Sali Berisha zemëron Turqinë

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, nuk është përkulur ndaj presionit të Turqisë për të votuar pro anëtarësimit të Palestinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Por Berisha ka zgjedhur të “dëgjojë” partnerit strategjik SHBA-të dhe jo vendin vëlla, siç e quan ai Turqinë. Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është përpjekur të bindë Berishën që të mos abstenojë për përmirësimin e statusit të Palestinës në OKB në mënyrë që të votojë pro, por nuk ia ka arritur, raporton gazeta turke “Hurriyet”. Ergodan u kishte thënë gazetarëve se ai personalisht u kishte telefonuar liderëve të vendeve që kishin ndërmend të abstenonin pavarësisht qëndrimit të tyre pozitiv të mëparshme sa i takon çështjes së Palestinës.

Kryeministri turk i ka cilësuar këto vende si frikacake duke thënë se në botë ka shumë të tilla. Shqipëria, vendi që Erdogan ka vënë në shënjestër të kritikave të tij, ndryshoi qëndrim “jo” në “abstenim”, pas presionit të madh të Ankarasë, por ka refuzuar të votojë “po”, raporton “Hurriyet”. Erdogan i ka bërë të qartë Berishës se vota abstenim është një votë kundër. “U kam thënë se kjo dëmton marrëdhëniet biletarale që ne kemi”, ka bërë të qartë Erdogan. Ambasadori i Palestinës në Tiranë, Issam Massalha reagoi lidhur me qëndrimin e Shqipërisë duke thënë se, “shpresonim që Shqipëria të radhitej me ata që votuan pro”, duke shtuar se, “nuk jemi të zhgënjyer nga pozicioni i Shqipërisë, populli mik shqiptar qëndron krah palestinezëve”.

Shqipëria ishte një nga 41 shtetet që abstenuan për rezolutën e Palestinës që përmirësonte statusin e saj në OKB. Ajo u reshtur krah vendeve të tjera të rajonit si: Bosnje Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia, Sllovenia, Rumania etj. Zyrtarët në Jerusalem kanë shprehur keqardhje për votën pro të Gjermanisë, që zakonisht ka votuar për Izraelin në forumet ndërkombëtare ndërkohë janë shprehur të kënaqur për 41 vendet që abstenuan sidomos për Shqipërinë, që është një vend mysliman me të cilin Izraeli ka lidhur marrëdhënie vetëm vitet e fundit.

Lajme të ngjashme

Back to top button