gjithnjë e më të madh dhe përdorimin të madh të karburanteve fosile që po e përshpejtojnë procesin e ngrohjes globale. Duke e shkatërruar botën e egër, ne i tërheqim viruset kah vetja ose kah kafshët shtëpiake që janë burimi ynë i ushqimit dhe pjesë e përditshmërisë sonë. Ndërsa efektet e ndryshimit të klimës do të bëhen më gjithnjë më intensive dhe, ashtu si do të bie numri  i specieve të egra, ashtu do të rritet edhe numri i epidemive të mundshme në të ardhmen”, thotë biologu Kiril Arsovski.

Situata me biodiversitetin është të paktën në prag të humnerës, nga e cila kthim mbrapa s’ka, ndërsa mbetet edhe pak kohë që të ndërmerren masa konkrete për ta ruajtur dhe mirëmbajtur atë, vlerëson profesori në Institutin e Biologjisë, Zlatko Levkov. Ky ritëm i përdorimit të pakontrolluar të burimeve biologjike do të çojë në humbje të pakthyeshme të një numri të madh të specieve në botë, por edhe në Maqedoni. ” Në vendin tonë ekziston një numër i madh i specieve të rrezikuara për shkak të ndikimit intensiv njerëzor të shprehur përmes modifikimit të habitateve siç janë shpyllëzimi, djegia e drunjve të ulët dhe shkurreve, kapja e plotë e burimeve, modifikimi i shtretërve të lumenjve dhe ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël, duke e prishur plotësisht ekuilibrin ekologjik në një zonë më të gjerë. Veçanërisht e rëndësishme është ndotja dhe eutrofikimi i shkaktuar nga shkarkimi i pakontrolluar i ujërave të zeza komunale, por edhe i ujërave të ndotura nga industria dhe bujqësia. Habitatet më të rrezikuara, të atij lloji, janë Liqeni i Ohrit dhe Liqeni i Prespës”, thotë Levkov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button