Osmani sot para se të izolohet është takuar me shtabin e krizës në Bogovinë

Bujar Osmani para se të vendoset në izolim shtëpiak është takuar me shtabin e krizës së Komunës së Bogovinës, i cili përbëhet prej 16 personave. Megjithatë, Osmani për Portalb.mk tha që epidemiologët do të vendosin se a duhet izoluar këta 16 persona, përfshirë edhe kryetarin e Komunës së Bogovinës, njofton Portalb.mk.

Sot rreth orës 12:00 zëvendës kryeministri tashmë i vetizoluar ka pasur takim me shtabin e krizës së Komunës së Bogovinës, i cili përbëhet prej 16 personave, përfshirë këtu edhe kryetarin e kësaj komune, Albon Xhemaili.

I kontaktuar nga Portalb.mk, Xhemaili tha që deri në këto momente askush nuk e ka informuar se a është e nevojshme që ai së bashku me personat tjerë të cilët kanë qenë në takim, të izolohen apo jo.

“Nuk e di, nuk kam asnjë njoftim apo informacion zyrtar për atë se a duhet apo jo të izolohem une së bashku me shtabin e krizës të Komunës së Bogovinës. Ne jemi brezi i dytë, nuk kemi qenë në kontakt me person të infektuar por gjithsesi presim informacion zyrtar për këtë” theksoi kryetari i Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili.

Sipas Osmanit, epidemiologët do të vendosin se a do të vendosen në vetizolim të gjithë personat të cilët kanë marrë pjesë në mbledhjen e tij me shtabin e krizës të Komunës së Bogovinës, mirëpo ai u shpreh skeptik për këtë.

“Epidemiologët do të vendosin se a do të vendosen në vetizolim këta persona të shtabit të krizës së Komunës së Bogovinës apo jo, ata edhe për ne që ishim në Kumanovë kanë dilema se a duhet të jemi në izolim apo jo për shkak se kemi pasur maska mbrojtëse gjatë gjithë kohës, e le më për ata që i kemi takuar sot” tha zëvendës kryeministri, Bujar Osmani.

Ndryshe, zëvendës kryeministri Bujar Osmani është vendosur në vetizolim sot, vetëm disa orë pasi u konfirmua rezultati pozitiv ndaj virusit korona i kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrijevski, i cili dje kishte pasur kontakt me Osmanin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button