Mbi ushqimin e shpirtit

Në kohë krize paniku është shumë lehtë të përhapet. Një pjesë e mirë e arsyeve për panik vijnë nga dezinformatat. Duke pasur parasysh zhvillimet e viteve të fundit të teknologjisë dhe rrjeteve sociale dezinformatat tani kanë kaluar në një stad tjetër të zhvillimit që në shkencat e komunikimit konceptohen si lajme të rrejshme. Është vërtetuar se këto lajme të rrejshme arrijnë të futen shumë shpejt dhe lehtë në çdo shtëpi, dhe në këtë mënyrë të manipulojnë me opinionin publik për një çështje të caktuar. Këto lajme shfrytëzojnë pikërisht mundësinë që sot secili e ka për tu qasur deri tek një informatë. Prandaj, asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e lehtë të manipulohet me masat dhe të krijohet panik, kur kjo gjë është e nevojshme për dikë.

Dhe po t’u hidhni një vështrim të shpejtë informatave të ndryshme që publikohen në rrjetet sociale përmes portaleve të ndryshme ose edhe përmes postimeve të njerëzve të ndryshëm, tërrësisht jokompetentë për ato që flasin, do të habiteni me përmasat e shpërndarjes së këtyre dezinformatave, e që është me keq, me numrin e njerëzve të cilët vërtet besojnë se një Youtube video me proces tërësisht të paqartë editimi dhe mbikqyrje të dyshimtë befas shpall informata që në fakt po të ishin të vërteta do të duhej të ishin të klasifikuara. Kështu, nëpër kafenetë e çarshive dhe mëhallave që funksionojnë edhe në kushte pandemie, sepse nevoja për makiato dhe informata konspirative është e pakontrollueshme, krijohen grupe ekspertësh për çdo fushë, të cilët dinë gjithçka. Ata e dinë si dhe kur është krijuar virusi Covid19 dhe me çfarë qëllimi. Ata e dinë edhe ilaçin për këtë sëmundje. Disa prej tyre bile shumë mirë e dinë se e gjithë kjo është një farsë e madhe dhe në fakt virusi aspak nuk ekziston, është thjesht një perceptim dhe gjendje psikologjike e krijuar artificialisht. Të tjerët e dinë me siguri që e gjithë kjo pandemi është krijuar me të vetmin qëllim të maskohen antenat e rrjetit 5G që pa dijeninë tonë ishin vendosur pikërisht në Bogovinë, në kushte kur askund në rajon ky rrjet nuk është instaluar ende!

Kam arritur në përfundim se përhapja në përmasa të tilla e lajmeve të rrejshme bëhet e mundur sepse shumica prej nesh informatat dhe lajmet i marrim ekskluzivisht nga rrjetet sociale dhe jo nga burime të verifikuara të përhapjes së informatës. Në një botë të tillë virtuale, ku çdo ditë bëhet më vështirë të dallohen lajmet e vërteta nga ato të rrejshmet, është shumë e qartë që duhet zhvilluar më tepër mendimi kritik, dyshimi, mosmarrja e gjërave në mënyrë direkte ashtu si servohen. Ndërsa mendimin kritik e zhvillon arsimi. Mendimin kritik mund ta zhvillojmë edhe vet, sepse natyra e njeriut është dyshuese, është e etur për dije, është e tillë që kërkon të dijë për gjërat që e rrethojnë. Me gjithë dyshimet që i shprehim gjithkund në jetë, habitem si asnjëherë nuk shprehim dyshim për gjërat që publikohen në Facebook, por ato i marrim apriori si të vërteta?!

Do të ishte mire këto ditë të izolimit ti kalojmë duke e vetëkufizuar kohën që e kalojmë në rrjetet sociale ashtu si e kufizojmë kohën e fëmijëve tanë para ekraneve. Do të ishte mirë ta kalojmë një pjesë të kësaj kohe duke lexuar ndonjë libër. Nuk ka mënyrë më të mirë të zhvillimit të mendimit kritik se sa leximi i librit të qëlluar. Dhe ka aq shumë libra që mund të na ndihmojnë në kalimin e kësaj periudhe bile të na japin shumë më tepër kënaqësi dhe qetësi se sa të rrotulluarit e informatave në Facbook.

Ja disa sugjerime.

