Palmer: SHBA pranë Ballkanit edhe në kohërat e pandemisë

Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Matthew Palmer, ka komentuar për situatën në Ballkanin Perëndimor ndërsa rajoni po përballet me pandeminë e koronavirusit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Palmer nuk pranoi të komentojë për letrën që dy ligjvënës amerikanë i drejtuan Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ku shprehën shqetësimin e tyre mbi përqasjen e administratës së Presidentit Donald Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Palmer theksoi se Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi kryesor jo vetëm drejtëpërsëdrejti në vendet individuale të Ballkanit Perëndimor, por edhe në organizatat ndërkombëtare që e kanalizojnë asistencën e tyre drejt rajonit.

Gjatë intervistës, zoti Palmer e vuri theksin tek ndihma e Shteteve të Bashkuara prej miliarda dollarësh për rajonin e Ballkanit gjatë 20 viteve të fundit.

“Mendoj se është e vërtetë për të gjithë rajonin dhe madje në pjesën më të madhe të botës: Nevojat më urgjente janë për aftësitë për të bërë testime, për paisjet mbrojtëse personale, dhe kapacitetet e kompanive dhe ekipeve të emergjencave për të patur mundësinë t’ua ofrojnë ndihmën atyre që e kanë të nevojshme. Më gjerësisht mendoj se po vihen në pah përpjekjet dhe energjitë që kanë shpenzuar Shtetet e Bashkuara… në mbarë rajonin e Ballkanit, për ndërtimin e institucioneve në mbi 20 vjet. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësinë t’i përgjigjen fuqishëm rrezikut që paraqet sfida e koronavirusit për shkak të përpjekjeve që Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë bërë për të ndihmuar në zhvillimin e këtyre kapaciteteve”, tha ai.

I pyetur për ndihmat ruse dhe kineze, të cilat këto vende i shfrytëzojnë si propagandë, zoti Palmer tha se kjo nuk është një konkurrencë dhe se Shtetet e Bashkuara janë kontribuesit kryesorë të organizatave ndërkombëtare që nga ana e tyre ndihmojnë vendet e ndryshme në rajon.

“Ky nuk është një konkurim. Nëse ka gjëra për të cilat Rusia dhe Kina mund të ndihmojnë Serbinë, apo vende të tjera në Ballkanin Perëndimor, mendoj se kjo është fantastike. Është shumë mirë edhe që Bashkimi Evropian po kontribuon me asistencë të konsiderueshme për Ballkanin Perëndimor. Mendoj se është shumë mirë edhe që Shtetet e Bashkuara po i përgjigjen sfidës. Po përgjigjemi në rrugë dypalëshe, duke dhënë asistencë drejtpërsëdrejti vendeve individuale të Ballkanit Perëndimor”, tha Palmer.

Zv.Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit foli edhe për situatën në marrëdhënien Kosovë – Serbi gjatë kësaj periudhe pandemie botërore.

“Mendoj se në të vërtetë bashkëpunimi midis Serbisë dhe Kosovës për çështjen e koronavirusit është mjaft prekës. Është një nga ato pak lajme të mira, pozitive, që kanë dalë nga e gjithë kjo (situatë). Ka rritje të tregtisë. Ka bashkëpunim për sa i përket kujdesit mjekësor. Kosova dhe Serbia, mendoj se kanë nënshkruar të dyja iniciativën e ‘Korsive të Gjelbra’. Në fakt mendoj se të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor tani marrin pjesë në këtë iniciativë, e cila është krijuar për të lehtësuar, përshpejtuar fluksin e ushqimeve dhe ilaçeve në këtë periudhë krize. Kështu që është inkurajuese të shohësh që Serbia dhe Kosova gjejnë pika të përbashkëta dhe punojnë së bashku për të trajtuar këtë sfidë të përbashkët”, tha zoti Palmer.

Më konkretisht për asistencën për Shqipërinë dhe Kosovën, zoti Palmer rikonfirmoi angazhimin amerikan edhe në këto kohëra të vështira.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button