Nëse vërtet duam ta kuptojmë shtetin si koncept duhet ti lexojmë klasikët. “Shteti”-n e Platonit, “Kontratën sociale” të Zhan Zhak Ruso, “Frymën e ligjeve” të Monteskje. Të gjitha janë të përkthyera në shqip dhe gjenden nëpër librari. Nëse duam të meditojmë për këtë periudhë kohe dhe vlerat materiale dhe jomateriale të njeriut bëjmë mirë ta lexojmë Erich From “Të jesh apo të kesh”. Edhe ky i përkthyer në shqip. Këto janë libra klasike që mund të gjinden në botime të vjetra në shtëpitë tona ose në ribotime të reja që i kemi blerë nëpër panaire, kur kemi dashur t’i tregojmë botës sa të lexuar jemi.

Lexoni libra bashkë ne fëmijët tuaj, sepse mendimi kritik zhvillohet posaçërisht në vegjëli, ndërsa shprehia për të lexuar merret pikërisht atëherë, kur fëmijët janë të vegjë. Lexoni tregimet për Konin dhe Maksin me ata, lexoni aventurat e Lolës tek Familja e Paparë, Tregimet me telefon, që ata i kanë lektyrë bashkë me Goni Trazovaçin, këtë klasikë të letërsisë sonë për fëmijë. Mësoni fëmijët tuaj informatat ti marin fillimisht nga librat e pastaj nga Youtube. Ka aq libra të bukur që mund t’u ndihmojnë ta kuptojnë jetën e të krijojnë ndjejën e empatisë tek ata, aq të nevojshme për çdo njeri. Lexoni me ata Kepucët jeshile që ngjallën zili, për të kuptuar më shumë për pasojat e bulizmit tek fëmijët e vegjël.

Dhe kur dëshironi të kënaqeni me sukseset e letërsisë botërore, zgjedhja është e pafund: Nga Shekspiri i cili mbetet gjithmonë aktual deri tek Kadarja jonë i madh, nga Rumiu e Omar Khayam tek Remarku e Halil Xhibran, nga Balzaku e Viktor Hygo tek Khaled Hoseini. Do të kisha rekomanduar dy nga autorët më të lexuar  të ditëve të sotme: Carlos Ruiz Zafon dhe Elif Shafak. Cilindo libër të Zafonit që do e lexoni do ju sjellë kënaqësi të papërshkruar. Disa mund t’i lexoni së bashku me fëmijët e rritur, për shembullm Dritat e shtatorit, Pallatin e mesnatës ose Princin e Mjegullës. Kuatrologjia e Varrezës së librave të haruara është tregim në vehte që sado ta  rilexoni, kërkoni ende për të lexuar më shumë, për Daniel Sempere dhe Fermin Romero de Torres. Aftësi e mrekullushme e të treguarit, që i ka bërë këto libra të përkthehen në dhjetëra gjuhë të botës dhe të krijojnë kënaqësi për shumë njerëz.

Kënaqësi të tillë sjell edhe leximi i librave nga autorja më e lexuar me origjinë turke në botë, Elif Shafak. Vetë fakti që për shkak të librit të saj “Bastardja e Stambollit” ajo është ndjekur penalisht në Turqi së bashku me personazhet e librit të saj mjafton për ta intriguer dikë që të lexojë diçka nga kjo autore e zëshme kritike e cila në librat e saj prek tema nga më të ndryshmet. Kështu, tek 40 rregullat e dashurisë ajo flet për sufizmin e Rumiut dhe Shamsit, tek Çiraku i arkitektit flet për kohën e Arkitektit Sinan nga një këndvështrim që nuk gjindet në asnjë libër tjetër, tek Bastardja e Stambollit ajo trajton problemin e gjenocidit ndaj Armenëve ndërsa tek Tri bijat e Evës trajton çësthje të ndryshme lidhur me pikëpamjet e tri grave për botën.

Të gjitha këto, libra janë të përkthyera shumë bukur në shqip, dhe gjenden në libraritë tona. Libraritë tona si për shembull Libraria “Nobel” në Tetovë, na dërgojnë librat e porositura edhe në shtëpi gjatë kohës së kësaj pandemie. Kjo për shkak se ata e dinë shumë mirë që nuk janë vetëm ushqimet dhe ilaçet ato që nevojiten gjatë kohës së izolimit, por janë edhe librat ajo për të cilën kemi nevojë. Sepse duhet të ushqehet edhe shpirti që të mbetemi të shëndetshëm në këto kushte.

Mos harroni ta ushqeni çdo ditë nga pak shpirtin tuaj në këto kushte pandemie. Vetëm ashtu do mund të dalim sipër thashethemeve që shpesh plasohen si lajme dhe të cilave çuditërisht dëshirojmë t’u besojmë më shumë se realitetit.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button